Në një intervistë dhënë së fundmi, kryetari agraro-ambientalist, Agron Duka, ndër të tjera theksoi që: “Opozita kërkon edhe identifikimin biometrik, pasi janë mbushur kutitë e votimit me emigrantë që nuk kanë ardhur fare në Shqipëri”.
Ky pohim i zotit Duka është shumë interesant dhe shpreh një të vërtetë. Është nga ato të vërteta që nuk janë legjenda urbane, por që janë provuar me vendim gjyqësor për të cilën komisionerët kanë bërë burg.
Për ata që e kanë harruar, ky fenomen ka ndodhur kur në pushtet ka qenë opozita e sotme, me kryeministër Sali Berishën dhe ministër të Jashtëm Lulzim Bashën.
Më 28 qershor 2009, në komunën Rruzhdie në Fier, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u konsumua pikërisht ajo që ngre me forcë zoti Duka: “Mbushja e kutive të votimit me emigrantë që nuk kanë ardhur fare në Shqipëri”. Zoti Duka nuk e vë gishtin në plagë duke e lënë evazive si fenomen, për të krijuar idenë se këtë gjë e bën Partia Socialiste.
Në zgjedhjet e vitit 2009, ku kryeministri Berisha synonte mandatin e dytë, rezultati ishte i tillë: Koalicioni i djathtë i PD-së me 70 mandate, PS me 66 mandate dhe LSI me 4 mandate. Ndonëse LSI kishte bërë një fushatë të egër anti-Berishë, edhe nëse ajo do të bashkonte votat me PS, nuk e formonin dot qeverinë. Në këto kushte LSI, me 4 mandatet e saj, lidhi koalicion qeverisës me Berishën, që siç e justifikoi, “për hir të stabilitetit dhe integrimit të Shqipërisë”.
Në ato zgjedhje PS-ja pretendonte mandatin e 9-të në qarkun Fier, i cili në total do t’i jepte asaj 67 mandate dhe me 4 mandatet e LSI-së krijonte shumicën në Kuvend. Por, nëse rasti “Rruzhdie” u arrit të provohej nga opozita e atëhershme me prova, shumë “rruzhdijeve” të tjera anembanë Shqipërisë nuk pati rast që t’i provonte, sepse qeveria “Berisha” nuk dha konsensus për të hapur kutitë e materialeve zgjedhore në disa zona të dyshuara në Tiranë, Berat e Shkodër.
Aq i kompleksuar ishte Berisha nga votat e manipuluara në Rruzhie në vitin 2009, saqë në prag të zgjedhjeve të vitit 2013, më datë 5 mars, shkoi enkas në atë komunë për të inauguruar një rrugë dhe premtuar dhjetëra investime të tjera në rrugë, kanalizime, shkolla, qendra shëndetësore, …, premtime që nuk i kishte bërë as për qytetin e Fierit. Duke bërë ironi me akuzat e dikurshme të opozitës, shtoi: “Në një kohë kur të tjerët çirreshin nëpër televizione se Berisha fiton me votat e eskimezëve (kupto: emigrantëve), unë shprehja krenarinë për ju. Ata (kupto: PS) që pretendonin kështu (kupto: vota emigrantësh), ata nuk kanë asgjë shqiptare në gjakun e tyre”.
Për ta nxjerrë blof këtë alibi të Berishës, në janar 2014 të 5 komisionerët e PD-së në Rruzhdie u dënuan me vendim të formës së prerë me 7 muaj burg me akuzën e mbushjes së kutive me vota të emigrantëve që ditën e votimit nuk kishin qenë fare në Shqipëri.
Nga opozita e sotme me të drejtë kërkohet identifikim biometrik dhe për këtë të gjithë duhet të jemi dakord. Pavarësisht se ajo nuk ka bërë mea culpa për mëkatet e djeshme kur qeveriste dhe nxiste mbushje kutish me vota emigrantësh që nuk ishin në Shqipëri, është në të drejtën e saj që atë që ka bërë dikur vetë, të mos e pësojë po ajo mbi kurrizin e saj. Edhe sikur ky fenomen të mos ekzistojë fare, opozitës i duhet hequr çdo dyshim që ka.
Megjithatë, identifikimi biometrik i votuesve është një proces delikat. Nuk është vetëm çështje teknologjie, sepse fundja do gjenden disa lekë shtesë në këto kohë të vështira për ekonominë prej pandemisë dhe ja u blenë edhe aparatet për çdo qendër votimi.
Çështja mbi këtë problematikë mbart shumë të panjohura, gjë që krijon pyetje që vijnë natyrshëm.
Sa shtetas shqiptarë kanë pasaportë biometrike?
Sa shtetas shqiptarë, që nuk kanë pasaportë, kanë letërnjoftim (kartë identiteti)?
Sa nga këto karta identiteti janë në gjendje të rregullt që të njihen nga pajisja identifikuese?
Ka pafund raste ku prej përdorimit, shumë individë i kanë të dëmtuara kartat e identitetit.
Sa prej këtyre shtetasve do të jenë të gatshëm që në zgjedhjet e vitit tjetër t’i rinovojnë këto karta?
A do përbëjë shkak përjashtimi nga e drejta e votimit kur një shtetas posedon një kartë të dëmtuar që pajisja identifikuese nuk arrin ta njohë?
Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera, duheshin adresuar fare mirë po të pilotoheshin në zona ta caktuara gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Kjo do na kishte krijuar një premisë të shëndoshë ku të identifikoheshin problemet për të marrë më pas masat përmirësuese për zgjedhjet parlamentare.
Personalisht e shoh me shumë dyshim që procesi i identifikimit biometrik të shtetasve të shtrihet vitit e ardhshëm në të gjithë Shqipërinë. I druhem ndonjë ngërçi të mundshëm në shkallë kombëtare që mund të çojë në dështimin e zgjedhjeve.
Prandaj kjo çështje duhet trajtuar me gjakftohtësi, larg interesave politike, për të mos u kapur si i mbyturi pas fijes së barit për ta bërë argument bllokues për konsensus.
Leave a Reply