Në këto ditë të ethshme të krizës politike, kaloi si pa u vënë re lirimi nga qelia e një punonjësi policie në Gruemirë të Malësisë së Madhe me akronimin e emrit BB. Ditë më parë ai u bë epiqendra e vëmendjes publike, bile zuri edhe një vend kryesor në emisionet politike të mbrëmjes në televizionet kombëtare, si i dyshuar për përndjekjen e një vajze të mitur 15 vjeç në territorin e zonës ku ishe i emëruar të shërbente.
Historia nisi kështu: Një person misterioz, pasi hapi një adresë në rrjetin social Facebook me emrin identifikues “Marsela Malësorja”, hyn në tratativa me një portal online për të kryer nëpërmjet tij një denoncim publik. Denoncuesja “Marsela Malësorja”, pretendonte se ishte e ëma e një vajze të mitur 15 vjeçare e cila ishte bërë preh e ngacmimeve seksuale prej punonjësit të policisë BB, i cili, sipas denoncueses, i dërgonte të bijës në celular video me përmbajtje të fortë erotike.
Denoncuesja pretendonte se kishte shkuar ta denonconte efektivin BB jo vetëm në komisariatin e policisë së Malësisë së Madhe, po edhe në Drejtorinë e Policisë Shkodër, por që në të dyja rastet ai kishte arritur në kohë t’i ndalonte ta bënin këtë. Nuk dilte e qartë nëse BB i kishte ndjekur nga pas gruan me vajzën, apo atë e kanë njoftuar kolegët e tij në këto dy institucione, ashtu siç pretendonte denoncuesja, por sidoqoftë ka pak shanse të ndodhë që i dyshuari BB të ketë një ndikim kaq të madh deri tek Drejtoria e Policisë saqë ata të refuzojnë të marrin në konsideratë denoncimin, bile të njoftojnë BB që të vijë edhe ai aty e t’i “kërcënojë”.
Gjithsesi, portali online, i ndodhur edhe nën efektin e një ngjarje pak a shumë të ngjashme që kish ndodhur disa ditë më parë në Kavajë, vendosi ta bëjë publike, si denoncimin, ashtu edhe videon, duke retushuar vetëm pamjet e nxehta. Menjëherë pasi portali publikoi lajmin, denoncuesja “Marsela Malësorja”, çaktivizon faqen e saj në Facebook dhe zhduket nga rrjeti social.
Opinioni publik, të cilit ende nuk i kishte dalë mllefi me ngjarjen e Kavajës, pas këtij denoncimi kaloi në reagime ekstreme duke kërkuar edhe masa ekstra-ligjore ndaj të dyshuarit BB.
Problemi i parë me të cilin u përball Policia e Shtetit ishte se i vetmi denoncim ishte ajo e një anonimeje në një portal online, por që nuk rezultonte një i tillë me shkrim në asnjë komisariat policie. Megjithatë polici BB u arrestua për të shmanguar çdo lloj intimidimi për dëshmitarë të mundshëm. Ndonëse kaluan disa ditë, nuk rezultoi që ndonjë familje të ishte largua nga Malësia e Madhe për shkak se ishte ndjerë në rrezik prej BB. As ndonjë vajzë e moshës 15 vjeç nuk rezultoi se mungoi në procesin mësimor të shkollës Gruemirë. E ndodhur në këto kushte, gjykata, pasi konkludoi se ndaj policit BB nuk pati asnjë denoncim, duke qenë se nga pamjet që u gjetën del se ai kryente veprime seksuale me bashkëshorten e vet, vendosi ta lirojë nga masa shtrënguese “arrest në burg”, duke i dhënë masën më të lehtë, atë me “detyrim paraqitje”.
Ato portale që e publikuan këtë ndryshim mase, menjëherë u mbushën me komente nervoze njerëzish të cilët aludonin se polici BB ishte favorizuar, se dëshmitarja e supozuar ishte zhdukur, se ai duhej dënuar edhe në mungesë të një denoncimi me shkrim, se qeveria ishte vënë e gjitha në mbrojtje të tij!!! etj., etj., konkluzione individuale që nxirrte gjithsecili sipas imagjinatës së çastit.
Tani, vetvetiu lind pyetja se, përse u mora me gjithë këtë shtjellim dhe ku desha të dalë?
Në mungesë të një denoncuese reale, asaj me emrin fiktiv “Marsela Malësorja”, unë njoh një dëshmitar të kësaj ngjarje të shëmtuar. Ky dëshmitar është i dyti, pas portalit online, që publikoi të dhëna të plota mbi ngjarjen, bile ia kaloi edhe vetë portalin në detaje.
Ky dëshmitar është politikan i opozitës, specifikisht përfaqëson Partinë Demokratike, ka pasur detyrë si sekretar për reagimin qytetar në këtë parti, funksion nga i cili ka dhënë dorëheqje, ashtu siç ka dhënë dorëheqje edhe nga detyra e ligjvënësit.
Ende në profilin e tij në Facebook ndodhet një postim tek njëri prej statuseve të datës 12 shkurt. Postimi është me të dhëna të plota mbi ngjarjen duke i vendosur pikat mbi “i” për shumë çështje. Prej postimit të tij, po ngre disa pyetje për ish-deputetin në fjalë dhe nxis organin e akuzës ta marrë në pyetje, pasi gjykoj se dëshmia e këtij dëshmitari mund të çojë në zbërthimin e plotë të të gjithë ngjarjes dhe vënien e policit BB përballë ndëshkimit të merituar.
Zoti ish-deputet në rolin e dëshmitarit! Ju thoni se efektivi BB është larguar nga puna gjatë qeverisjes demokrate “për tentativë përdhunimi”. Si është e mundur, zoti ish-deputet, që policia e asaj kohe është mjaftuar vetëm me largim nga puna për këtë tentativë përdhunimi dhe nuk e kanë referuar çështjen në prokurori për ndjekje të mëtejshme? Ku bazoheni ju që BB dikur ka tentuar të përdhunojë dikë, cila është ajo dhe, a dispononi një akt-ekspertizë që të provoni këtë pretendim?
Ju pretendoni se me rikthimin e BB në radhët e policisë atij iu dha mundësia që të abuzojë me 15 vjeçaren. Keni dijeni ju se për cilën 15 vjeçare bëhet fjalë dhe ku e bazoheni tek mosha e saj, nga një njohje personale, apo i ndikuar nga portali online?
Ju pretendoni se BB “kërcënonte dhjetëra gra të tjera”; se “shumë prej tyre e kanë denoncuar në komisariat, por policia i ka shpërfillur dhe nuk ka marrë asnjëherë denoncimin e tyre”. Dini gjë ju, zoti ish-deputet, se cilat janë këto dhjetëra gra të kërcënuara, cilat prej tyre kanë bërë denoncim, në cilin komisariat, me qëllim që të dalë edhe përgjegjësia e atyre që i kanë shpërfilluar denoncimet kolektive.
Ju pretendoni se “monstra i regjistronte me video për t’i shantazhuar” dhe se “ekzistojnë prova dhe video që viktimat i denonconin në polici, video këto që i disponon Policia e Shtetit”. A jeni në dijeni ju, zoti ish-deputet, të këtyre videove, dispononi të tilla, nëse po pse nuk i keni denoncuar më parë, nëse jo dini se cili i disponon ato në Policinë e Shtetit?
Ju pretendoni se “disa prova dhe video më kanë ardhur në inbox nga punonjës policie”. A jeni i gatshëm ju, zoti ish-deputet, t’i tregoni në prokurori emrat e këtyre policëve që ju kanë dërguar këto video, dhe, nëse dëshiron t’u ruash anonimatin me qëllim që të mos akuzohen për “moskallëzim krimi e shpërdorim detyre”, a jeni ju i gatshëm t’i vini ato video e prova që dispononi në dispozicion të prokurorisë?
Një pyetje e kam edhe për organin e akuzës. A keni tentuar ju, zotërinj prokurorë, që t’i bëni ftesë zotit ish-deputet që të japë dëshminë e tij mbi të dhënat që disponon në celularin e tij, përfshi edhe pamje të tjera, që nuk i disponon portali online?
Unë nuk e di se çfarë i hyjnë tashmë në punë zotit ish-deputet, për shembull, aktet e seksit oral midis BB dhe bashkëshortes së tij, por jam i interesuar që ai të vërë në dispozicion të prokurorisë, së paku, pamjet me ndonjë nga ato dhjetëra gra të tjera të cilat pretendon se i disponon, të cilat mund të jenë një bazë e fortë akuze për efektivin BB që ai të rikthehet sërish në qeli.
Së fund, edhe një pyetje për zotin ish-deputet. Si është e mundur që ju, që ishit i vetmi që patët një denoncim alternativ nga ai i portalit, e kaluat në heshtje të plotë reaguese lirimin e efektivit BB, apo “monstrës” siç e përshkruat ju?
Shpresoj që ta keni pasur me sinqeritet denoncimin tuaj ndaj BB, dhe jo që ta keni përdorur atë politikisht si version i “Babale 3”. Personalisht jam duke pritur me padurim të di se cila është “Marsela Malësorja”. Ju, zoti ish-deputet, dini t’i përgjigjeni kësaj pyetje?
Leave a Reply