Jam i bindur për rëndësinë parësore dhe peshën e veçantë të marrëdhënieve greko-shqiptare. Nga ana tjetër, jam i vetëdijshëm se ky qëndrim nuk është gjithmonë i pëlqyeshëm në Greqi.
Kryesisht dua të shtjelloj tre çështje:
1.Në rëndësinë që kanë për Greqinë marrëdhëniet me Shqipërinë fqinje, si edhe me gjithë faktorin shqiptar në Ballkan. Këtu përfshij shqiptarët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, dhe shqiptarët e Republikës së Kosovës. Uroj që zgjidhja e problemeve me Shqipërinë të shërbejë si piknisje për një qëndrim të ri të politikës sonë ndaj Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, duhet të theksohet pesha e veçantë dhe rëndësia e pazëvëndësueshme që ka Greqia për Shqipërinë dhe faktorin shqiptar në Ballkan. Edhe pse nga pala tjetër, kjo nuk theksohet hapur.
2.Duhet të theksohet përgjegjësia e disa politikanëve shqiptarë në përkeqsimin e marrëdhënieve tona vitet e fundit. Veçanërisht, pas ndërhyrjeve politike në korrik të vitit 2009 që çoi në anullimin nga drejtësia shqiptare të Marrëveshjes Detare dhe ZEE (Zona Ekskluzive Ekonomike). Shkaqet e vërteta të anullimit të Marrëveshjes janë thënë në Kuvendin e Shqipërisë. Eshtë e dukshme ndërhyrja negative e Turqisë në marrëdhëniet greko-shqiptare. Por, kusurin e paguan vetëm Shqipëria. Drejtuesit politik të Tiranës duhet të zgjedhin; nëse dëshirojnë që Greqia të sillet me Shqipërinë fqinje me vlerësimin e duhur, apo përkundrazi me mospërfillje si ndaj një dore të zgjatur të një Turqie të paparashikueshme dhe islamike, e cila gjithmonë e më tepër po largohet nga Bashkimi Europian. Dhe kjo është në kah të kundërt me synimet e Shqipërisë.
Por edhe Greqia ka përgjegjësi për marrëdhëniet në nivelin e dëshiruar me Shqipërinë. Ne zvarritëm për shumë kohë disa çështje, të cilat rëndojnë atmosferën e marrëdhënieve tona. Dhe këtu përfituan pala të treta për interest e tyre. Unë e kam theksuar disa herë, që për shkak të mungesës së qartësisë veçanërisht në fuqinë juridike të heqjes së të ashtuquajturit “Ligj i Luftës”, ne lemë shteg për keqkuptim nga pala shqiptare. Gjithashtu i pakuptimtë është mohimi ynë, që këtu e 20 vite të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë të vitit 1996, të mos nënshkruajnë të dy palët për mirmbajtjen e piramidave në kufirin tonë të përbashkët. Kështu rriten hijet e dyshimit mbi marrëdhëniet tona.
3.Duhet të kemi parasysh që Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri është i vetmi minoritet kompakt grek jashtë kufijve të Greqisë. Disa më pyesin – a është e mundur që marrëdhëniet tona me Shqipërinë të varen nga gjendja e Minoritetit ? Përgjigja ime është – po. Nuk janë të rastësishme përpjekjet e Tiranës në kufizimin e Minoritetit Etnik Grek në Himarë. Deri sot zbatohen ligjet e kohës së Enver Hoxhës në përcaktimin e zonave të Minoritetit Grek. Nga ana tjetër, do ta konsideroja të pakuptimtë qëndrimin e disave në Athinën zyrtare, të cilët e shikojnë me mospërfillje Partinë e Bashkimit të Drejtave Njerëzore. E kanë gabim.
U mbushën 30 vjet nga heqja e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Vendimi i Këshillit të Ministrave të 1987 nuk ka fuqinë e një ligji. Ndikimi kryesor i tij, dhe kjo nuk është e paqëllimshme, ishte që të mbesin akomë në fuqi disa ligje që lidhen me dhënien e “pasurive të ngrira” pronarëve të ligjshëm të tyre. Këto pasuri nuk përfshin pasuritë e çamërve, edhe pse këto të fundit qëllimisht trajtohen sipas interesave të çdo pale, përmenden në Shqipëri dhe nuk përmenden fare në Greqi.
Në maj të vitit 1996, u nënshkrua Marrëveshja e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë. Tashmë jemi në fazën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Rinovuar, në të cilën duhet të zhduken hijet e dyshimit dhe boshllëqet ligjore në mënyrë që të kemi një hartë themelore të marrëdhënieve të dy vendeve. Por të presim rezultatet reale të optimizmit që emetohet nga bisedimet e dy palëve. Kryesisht për shkaqe që lidhen me mungesën e plotë të informimit dhe klimës së ashpër politike në Greqi. Eshtë e vështirë të besosh se arritja e mirkuptimit të dëshiruar kombëtar do të ishte i arritshëm në kushtet e sotme politike.
Por, pavarsisht kundërshtive që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë, si në Greqi, ashtu edhe në Shqipëri, ne duhet të shikojmë përpara. E shkuara dhe e prapambetura në Ballkan, shpesh shoqërohet me thirrje dhe parrulla për pretendime tokësore. Dhe kjo theksohet aq më shumë, kur vendosim ti japim përparsi së ardhmes, ashtu si ndodh në marrëdhëniet tona të ndërlikuara dhe të rënduara me Shqipërinë.
Eshtë planifikuar një vizitë zyrtare e kryeministrit tonë në Tiranë. Kjo vizitë, në kushtet e një klime normale politike, do të përbënte përfundimin e një faze të vështirë të filluar para dy vjetësh. A ekziston kjo klimë ? Për më tepër, kjo vizitë duhet të sinkronizohet me plotësimin e tre stadeve që kërkohen nga Shqipëria; nënshkrim, miratim, zbatim. Nuk duhet të habitemi, nëse Marrëveshja e Re e Detit për ZEE të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Zbatimi i plotë dhe pa humbur kohë i marrëveshjeve që do nënshkruajmë me Shqipërinë, ndoshta do duhej të përfshihej në paketën e plotësimit të kushteve të integrimit të saj në BE. Eksperienca e afërt tregon se “do ut des” provohet në zbatimin dhe jo në nënshkrimin e një marrëveshjeje.
* Aleksandros Mallias, ambasador Nderi i Republikës greke. Ish – ambasador i Greqisë në Shqipëri (1999-2000), në Uashington (2005-2009), në Shkup( 1995-1999), drejtor i çështjeve Ballkanike në Min. e Jashtme Greke (200-2005)
– Shkrimi është botuar në gazetën greke “Estia”, 5 mars 2018. Perkthyer me porosi te tij per gazeten TemA nga Luan Zykaj
Leave a Reply