Moikom Zeqo, të kujtohet profesor?
Ka qene shkurti i vitit 2007 kur u takuam rastësisht para Friend’s Book House.
– Vajza ime si je? Me punë, shëndet?
Të tregova se punoja në një projekt të UNICEF-it në burgun 313.
– Aaa gjë e bukur kjo!!! Kam një ide. Hajde pimë një kafe.
U ulëm dhe mbaj mend fjalët e tua:
“Duaji ata fëmijë, ata njerëz duaji! Mos i gjyko! Jam i lumtur që je aty. Ti di të duash. Po jo të qëndrosh për shumë kohë tek ajo punë ama, se do të shkatërrohesh. Prej aty mëson të duash edhe më tepër!”.
Sikur mora krahë. Ishe i pari që me dhe një lloj inkurajimi pas fjalëve të sime mëje: “Po nuk dite t’i duash ata adoleshente, lerë fare atë punë. Mos iu bëj barrë atyre që jo çdokush arrin t’i dojë”.
Më pas më tregove se kishe shumë libra që doje t’ja dhuroje ndonjë institucioni.
– Po sikur t’ja dhurojmë bibliotekës së burgut 313?, më pyete. Arnisën s’e kam këtu, po dua të marr me vete dy të tjerët. U them përherë se duhet ta njohin jetën në gjithë dimensionet dhe se për pak vetë ajo është e lehtë.
Hodhe gjithashtu dhe idenë e organizimit të një konkursi me poezi e prozë tek sektori i grave…
U tha u bë. Stafi administrativ mori masat që gjithçka të shkonte mirë dhe ashtu shkoi. Mbaj mend vajzën dhe djalin tuaj sa shumë dashuri kanë shpërndarë dhe sa shumë pështypje lanë atë ditë… Epidamni paksa më i fortë, ndërsa jot bijë pasi u takua me gjithë gratë, i pati tërë kohën sytë të përlotur.
Gratë e burgosura patën një ditë ndryshe, në çehre ishin aq të lumtura, recituan pa iu ardhur turp e më kujtohet që u kënaqën aq shumë kur iu drejtove me fjalët:
– Tani të dashura artiste juria ka vendosur…
Sa shumë u komentua ajo ngjarje më pas. Dje në Vlorë takova njërën prej tyre. Shtanga kur më pyeti për ty.
– S’e kam harruar kurrë atë ditë kur erdhi Moikomi, tha. Atë ditë nuk jam ndjerë e burgosur…
Ta solla sot këtë ngjarje, si për të të thënë se njerëz si ty që e dhurojnë dashurinë pa kushte, ia dalin çdo lloj sfide.
Mirë u takofshim tek Friend’s Book House së shpejti!
Leave a Reply