Në zbatim të ligjit “Për Partitë Politike”, formacionet politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit, kanë dorëzuar në KQZ raportet financiare për fushatën elektorale të zgjedhjeve që lamë pas. Nga ana e saj, KQZ-ja i ka publikuar këto raporte në faqen e saj zyrtare. Pa hyrë shumë në analiza të lodhshme, do të mundohem të jap përmbledhtas disa të dhëna që nxora nga raportimet e tri partive kryesore që përfaqësohen në Kuvend, PS, PD dhe LSI.
Të ardhurat e këtyre tri partive paraqiten në tabelën e mëposhtme:
Përshkrimi i të Ardhurave | Subjektet Politike | ||
PS | PD | LSI | |
Të ardhura nga Buxheti i Shtetit | 28,044,942 | 88,045,551 | 23,499,960 |
Të ardhura monetare nga individët | 5,102,000 | – | 13,539,951 |
Të ardhura në natyrë nga individët | 4,111,274 | – | 427,776 |
Të ardhura monetare nga bizneset | – | – | – |
Të ardhura në natyrë nga bizneset | – | – | 24,325,626 |
Të ardhura nga kuotat e anëtarësisë | 56,624,633 | – | 13,490,647 |
Totali në Lekë | 93,882,849 | 88,045,551 | 75,283,960 |
Nga tabela e të ardhurave vihen re disa të dhëna interesante që ia vlen të krahasohen.
Te Partia Demokratike bie në sy fakti se përveç të ardhurave që ka marrë nga Buxheti i Shtetit, nuk ka deklaruar asnjë të ardhur tjetër, si nga individët dhe biznesi, ashtu edhe nga anëtarësia e partisë nëpërmjet kuotizacioneve. Të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një parti të braktisur tek e cila nuk kanë besim të financojnë individët dhe bizneset jo e jo, por as vetë anëtarësia e partisë që e ka detyrim me statut derdhjen e kuotizacioneve. Do të mjaftonte ky fakt për të kuptuar se përse kjo parti doli e dërrmuar në zgjedhje.
Te Lëvizja Socialiste për Integrim vihet re se ka një shifër të lartë donacionesh nga individët të cilët kapin një numër prej 191 personash. Nga një vështrim i hollësishëm i raportimit të kësaj partie shihet se nga totali i donacionit prej 13.539.951 lekësh të reja, 7.723.985 lekë ose 57% e shumës është dhënë nga 56 individë të identifikuar me emër, kurse 5.815.966 lekë ose 43% e shumës është dhënë nga 135 individë të paidentifikuar me emër. Shuma më e vogël që ka dhuruar individët ka qenë 3.000 lekë dhe më e madhja 676.050 lekë. Dhurues nën shumën 100.000 lekë janë 135 persona, kurse mbi shumën 100.000 lekë janë 56 persona. Gjithashtu ka të ardhura në natyrë nga biznesi (e paspecifikuar se për çfarë bëhet fjalë), përkatësisht nga televizioni Top Channel në shumën 24.325.626 lekë, dhe 427.776 lekë të ardhura po në natyrë, edhe këto të paspecifikuara, nga 15 individë, nga ku 2 janë të identifikuar me emër dhe 13 pa emër. Shuma më e vogël e dhurimit në natyrë është 4.200 lekë dhe më e madhja 219.051 lekë.
Te Partia Socialiste, ka një shifër më të ulët donacionesh monetare nga individët në raport me LSI-në, të cilët kapin një numër prej 74 personash, të gjithë të identifikuar me emër dhe numër ID. Shuma më e vogël që kanë dhuruar individët ka qenë 4.000 lekë dhe më e madhja 100.000 lekë. Dhurues nën shumën 100.000 lekë janë 67 persona, kurse në shumën 100.000 lekë janë 7 persona. Gjithashtu ka të ardhura në natyrë të dhëna nga 264 individë, të cilat janë qira për zyra elektorale. Vlera më e ulët dhurimit në natyrë është 2.000 lekë dhe më e larta 60.000 lekë.
Shpenzimet e tri partive paraqiten në tabelën e mëposhtme:
Përshkrimi i Shpenzimeve | Subjektet Politike | ||
PS | PD | LSI | |
Shpenzime të ndryshme për fushatën | 89,771,575 | 58,197,290 | 54,071,188 |
Shpenzime jo reale nga individët | 4,111,274 | – | 427,776 |
Shpenzime jo reale nga biznesi | – | – | 24,325,626 |
Shpenzime të papaguara | 11,113,280 | – | 9,289,600 |
Totali në Lekë | 104,996,129 | 58,197,290 | 88,114,190 |
Te Partia Demokratike, zërin më të lartë të shpenzimeve e zë kontrata me kompaninë “Barnes Thornburg LLP” me vlerë 12.585.000 lekë me objekt: “Lobim për sensibilizimin e çështjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. Shpenzimet e tjera janë kryesisht për spote publicitare, foni zëri, ndriçim, dekore, banera, etj. Në zërat e shpenzimeve mungojnë shumat dhe kompanitë lobuese amerikane me të cilat PD-ja kish lidhur kontratë në vlerën 675 mijë USD.
Te Lëvizja Socialiste për Integrim, veç shpenzimeve të fushatës janë edhe shpenzimet jo reale që kanë të bëjnë me faktin se ndonëse këto shërbime janë ofruar falas në formë donacioni nga biznesi (TCH) apo individët, ato konsiderohen njësoj sikur të ishin paguar me vlera monetare. Po kështu ky subjekt ka një detyrim të pashlyer karshi TCH-së në vlerë 9.205.600 lekë për spote publicitare si dhe 84.000 lekë për servis makinash.
Te Partia Socialiste, përveçse shpenzimeve të detajuara të fushatës, njësoj si te LSI ka edhe aty shpenzime jo reale në vlerë 4.11.274 lekë që janë dhuratë donacion për ofrim qira ambienti falas. Edhe PS ka një shumë të madhe të papaguar ndaj TCH-së prej 11.113.280 lekësh, sërish për spote publicitare.
Nga një rezyme e shpejtë e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për këto tri parti, rezulton se:
Partia Demokratike ka dalë nga procesi zgjedhor me një fitim plus 29.848.261 lekë. Nuk kuptohet se përse është treguar kaq dorështrënguar kjo parti në shpenzime gjatë fushatës së brendshme, pasi gjatë fushatës së jashtme, përtej Atlantikut, duket që është treguar dorëshpuar.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë me humbje me një vlerë minus 12.830.230 lekë, nga të cilat 9.289.600 lekë i ka të deklaruara si shuma të papaguara ndaj TCH dhe një subjekti privat, kurse diferenca prej 3.540.630 lekësh nuk raportohet se nga është gjetur.
Partia Socialiste ka dalë me humbje me një vlerë minus 11.113.280 lekë. Kjo shumë është e njëjtë me shumën e deklaruar si e papaguar për Top Channel-in për spotet publicitare.
Gjithashtu, këto tri parti raportojë se kanë marrë kohë në dispozicion falas nga televizionet sipas tabelës më poshtë:
Televizionet | Subjektet Politike | ||
PS | PD | LSI | |
Top Channel | 44.55 | 73.4 | 44.8 |
Tv Klan | 45 | 18 | – |
ABC News | – | 19.2 | – |
Focus News | – | 8.6 | – |
Media Vision | – | 4.5 | – |
Totali i minutave falas | 89.55 | 123.7 | 44.8 |
Nga të dhënat rezulton se PD ka marrë 47.94% të minutave falas, LSI 17.36% dhe PS 34.7%. Në total opozita ka marrë 65.3% të kohës falas. Një shenjë pozitive kjo, gjë që tregon se nuk ka qenë e diskriminuar përfshi edhe nga ato media që akuzoheshin se ishin pro qeveritare.
Në përfundim, nisur nga raportet financiarë të këtyre tri partive politike, dua ta mbyll me një vlerësim me notë për të tri përgjegjësit e financës që kanë hartuar këto raporte për KQZ-në.
Përgjegjësin e Financës të PD-së, zotin I. Dervishi, e vlerësoj Dobët me notën mbetëse 4. Ajo që bën që të jap këtë vlerësim të ulët është fakti se tek të Ardhurat më duket e pabesueshme që asnjë anëtar i PD-së të mos ketë kontribuar me kuota anëtarësie për partinë ku militon. Gjithashtu më duket e pabesueshme që asnjë dashamirës i PD-së të mos ketë dhënë asnjë kacidhe lekë për këtë parti. Edhe zërat e Shpenzimeve janë shumë të vakët dhe ndonëse shifra është e madhe e gjitha përmblidhet në vetëm 24 zëra shpenzimesh që më së shumti janë të karakterit publicitar, konsulencë dhe lobizëm. Këtu nuk po fus shpenzimet e pa deklaruara për lobistët amerikanë.
Përgjegjësen e Financës të LSI-së, zonjën M. Meko, e vlerësoj Shumë Mirë me notën 8. Ajo që më bën që të mos i jap notë më të lartë është fakti se ndonëse raportohet se të Ardhurat në vlerë monetare janë kryer në rrugë bankare, një numër të madh dhuruesish u mungon emri dhe nr. ID. Kjo gjë ul transparencën që kërkohet në kësi rastesh. Po ashtu, tek të ardhurat në natyrë mungojnë sërish emrat e dhuruesve si dhe përshkrimi i këtij dhurimi se për çfarë bëhet fjalë. Tek shpenzimet është treguar e korrekte dhe i ka raportuar ato në 259 zëra.
Përgjegjësen e Financës të PS-së, zonjën Dh. Isufaj, e vlerësoj Shkëlqyeshëm me notën 10, sepse është treguar transparente duke publikuar çdo dhurues, me emër dhe nr. ID. Edhe shpenzimet i ka pasqyruar të detajuara të përmbledhura në 554 zëra shpenzimesh.
Leave a Reply