Për ngjarjen e 21 janarit dhe viktimat e tij është folur shumë gjatë këtyre 8 viteve që pasuan atë ditë tragjike. E sërish do flitet sepse gjaku i Ziverit nga Gjirokastra, Hekuranit nga Dibra, Faikut nga Fieri dhe Aleksit nga Lezha, nuk mund të kalojë në heshtje. Mjafton gjeografia e origjinës së tyre dhe kupton se ajo nuk ishte revoltë e një partie ndaj një qeverie, por e një Shqipërie kundër një tiranie. Tek ata të katërt, që përfaqësonin njeriun e thjesht e idealist, shqiptarët panë veten e tyre dhe u identifikuan me ta.
Por 21 janari nuk pati vetëm dëshmorë. Ajo datë nxori edhe 4 heronj. Heronj që pak përmenden. Ata janë: gazetari investigativ Artan Hoxha, operatori Ervin Daja, televizioni News24 dhe ish-presidenti i saj Carlo Bolino.
Shumëkush nuk e mban mend, por ishin pikërisht këta që me aktin e tyre ndryshuan rrjedhën e historisë. Deri para mesnatës shqiptarët kudo po bombardoheshin me një propagandë gebëlsiane se 4 dëshmorët u vranë nga vetë demonstruesit. Një mendje djallëzore, më e zezë se sa mendjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ishte kujdesur deri në detaje që vrasjen e tyre ta konsideronte si akt të kryer nga opozita.
Një telekamera e instaluar enkas dhe me tendenciozitet diku tek zyrat e Kuvendit, filmonte në pozicion të pjerrët pjesën e derës hyrëse nga ana e kangjellave që atëherë rrethonin kryeministrinë. Një skenar për filma triller, që lexohej nga një dublant i neveritshëm në një televizion kombëtar, rrekeshe t’i mbushte mendjen miletit se dorë në vrasje kishte opozita.
Nuk mund ta fsheh se edhe vetë rashë preh e kësaj propagande të ndyrë. Mënyra se si televizioni kombëtar e paraqiste kronikën dhe argumentet që jepte ta linin një hije dyshimi se ai flokëbardhi pranë Ziverit kishte shtirë ndaj tij. E, si ai, logjika ta thoshte se ishte vepruar edhe për tri të tjerët.
Një lëmsh që të mblidhet në gjoks e të bllokon frymëmarrjen. Si është e mundur që një parti politike, opozita vetë, ta kryente këtë akt mizor? Po sikur ai flokëbardhi të ishte një i infiltruar i qeverisë dhe ta kishte kryer vrasjen pikërisht për të fajësuar opozitën? Qindra pyetje kam kaluar nëpër mendje në ato çaste teksa shihja televizionin kombëtar.
Por, si një mrekulli bujare ardhur prej Zotit, ende pa kaluar akrepat e orës 24:00, shfaqen heronjtë, tri burra dhe televizioni që përfaqësonin, me një kronikë historike. Të gjendur në kohën dhe vendin e duhur, gazetari Hoxha dhe operatori Daja dëshmuan një të vërtetë të tmerrshme, tronditëse, që i tejkalonte edhe vetë vrasjet. Heeeeejjj, qeveria, pushteti ekzekutiv, organizatore e një pushkatimi pa gjyq në Bulevardin e Dëshmorëve, nën peshën e rëndë të vrasjes, kishte gjetur sebepin për të shkatërruar opozitën. I vrava unë, por fajin do ta lë ty, kjo ishte domethënia. Oh ç’mënxyrë e padëgjuar në regjime demokratike. Edhe tani që po i shkruaj këto rreshta më rrëqethet mishtë.
Është e pabesueshme, është tragjike, është fundi. Paramendoni për një çast sikur Artani dhe Ervini të kishin shkuar për kafe, pas atij helmi që u hodh nga Garda për t’u bllokuar frymëmarrjen demonstruesve, e të mos na i kishin sjellë ato pamje. Paramendoni sikur edhe pas filmimit, këta të dy, me presidentin e tyre, të negocionin me qeverinë për të fshehur të vërtetën. Sot ata do të ishin nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, por nuk e bënë. U ngulën aty në studio dhe na dhanë atë kronikë mrekulli. Mrekulli sepse dëshmonte me zë e figurë dorën gjakatare që fshihej si skuth nën dritaren kryeministrore ku qëllonte drejt trupave të pafajshëm. Pas saj, nuk ishte më e vështirë të kuptoje se cilët ishin edhe autorët e tri vrasjeve të tjera. Ju të tre jeni heronjtë e asaj dite, duke nderuar edhe gjakun e të rënëve. Mirënjohje përjetë për ty Tani, Vini dhe Carlo. Edhe ty News24 i atyre kohëve të stuhishme. Pa ju, sot historia kriminale që kishte gatuar mendja djallëzore e një tirani, do ishte krejt ndryshe. Faleminderit!
Leave a Reply