• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
AGRON GJEKMARKAJ/ “Kush janë terroristët e fshehur mes nesh, kastraveci sa një ministër dhe kungulli sa një deputet…”
Home
Blog

AGRON GJEKMARKAJ/ “Kush janë terroristët e fshehur mes nesh, kastraveci sa një ministër dhe kungulli sa një deputet…”

November 13th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Nuk e kemi fjalën kësaj here për terroristët e dinamitit në brez, të cilët ia kallin vetes e të tjerëve në emër të një kauze apo besimi!… Jo, jo, ata megjithëse tejet të dënueshëm, me tru të shpërlarë, me shpirtin sterrë nga urrejtja, të përbuzur nga civilizimi, gjithsesi nuk sakrifikojnë veten dhe të tjerët për çështje fitimi! Në Shqipëri prej vitesh fshihen shumë terroristë të një race tjetër.

Ata janë qytetarë e fshatarë vendalinj, aspak të ardhur nga zgëqet e qoftëlargut. Disa syresh vishen mirë, udhëtojnë me makina të shtrenjta, bëjnë pushime luksoze dhe nuk përbëjnë asnjë rrezik në kufij kombëtarë e as në ata të Shengenit. Pjesa tjetër janë më të thjeshtë, me petka pa shumë kombinime, mbase edhe me arna, me fytyrë të rreshkur nga dielli në fushë, të cilët të bëjnë be për Krisht e Pejkamber e jo pak herë edhe për kokën e fëmijëve, me një lehtësi tronditëse. Bij të hilesë, armiq të rregullit, vrasës të tërthortë, mund të thirren me përkëdheli. Si përbuztarë të etikës sociale dhe kodeve morale zgurdullojnë sytë, teksa ai xhan në formë grope u gufon përballë një çmimi të mirë. Këta terroristë janë një pjesë e atyre që na ushqejnë me bukë, qumësht, djathë, kos, mish, vaj, pije të ndryshme e produkte ushqimore që prodhohen në vend.

Po tek i njëjti soj bëjnë pjesë mjaft prej atyre që na furnizojnë me domate, speca, patëllxhanë, kastravecë, zarzavate e fruta! Këta e duan shumë jetën e tyre, por jo tonën, së cilës ia ngjeshin sa munden. Ata nuk të hedhin bomba në shesh apo stadium, por helm në ushqim. Këta nuk mbjellin terror, por kancer dhe sëmundje të tjera tragjike e të pashërueshme. Ne nuk e dimë çfarë standardesh plotëson e nga vjen mielli me të cilin bëhet buka e përditshme, të cilën shumëkush e fiton me mundim të madh! Mishi, për të cilin thuhet se vjen nga Brazili, i fryrë me shiringa, që të duket kuqalash e i butë, i kalon doganat dhe merr vula sigurie pa shumë mëdyshje. Qumështi a kosi në plot raste, jo gjithmonë, nuk kanë askund arome dhie, lope a deleje se bëhen me pluhur! Vaji po kaq, vetëm në xham ka një stampë me ullinj kombëtarë, por në verë doli që ishte i bërë me vaj makinash a një tip tjetër me emër më të komplikuar!

Habitet njeriu i gjorë kur e sheh kastravecin të gjatë sa një ministër, kungullin sa një deputet dhe gëzohet me veten për tokën pjellore që i rrit?! Ç’pleh cilësor e bio kemi! Emocionohet njeriu i ngratë përballë domates palloshe, të lyer me buzëkuq ministrushesh, gati për ta gudulisur. Me pjeprin rrumbullak e kacek ndër duar bëhesh gati të kuvendosh si me një drejtor të përgjithshëm! Patëllxhani i shkurtër si xhuxhi e buçko si ai qerrata, të shtie në mendime për bymimin e shkurtësisë e babaxhanllëkun e saj! Ndërsa shalqiri me tabiate kryebashkiaku rrotullohet rëndërëndë!

Speci me majuc për mashallah duket sikur llafoset si një zëdhënës partie! Duhet të mbledhësh gjithë farefisin për të mbaruar një kastravec! Një speci i merr të keqen për një ditë! Në të ka punë për sot e për nesër. Kungulli të lë shijen e një fjalimi në parlament, kur e përtyp!

Të mëdhenj qamet janë të uruarit. Duket se edhe ata si shumë nga femrat e bashkëkohësisë bëhen me operacion plastik dhe mbushen me botoks. Në gojë kanë një shije kauçuku a fijesh sintetike. Fshatari ndanë xhadesë, me një dhëmb të vetëm në gojë si rrasë varri, kur t’i shet, të qet’ sihret e të thotë sa të mira janë e pa kimikate, ndaj mos vono t’i blesh! Kur ti ndez makinën e ikën tutje, ai fërkon duart e mermerit …”Hë të bëfshin mirë, more teveqel!”

Po kështu, për mishin e viçit a të derrkucit, që mund t’i ketë rrasur gjilpërë në qafë për t’ia ndezur hormonet tumorale, të jep siguri që gjë më të mirë nuk ke për të shijuar! Praktikisht jemi vendi më i rrezikuar në Europë sa i takon (pa)sigurisë ushqimore! Jemi në dorë të Zotit, i cili sado i mëshirshëm të jetë, s’dihet deri kur do të na mbrojë nga ligësia, poshtërsia dhe makutëria njerëzore! Kjo gjendje e degraduar dhe e shqetësuese te ne është pasojë e mirëfilltë e korrupsionit disavjeçar, lokal e qendror! Kush mbyll sytë e merr ndonjë shuk para për të lejuar këtë terrorizëm mbi shoqërinë, njëfarësoj ia bën edhe vetes! Edhe ai ose ajo nuk i shpëton kastravecit me hormone e pesticide! Diku do ta hajë rastësisht e pa dashje! Terroristët i kemi në mesin tonë dhe me blerjet e përditshme i nxisim të na vrasin e të na përqeshin. Gjilpëra në qafën e viçit në fakt është në qafën tonë! Hormonet e saj veprojnë njësoj mbi qeverinë dhe mbi opozitën!

Këtë gjendje e kanë toleruar gjithmonë qeveritë dhe harruar opozitat, paçka se speci i kërcënon njësoj. Lufta kundër këtyre terroristëve mund t’i sugjerohet opozitës aktuale si temë po kaq e rëndësishme sa ajo e banditëve që blejnë vota! Këta janë Bin Laden-ët tanë me fytyrë të përvuajtur e buzëqeshje të shtirë, të cilët nuk shqepen së lexuari, por na shqepin ne pas leximeve me veremin e helmeve që rrasim në mide çdo ditë! Petullat e propagandës qeveria duhet të shohë mirë me çfarë vaji i skuq se s’ka check-up t’i bëjë derman miletit! Poshtë terroristët, rroftë ushqimi bio!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article FLOGERT MUÇA/ Gracka ku Presidenti Meta ka futur veten
Previous article ANALIZA/ Ndikimi i madh i op-ed

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k