Nga Afrim Krasniqi/
20 vjet më parë Shqipëria zhvilloi një referendum: u votua drafti i Kushtetutës në RSH.
Referendumi i vitit 1994 mbi një draft tjetër kushtetues nuk mori votat mbështetëse të shumicës.
Në nëntor 1998 drafti mori shumicën absolute të votave të atyre që morën pjesë në zgjedhje.
Opozita e asaj periudhë e bojkotoi votimin, mazhoranca kishte të gjithë hapësirën për ta administruar procesin (në 5 qendra votimi rezultati pro draftit ishte mbi 120% !!), komuniteti ndërkombëtar në unison mbështeti votën pro dhe në përfundim Shqipëria u bë me Kushtetutë legjitime.
Gjatë 20 viteve e kemi ndryshuar disa herë (më shumë se 44 nene nga 124 nene rregullatore në sistemin politik e qeverisës, si dhe kemi futur një aneks tranzicioni me 10 nene që lidhet me reformën në drejtësi). Ku jemi sot? Pas 20 vitesh Kushtetuta është bërë dokument referimi për ligjërimin politik dhe publik, është burim i legjislacionit dhe është dokumenti që parandalon kontrollin politik të pushteteve.
Sa e njohim realisht Kushtetutën? Sa e respektojmë atë? Ka një paradoks të madh: ata që e njohin më mirë (politikanët dhe qeveritë) janë edhe shkelësit kryesorë të Kushtetutës.
Mbi 30 vendime të Gjykatës Kushtetuese në vite janë dëshmi për këtë. Po qytetarët? Po shoqëria? Janë pjesa më pak e informuar, por edhe pjesa më e prekur nga mosrespektimi i saj. Më 2008 me rastin e 10 vjetorit një takim duarsh midis dy politikanëve kryesorë rivalë solli ndryshimin e Kushtetutës në elementë thelbësorë të sistemit politik, përfshirë sistemi zgjedhor dhe mekanizmin e kontrollit të parlamentit mbi ekzekutivin.
Ndryshimi krijoi super-kryetarë dhe super-parti, një parlament më formal dhe kryeministër më të pushtetshëm. Pasojat e asaj ndërhyrjeje po i paguajmë edhe sot.
Për 20 vjetor nuk ka (ende) shtrëngim duarsh dhe as shampanjë mes liderësh, as konferencë dhe as botime, as analiza dhe as debate profesionistësh.
Kushtetuta duket si jetime, – nuk kemi gjykatë kushtetuese efektive, palët e lexojnë por nuk e respektojnë, sistemi qeverisës nuk ka rezultuar funksional dhe kultura kushtetuese është në nivele ende minimale.
Dhe kur nuk sundon Kushtetuta & ligji, siç kemi rast ta shohim periodikisht pavarësisht emrit të burrit që votojmë (nuk zgjedhim) për të na shërbyer e që përmes pushtetit pastaj e kthen votuesin në shërbëtore të tij, atëherë marrin dhe ushtrojnë mbi-pushtet të tjerët, – liderit partiakë, partitë dhe media e tyre, miqtë dhe klientët e tyre, militantët dhe shërbyesit e tyre. Një lajm ky i trishtë për 20 vjetorin e të vetmes Kushtetutë të kaluar me votë direkte.
Leave a Reply