Letërsia shqipe që bëhet në Kosovë gjithnjë i ka ngjasuar asaj pjese të rrëfimit ku bie mjegulla. Përtej kontekstit historik ku dy hapësirat kulturore shqipe u zhvilluan, socrealizmi në Shqipëri dhe të qenurit nën ombrellën e ish-Jugosllavisë në Kosovë, duket se pas rënies së “perdes së hekurt” në të dyja këto hapësira, ende nuk është gjetur një komunikim i përhershëm, unifikues aq shumë i ëndërruar në të dyja anët e kufirit.
Nëse pyetjeve se sa kanë arritur këto dy kultura të gjenerojnë ide apo forma të reja estetike në art, apo sa kanë arritur ato të japin përmes rreshtave qoftë edhe dhembjen e tyre, ende nuk u gjejmë përgjigje, pyetja tjetër që natyrshëm do të pasohej, ishte se sa e njohin këto dy kultura njëra tjetrën? Por, a mund të shihen si dy kultura të ndara nga njëra tjetra, teksa përshkohen nga e njëjta gjuhë.
Në Shqipëri ka pasur gjithnjë një njohje të kufizuar për sa u përket shkrimtarëve apo artistëve të Kosovës. Duket sikur njohja më e mirë e kësaj letërsie ka ndodhur gjatë komunizmit, ku pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve u ngrit dhe një redaksi që merrej me botimet e autorëve nga Kosova. Kjo ndodhi pas viteve ‘70, pasi deri ato vite nuk kishte njohje për sa u përket letrave në Kosovë, dhe kjo në mënyrë në seleksionuar. E pse në atë kohë, kjo letërsi orvatej më shumë drejt hermetizmit, botimi i autorëve, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Adem Istrefi, Agim Gjakova, Sulejman Krasniqi, Rexhep Qosja etj., e bën më të plotë jo vetëm njohjen me Kosovën, por dhe me letërsinë shqipe. Kjo periudhë dhe pse nën censurë është e vetmja njohje e plotë me letërsinë dhe mendimin shqip në Kosovë. Pas viteve ‘90, botimi i disa autorëve të Kosovës në Tiranë nuk mundi të kishte nivelin e impaktit që kishte te lexuesi në vitet e mëparshme. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me autorët nga Shqipëria të botuar nga botuesit në Kosovë, duke ndjerë një lloj refuzimi të heshtur për të njohur njëri-tjetrin. Një mbrëmje letrare e organizuar nga Mapo Edition në Prishtinë disa ditë më parë, për të prezantuar romanin “Pëshpërimë gruaje” me autore Klara Budën, numri i vogël i lexuesve të pranishëm në atë kafe letrare të linte të kuptoje se ky lloj refuzimi nuk ka të bëjë vetëm për autorët që shkruajnë shqip, por është ndoshta më i thellë, ndaj kulturës e librave në përgjithësi. Në Kosovën e përfshirë nga tensionet e njëpasnjëshme politike, libri duket si shqetësimi i fundit jo vetëm i politikës, por edhe vetë njerëzve. Humbja e besimit se përmes librave mund të ndryshojë diçka është ndoshta idioma më trishtuese që ndodh sot mes shqiptarëve. Në një kohë kur vetë biznesi i librit është prej vitesh në një krizë në të gjithë botën, në Kosovë e Shqipëri qeveritë tona përmes politikave kulturore duhet ta bëjmë inekzistente këtë krizë, jo vetëm duke mbështetur botuesit, por dhe duke iniciuar nisma që do ta afronin lexuesin me librin sidomos në Kosovë. Takimet e hapura për libra ndodhnin rrallë në Prishtinë, dhe pse dy-tre librari të vogla i ishin bashkuar qytetit në këto prag festash. Kalendari i përbashkët kulturor i hartuar nga dy Ministritë e Kulturës gati katër vite më parë, më shumë se për festivale apo ekspozita të arteve pamore, duhet të jetë më shumë i përqendruar te libri. Ky i fundit duhet të kthehet në moton kryesore të Ministrisë së Kulturës në Kosovë, për të nisur një fushatë të thellë sensibilizuese që jo vetëm do të shtonte lexuesit, por do të përmirësonte shtetin e së nesërmes. Rasti i Kosovës është ndoshta më emergjenti ku në kushtet e mungesës së një politike të hershme mbi kulturën nacionale, kemi sot një brez pothuajse indiferent ndaj leximeve, apo të keqorientuar. Ndryshe nga Shqipëria ku komunizmi e përdori librin si mjet propagandimi ideologjik, shqiptarët e Kosovës nuk kanë mundur të shmangen ende nga një propagandë më e rrezikshme se ideologjia komuniste, e nisur që në kohët e ish-Jugosllavisë, duke orientuar drejt autorëve dhe librave që e përjashtojnë estetikën. Kjo shihet edhe në Seminarin për Gjuhën dhe Letërsinë që mbahet çdo vit në Prishtinë, ku stigmatizohen shkrimtarë që në jetën letrare të Tiranës janë trajtuar gjithnjë si një letërsi nën mesatare. Glorifikimi me kast i autorëve mesatarë, pikërisht në institucionin që duhet të ishte pararojë për sa u përket shijeve estetike, tregon për një politikë të qëllimshme që ka nisur herët ndër shqiptarët në anën tjetër të kufirit.
Marrëdhënia e shqiptarëve në Kosovë me librin, është kartolina më e trishtë e këtij fundviti, që duhet të vërë në punë ata që hartojnë strategjitë kulturore për vitin që po troket.
Leave a Reply