Kanë kaluar saktësisht 15 vjet nga zgjerimi i madh i BE-së, kur më 1 maj 2004, 10 shtete përnjëherë u bënë anëtare. BE-ja vazhdon ta quajë këtë zhvillim si më të rëndësishmin në histori, sepse u bashkuan Lindja e Perëndimi, u rrëzuan muret dhe perdet që ndanin Evropën, u zhduken dallimet ideologjike mes monizmit komunist dhe demokracisë liberale. Por 15 vjet më vonë, me gjithë suksesin, BE-ja nuk e sheh zgjerimin e mëtejmë si një temë të dëshirueshme. Pavarësisht suksesit, disa shtete që atëherë hynë në BE kanë shënuar edhe ecje prapa, sidomos në sundimin e ligjit dhe në respektimin e vlerave demokratike. Sikur sot të ishin kandidate disa nga to nuk do të kualifikoheshin për t’u bërë anëtare.
Nga Agustin Palokaj
Ishte një ditë e bukur 1 maji e vitit 2004. Në parkun e madh “Cinquantenaire” të Brukselit, shumë afër sheshit “Schumann”, ku janë ndërtesat e institucioneve kryesore të BE-së, ishte shpalosur një flamur i madh i BE-së, ishin lëshuar balona në ajër, ndërsa festa në park ishte pasuruar me ushqime nga 10 vendet që atë ditë u bënë anëtare të BE-së. Kryetari i atëhershëm i Komisionit Evropian, Romano Prodi, me këmbë kishte kaluar në mesnatë kufirin mes Italisë dhe Sllovenisë, në qytetin e ndarë të Gorices. Festohej edhe në kufirin mes Polonisë e Gjermanisë, Austrisë e Hungarisë. Ishte ndoshta festa më e madhe që kishte parë BE-ja. Dhe si të mos ishte. Ishte realizim i idealit për bashkim të Evropës dhe zhdukje të ndarjeve. Ishte koha e “Evropës së shpresës”, siç e quante Romano Prodi, i cili porosiste që atëherë se me këtë nuk po përfundonte procesi, sepse duhej të pasohej me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e ndoshta edhe me vende të tjera të kontinentit të Evropës, të cilat do të duan të bëhen anëtare të BE-së dhe do të pranojnë t’i përmbushin kriteret e nevojshme. Dhe nuk ishte lehtë.
Pak për shkak të suksesit të vërtetë të vendeve kandidate për të kryer reformat, pak për shkak se BE-ja mbylli sytë ndaj disa mangësive, për shkaqe politike ky proces u përmbyll me zgjerimin më të madh në historinë e BE-së. Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Letonia, Estonia, Qipro dhe Malta hynë në BE. Si pjesë e së njëjtës valë të zgjerimit ishin Bullgaria dhe Rumania, të cilat nuk ia arritën me këtë datë, por morën premtimin se do të hynin pas dy vjetësh e gjysmë, dhe kjo u realizua më 1 janar të vitit 2007. Kështu BE-ja u rrit nga 15 në 27 shtete, u bë me 500 milionë banorë. Me gjithë frikën gjërat shkuan mirë, vendet e reja anëtare filluan të përfitonin nga BE-ja dhe me ritëm të shpejtë vazhduan rritjen ekonomike. Në to u zvogëlua papunësia dhe në të njëjtën kohë ky zgjerim pati impakt pozitiv edhe në shtetet e vjetra anëtare. Pra u dëshmua se zgjerimi ishte sukses jo vetëm në aspektin politik dhe ideologjik, por edhe në atë ekonomik dhe social.
Sot për zgjerimin në BE flitet më shumë në aspektin e frikës sesa të shpresës. BE-ja është gjetur në një situatë në të cilën qytetarëve të vendeve që aspirojnë anëtarësimin dëshiron t’ua mbajë gjallë shpresën se një ditë do të hyjnë në BE. Por në të njëjtën kohë qytetarëve të shteteve perëndimore të BE-së t’u japë siguri se zgjerimi nuk do të ndodhë shpejt dhe se asnjë shtet nuk do të hyjë nëse nuk do të jetë krejtësisht gati. Në vendet me ndikim, si Franca, Gjermania, Finlanda, Austria dhe të tjera mbi 60 për qind e qytetarëve janë kundër pranimit të shteteve të reja anëtare, ndërsa vetëm rreth 30 për qind janë në favor.
Se sa i ngadalshëm është bërë procesi i zgjerimit shohim nga shembulli i Maqedonisë, e cila mori statusin e kandidatit në vitin 2005, por ende nuk i ka nisur negociatat e anëtarësimit. Këtë e pengoi Greqia. Shqipëria ka kërkuar anëtarësim në BE në vitin 2009, por ende nuk ka datë për të nisur negociatat. Mali i Zi negocion tash e shtatë vjet, por ka hapur 32 kapituj e ka mbyllur vetëm 3 nga ta. Disa shtete që u bënë anëtare në vitin 2004, praktikisht i kanë mbyllur negociatat për rreth 2 vjetësh apo më së shumti katër vjetësh.
Kroacia ishte shteti i vetëm që ia arriti qëllimit, duke u anëtarësuar në BE më 1 korrik të vitit 2013. Por procesi i Kroacisë ishte shumë më i gjatë sesa i atyre vendeve që në BE hynë para saj. E pas Kroacisë ky proces shkon edhe shumë më ngadalë.
Në BE ekziston thënia se “BE-ja nuk bën gabime, por nxjerr mësime”, dhe duket se nga procesi i zgjerimit ka nxjerrë kryesisht mësimet e këqija. Pikërisht për shkak të përvojës jo të mirë me shtetet, si Rumania e Bullgaria, e tash edhe Polonia e Hungaria, BE-ja është shumë e kujdesshme për çështjen e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rumaninë dhe Bullgarinë i pranoi në anëtarësi me kushtin që të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çfarë edhe u vendosën masat e përkohshme të monitorimit përmes mekanizmave të verifikimit dhe bashkëpunimit në fushën e rendit dhe të ligjit. Por edhe 12 vjet pas anëtarësimit, këto vende nuk kanë arritur t’i përmbushin kushtet që ato masa të hiqen. Hungaria dhe Polonia tash janë në shënjestër të akuzave të Komisionit Evropian për shkeljen e parimeve të pavarësisë së gjyqësorit dhe gjendjes së sundimit të ligjit. Kroacia, pavarësisht disa sukseseve në luftë kundër korrupsionit, është në vendin e fundit në BE për nga perceptimi i qytetarëve për pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha këto gjëra bëjnë që BE-ja të jetë edhe më e kujdesshme tash rreth zgjerimit. Dhe për vendet që presin në radhë për t’u bërë anëtare të BE-së, e nuk e dinë se kur mund ta arrijnë këtë qëllim, e gjithë kjo është dëshmi se sa më shumë që dikush vonohet në një proces, aq më i vështirë dhe i gjatë bëhet ai.
duhet të insistojë në vazhdimin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor edhe nëse gjërat ndryshojnë me Turqinë. Sepse procesi i zgjerimit vërtet ka qenë projekt i paqes në Evropë, dhe zgjerimi i kësaj paqeje edhe në vendet e Ballkanit do t’i kontribuonte tërë Evropës. Sa i përket Turqisë, e cila kishte nisur negociatat e anëtarësimit në të njëjtën ditë me Kroacinë në vjeshtën e vitit 2005, mund të kuptohet nëse ajo kritikohet kur nuk i respekton vlerat evropiane. Por të kundërshtohet anëtarësimi i Turqisë në BE në të ardhmen për shkak të elementeve fetare është një gabim i madh që nuk shkon bashkë me ato që janë njohur deri tash si vlera evropiane.
Leave a Reply