• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
ALMA JANKA/ Trishtim i panevojshëm
Home
Blog

ALMA JANKA/ Trishtim i panevojshëm

February 21st, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Sa trishtë të nis dita kur sheh e dëgjon lajme për ndarjen tragjike nga jeta të anëtarëve të së njëjtës familje. Po aq trishtë e makthshëm të ngryset dita kur lexon lajme apo tituj që përshkruajnë mënyrën se si një aksident tragjik ua mori jetën personave të të njëjtit grupim (familjes), ndër të cilët edhe të mitur. Por sikur të mos mjaftonin këto, detaje që të rrënqethin, trauma amplifikohet kur sa hap kompjuterin, në krye të disa mediave online apo rrjete sociale të shfaqet foto e së miturës së aksidentuar.

Është pak të them tmerr, është pak të them makabritet, është pak të them se zemra më pikoi gjak kur pashë fotografinë e së voglës, edhe pse e pashë kalimthi. Kujt i shërben një dhembje e tillë? Përse u dashka të ‘’serviren’’ të tilla pamje në media, qoftë në atë vizive apo në atë të shkruar? Ku është Kodi Etik i Medias në këtë rast? Nuk është hera e parë që ngjarje të tilla përdoren për të tërhequr vemendjen e gjithësekujt por në këto raste impakti që ato prodhojnë është shumë herë më negativ, efektet sociale që ato gjenerojnë janë edhe më të rënda për mbarë shoqërinë.

Kuptoj që titujt sensacionalë ‘’shesin’’ më shumë, kuptoj që pamje drithëruese të publikuara ‘’shesin’’ gjithashtu më shumë, por po ‘’kaq shumë’’ është edhe niveli i traumës që shkaktojnë këto lajme për secilin nga ne, për çdo qytetar, për çdo njëri që ka sadopak sensibilitet, për çdo prind e për të mos përmendur më pas familjarë e të afërm të vogëlushes së gjorë, për nënën e saj me lutjet dhe shpresën e të gjithëve ne se do t’ia dalë mban.

E gjithë ngjarja (dhe jo vetëm kjo tragjedi, por edhe të tjera të ngjashme), është një dramë që tejkalon edhe vetë dhembjen, ndaj dhe ndjeshmëria e secilit nga ne është e madhe edhe pa mësuar nëpërmjet rreshtave të një gazete apo portali se si ‘’ u ndanë copash’’ të vegjlit dhe babai i tyre, dramaciteti është po aq i madh pa qenë e nevojshme të lexojme të zezë mbi të bardhë se ‘’si u thërrmuan kockat’’ e viktimave. Sërish Kodi Etik i Medias është shkelur me të dyja këmbët. Nëse shfleton këtë Kod Etike, thuhet shprehimisht se në raste aksidentesh apo fatkeqësish, gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet t’i raportojnë këto tema duke treguar vetëpërmbajtje, duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre.

Publikimi i detajeve, informimi i publikut për rrethana të panevojshme të ngjarjes, imazhet e tjetërsuara të disa qënieve njerëzore që ndoshta fati i përfshiu në një tragjedi të tillë, nuk e ndryshon aspak gjendjen e tyre, nuk ‘’shëron’’ askënd prej tyre, as nuk e lehtëson dhembjen e familjarëve, përkundrazi, madje gjurmët që mbeten, do të rishfaqen herë pas here në media të ndryshme, duke ‘’ofruar’’ një tjetër dhembje, një tjetër dramë që të rifreskon tragjedinë e kobshme.

Duke qenë pjesë e medias, e kam të pamundur të mos bëhem pjesë e përditësimit të lajmeve, ndjekjes rregullisht të edicioneve informative apo leximit të shtypit, ndaj edhe pse do doja të kisha një tjetër panoramë informacionesh apo tematike të tyre, nuk mundem t’i anashkaloj të tilla ngjarje. Besoj se nuk jam e vetmja që do të preferonte t’i kushtohej më pak hapësirë zhvillimeve nga kronika e zezë, vrasjeve apo vetëvrasjeve, dhunës ndaj gruas e trajtimit të kësaj të fundit si pronë e dikujt, përshkrimeve të detajuara të aksidenteve vdekjeprurëse apo më keq akoma publikimit të fotografive të të miturve. Drama sociale që lë pas një situatë e tillë (sipas përshkrimeve të sipërpërmendura) është aspak pozitive.

Imazhe dhe ngjarje të tilla ndikojnë edhe në psihën e jo pak personave. Më tepër maturi’, më tepër kujdes dhe duke eleminuar sa më shumë ‘’dëshirën’’ e lajmeve sensacionale kur bëhet fjalë për të tilla tragjedi, nuk do t i bënte keq askujt. Sërish i referohem Kodit Etik të Medias që specifikon se media duhet të tregojë maturi me fotot apo pamjet e katastrofave, aksidenteve apo dhunës. Media duhet të ketë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut, gjatë këtyre raportimeve. Por mesa duket ndjeshmëria e publikut është ajo që është marë më pak në konsideratë në këtë rast ( e jo në pak raste të tjera). E them me bindje të plotë këtë kur tashmë në rrjete sociale, aq të përdorshme dhe lehtësisht të aksesueshme nga kushdo (të mëdhenj e të vegjël), makthi të del përpara syve.

Të dridhet zemra, të qan shpirti, të mpihet trupi teksa shikon të vdekurit shtrirë në arkivolë. Në këto raste do doja të mos isha gazatare për të shprehur ndoshta jo me etikë e fjalë të përmbajtura atë që ndiej, atë që përjetoj. E nëse një i/afërm/e i/e viktimave në këto momente ndoshta nuk është në gjendje të arsyetojë logjikshëm (kërkoj përulësisht ndjesë për këtë që them, pa dashur të gjykoj asnjë nga familjarët e viktimave), ndoshta duke dashur të ndajë me të tjerë dhembjen e madhe që i ka kapluar, duke publikuar të tilla foto, është media ajo që duhet të jetë më selektive se çfarë duhet e çfarë jo të publikojë.

Është media ajo që duhet të tregojë maturi e vetëpërmbajtje në ngjarje kaq sensitive. Një tragjedi që s ‘lë kënd pa prekur në shpirt, një dhembje që ther kur mendon se buzëqeshjet ëngjëllore të tre të vegjëlve s’do jenë më mes nesh. Përmasat e kësaj ngjarjeje dhe dhembja që ajo shkaktoi janë të pamatshme me fjalë, janë të papërshkrueshme në ndjesitë që të shkaktojnë, ndaj lutjes për shpirtin e viktimave, i shtojmq edhe lutjet për të qenë më humanë në atë që bëjmë, në atë që po ‘’mbjellim’’ për publikun, në atë që ofrojmë në misionin tonë. Lutem të evitojmë trishtime të panevojshme.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article FRANZ-STEFAN GADY/ A ka humbur ushtria amerikane ‘artin e fitores’?
Previous article FRROK ÇUPI/ Ilir Meta ka në dorë fatet e Ballkanit, ai mund të vendosë nëse do të ketë luftë apo paqe

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k