Teksa Shqipërisë iu rrit prestigji në sytë e opinionit publik italian, pas dërgimit atje të 30 mjekëve e infermierëve, befas disa mendje djallëzore dhe xheloze nga anët tona, shpikën nga hiçi histori banale për të zbehur ndjeshmërinë e lartë në publik që pati ky akt i qeverisë shqiptare.
Ndërkohë që në Itali nuk ngeli politikan, artist, media e shkruar a televizive dhe gjithfarë personalitetesh publikë pa e vënë në dukje këtë ndihmë, në Shqipëri ky zhvillim i papritur pati edhe kundërshtarët e zakonshëm që shohin vetëm zi tek çdo gjë që bën kryeministri Rama.
Dhe personazh u bë njëri prej të tridhjetëve, duke ia vënë në dyshim aftësitë profesionale si infermier, vetëm sepse vitet e fundit po kryente një punë tjetër nga ajo që ishte diplomuar e ku më pas e kishte ushtruar edhe si profesion.
Unë nuk e di se për çfarë qëllimesh u nisën ata kur pranuar ftesën e qeverisë për këtë mision fisnik. Mbase ka qene betimi i Hipokratit për t’i shërbyer pacientëve kudo ku ata kanë nevojë; mbase ka qenë përfitimi material duke marrë për bazë pagën e lartë të ofruar; mbase…
Cilido qoftë shkaku, për një gjë jam i bindur; që ata nuk e kanë paramenduar këtë efekt madhështor që pati vendimi i tyre. Bile as qeveria e as kryeministri Rama nuk e kanë pritur këtë reagim nga pala italiane.
Kjo sepse ekipi mjekësor shqiptar nuk ishte i pari në llojin e tij. Përpara tij në Itali kishte shkuar një kontigjent me mjekë kinezë, bile me gjithë pajisje mjekësore. Pas kinezëve në Itali shkoi një kontigjent mjekësh rusë, sërish me pajisje mjekësore për t’u ardhur në ndihmë në këto kohë mungesash globale për bazë materiale.
Mbase më ka shpëtuar mua si informacion, po nuk më rezulton që gjithë ato personazhe politike, shoqërore e mediatike që u prononcuan për Shqipërinë, ta kishin bërë këtë gjë edhe me Kinën e Rusinë, e për me tepër me presidentët respektivë të këtyre dy shteteve gjigandë.
Pra, duke mos pasur prej italianëve ndonjë reagim të paparë mediatik me terma falënderues për mjekët kinëze e rusë dhe qeveritë e tyre, kontigjenti i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë nuk mund të thuhet se shkoi atje për të marrë lavdi.
Jo vetëm kaq, por ndërmarrja e një akti të tillë prej tyre është me të vërtetë e guximshme. Ata pranuan të shkojnë në zemrën e vatrës më të nxehtë të kësaj lufte, atje ku çdo ditë vdesin me qindra njerëz.
Kjo do të thotë se ata kanë pranuar të shërbejnë atje ku është niveli më i lartë i infeksionit, duke marrë parasysh edhe risqet që rrjedhin prej tij. Mjafton një pakujdesi në zhveshjen e uniformës që të mbron nga koronavirusi, dhe automatikisht bëhen preh të sëmundjes Covid-19.
Nëse një ushtarak e thërret me ligj nën armë, si për të mbrojtur atdheun, si për të sulmuar një vend tjetër për interesa të atdheut tënd, nëse një mjek në Shqipëri e detyron që t’i shërbejë një pacienti edhe duke rrezikuar jetën e tij, nuk ka asnjë ligj në botë që ta detyrosh mjekun të pranojë jashtë vullnetit të tij të lirë që të shkojë jashtë vendit si ndihmë për një vend tjetër.
Atyre smirëzinjve që sot po turfullojnë, u them vetëm një gjë: Boll ju duruam vitin e kaluar me gjithfarë lobimesh për të nxirë imazhin e Shqipërisë në sytë e evropianëve me qëllim pengimin e çeljes së negociatave.
Tashmë që një akt modest i qeverisë shqiptare sa i përket numrit të mjekëve dhe infermierëve, po akt i madh sipas palës italiane pasi po ndiheshin të braktisur nga Evropa, i jep Shqipërisë këtë shkëlqim në sytë e fqinjit tonë përtej Adriatikut, është e turpshme që opozita sërish vijon avazin e vjetër të përbaltjes, për më tepër të atyre që po rrezikojnë edhe jetën e tyre në atë mision fisnik e humanitar që kanë marrë përsipër të kryejnë.
Teksa italianët nxjerrin në pah anët tona pozitive, ju opozitarë bëheni qesharakë deri në neveri, duke gërmuar në jetëshkrimin e secilit prej të tridhjetëve me atë mendimin tuaj prej ciniku e dashakeqi, si e si të gjeni ndonjë kleçkë në biografi, njësoj siç bënin dikur organet e sigurimit.
Zotërinj opozitarë! E kuptojmë që do kishit dashur që të ishit ju ata që do e propozonit një mision të tillë në Itali, për t’u mburrur më pas. Mbase e keni pasur në mendje, por vonuat ta shprehni publikisht siç keni bërë me ato propozimet ekonomike. Tani që e humbët këtë mundësi, xhelozinë mos e ktheni në urrejtje. Të paktën tregohuni dashamirës me Shqipërinë, qoftë edhe aq sa po tregohen italianët me ne. Pra, bëhuni më pro shqiptarë sesa italianët. Nuk kërkojmë asgjë më tepër nga ju!
Leave a Reply