• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 10th, 2026
  • HOME
ALDA BARDHYLI/ Demokratura shqiptare në vështrimin e një të mërguari
Home
Blog

ALDA BARDHYLI/ Demokratura shqiptare në vështrimin e një të mërguari

April 27th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Në historinë e mendimit shqip pas viteve ‘90, Eugjen Merlika është një nga vëzhguesit e hollë të ndryshimeve politike, jetës social-kulturore dhe ekonomike të një Shqipërie gjithnjë në ndryshim. Pinjoll i një familjeje, historia e së cilës është e shkuara jonë, Merlika ka ditur ta shndërrojë përvojën e kujtesës në një mjet në shërbim të së tashmes. Saga e tij familjare nën diktaturë, të cilën ai e ka rrëfyer në disa botime, është një nga dëshmitë më të forta mbi komunizmin shqiptar. Vitet e kaluara në kampin e Tepelenës, kur ishte ende një fëmijë, nuk mundën të fashisnin tek ai atë shkëlqimin e fortë të gjenit në sy, shkëlqim që u ngjan aq shumë syve të zinj e të vegjël të së ëmës, Elenës, vajza e bukur e Sotir Gjikës, drejtor i gazetës “Kuvendi” që botohej në Romë.

Takimi me Petrit Merlikën, djalin e Mustafa Merlikës, do të ndryshonte përgjithmonë jetën e saj. Pas studimeve me rezultate të shkëlqyera në Akademinë e Napolit, ajo udhëton drejt Tiranës, e bindur se dashuria ishte rruga e saj. Teksa më 1949-n, pas arrestimit të së shoqit e të kunatit, kamioni linte pas fusha e lumenj për të mbërritur në Tepelenë, ajo mbante fort nën krahë djaloshin e vogël, humbur në kujtimet e një kohe që nuk do ta jetonte më kurrë.

Elena do të printe më vonë karvanin e grave e vajzave të internuara, duke mbajtur mbi shpinë dru e pleh, e kokën lart dhe duke ruajtur dinjitetin e familjes që përfaqësonte. Pas rënies së komunizmit, Eugjeni u zhvendos për të jetuar bashkë me familjen në Itali, duke zgjedhur kështu vendin e lindjes së saj për të ndërtuar jetën e re. Ndoshta jeta e Elenës, është libri më i bukur që ai do të shkruajë një ditë. Nga Sesto Calende e provincës së Vareses ku jeton prej vitesh, ai ndërton çdo ditë përmes shkrimeve në tryezën e tij të punës, skaletën e një Shqipërie që “vazhdon ta lëndojë”, përmes informacioneve që lexon në çdo kohë në shtypin shqiptar.

“Demokratura shqiptare” është kjo Shqipëri, e ndërtuar ditë pas dite, në mendjen e një njeriu që nuk mund të ketë ndarje shpirtërore me të. Libri është një përmbledhje e shkrimeve të botuara përgjatë trembëdhjetë viteve 2004-2017, të cilat sjellin një këndvështrim ndryshe të realitetit politik shqiptar. Të gjitha shkrimet përshkruhen nga shpresa e hershme e tij, që pas një diktature gati gjysmëshekullore, forcimi i demokracisë është një detyrë historike për protagonistët e politikës shqiptare. Merlika nuk është vetëm një vëzhgues, por dhe një këshillues i politikës, orientues duke parashtruar forma sesi mund të tejkalohet kriza.

Pavarësisht një zhgënjimi që nuk e fsheh në pjesën më të madhe të shkrimeve, ai vazhdon të besojë se demokracia e ëndërruar do të vijë vetëm atëherë kur të mos ekzistojë demokratura. Një formë e vendeve me stabilitet të brishtë, Shqipëria përtej Adriatikut projektohet e tëra një demokraturë e trishtë në tryezën e punës së Eugjenit e ai s’mund të gjejë term tjetër për të përkufizuar shqetësimin e tij të brendshëm.

A nuk është tipar i demokraturës qenësia e një klase politike, në të cilën janë të pranishëm elementë të krimit në të gjitha format e veta e që, në eksponentët e saj kryesorë, e kanë kthyer politikën në profesion, në vend që të ishte një mision në shërbim të çështjes së madhe të Atdheut? Kjo është një nga pyetjet që ai shtron në këto shkrime, si shumë të tjera që do t’i gjeni natyrshëm gjatë leximit, teksa do të formësoni modelin e një intelektuali që e lexon Shqipërinë në dy kohë, në komunizëm dhe demokraturë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTAN FUGA/ Shqipëria në BE? Ne jemi akoma në epokën e qepës, nuk na do njeri në Europë
Previous article Cilat janë rezervat ndaj Ramës në Berlin?

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k