SHQIPËRIA POLITIKE NË NJË JAVË (XIII)
E hënë, 23 prill. Një politikane shqiptare ka fituar garën për një post ndërkombëtar. Është posti më i lartë që një shqiptar ka fituar në dekadën e fundit. Emri i saj u mbështet nga qeveria shqiptare, por fitimi i postit nuk mund të jetë produkt politik i një qeverie. Vetë lajmi konfirmues përbën zhvillim pozitiv dhe meritonte vlerësim pozitiv nga secila palë politike, përfshirë partia politike ku Bregu ka qenë për vite zëdhënëse, deputete dhe ministre. Të mësuar të ndajmë gjithçka në të majtë e të djathtë, dhe për pasojë, të mos dallojmë vlerat nga inatet personale dhe axhendat politike, mënyra sesi u reagua ndaj Bregut ishte një shans i humbur cilësor. Vetë ajo nuk u tregua diplomatike, sa duhet dhe sa i kërkon posti i ri, në reagimin e saj, mazhoranca e përdori rastin për të provokuar opozitën dhe vetë opozita zgjodhi formën brutale të sjelljes me kritikët e shefave: injorimin e denigrimin. Po media? Në vend që të pyeste fituesen mbi vizionin e pritshmëritë e mandatit të saj të ri, u fokusua tek sherret e vogla të Tiranës politike. Mësimi? Imagjinoni nëse Ismail Kadare do kishte vendosur të jetonte gjithmonë këtu, imagjinoni nëse Inva Mula do ishte përjetësisht në borderotë e TOP, imagjinoni nëse Klejdi Kadiu të kërkonte punë që në fillim si balerin në Tiranë. Kështu edhe shumë emra të tjerë. Shumica e tyre do të ishin ose të papunë, ose të harruar ose të dënuar me mospërfillje. Shumica e emrave të suksesshëm në historinë tonë janë ata që zgjodhën karrierën në perëndim. Rastësi apo tipar i shoqërive provinciale? Unë besoj tek e dyta, megjithatë me siguri secili ka mendjen e tij në vendin ku njerëzit më shumë flasin mbi partitë e për partitë sesa mbi fëmijët e tyre dhe për fëmijët e tyre.
E marte, 24 prill. Java sjell dy lajme të reja: në vorbullën e financimit informal dhe problematik përmes kompanive të lobingut janë edhe dy partitë e tjera të mëdha. Në fillim ishte PD, tani shtohet edhe PS e LSI. Secila me kompani problematike, secila me kontrata abuzive dhe secila pa transparencë dhe sens përgjegjësie publike. Unë nuk besoj se partitë tona janë kliente ruse, siriane apo greke, siç janë tri kompanitë që ato kanë zgjedhur për lobing, por besoj se partitë tona janë bizneset më informale dhe më të korruptuara në vend. Një qytetari që shet misra të pjekura në rrugë i shkojnë në dytë dy kontrolle policore, nga bashkia dhe tatimet. Kurse partive, atyre që menaxhojnë miliarda nga lekët tona, nga pasuritë tona, nga borxhet tona, nga kreditë tona, – nuk kanë as kontroll, as të dhëna, as deklarim real dhe as mekanizëm verifikimi. Ato janë të paprekshme dhe konsensualisht abuzuese. Dallimi i vetëm është se cila fiton më shumë, cila qarkullon më shumë dhe cila ka klientelë më të madhe. Nëse Shqipëria do kishte shtet të së drejtës këtu nis shteti: kontroll partive me të njëjtin standard siç kontrollojmë qytetarin e thjeshtë, kioskën e lagjes, llogarinë e çdo polici apo faturën e ujit. Pa ndodhur kjo, gjithçka tjetër rreth premtimit për shtet, ligj, drejtësi, etj, është thjesht retorike demode dhe pa fryt.
E mërkurë, 25 prill. Kryeministri është në Berlin. I paftuar por i detyruar të lobojë. Një javë më parë ishte aty kryeministri i opozitës. Lajmi kryesor në Berlin nuk ishte bilanci i punës dhe problemet, por testimi i seriozitetit dhe besueshmërisë së liderëve tanë politikë. Sulmi brutal ndaj disa politikanëve gjermanë në portalet pro-qeveritare këtu ishte një prej investimeve më produktive kundër Shqipërisë. Absurde, të papranueshme, fyese. Pjesa tjetër e axhendës dihet: përse duhet pritur që zyrtarët e lartë të përballen me ligjin? Përse parlamenti duhet përdorur për të injoruar kërkesat e prokurorisë kundër politikanëve të korruptuar? Përse 6 muaj komisioni i reformës zgjedhore nuk ka bërë absolutisht asgjë. Përse janë 40 emërime klienteliste dhe jo publike në poste të larta administrative, pa konkurs dhe pa asnjë sistem referimi merite? Përse vetingu po ecën kaq ngadalë? Përse ka kaq shumë potencial për krizë në parlament dhe në jetën publike? Përse raportet e muajve të fundit janë kritike për nivelin e korrupsionit dhe reagimi ndaj tyre është formal? Para Berlinit dhe pas Berlinit, ashtu si përpara Parisit do të duhet të ketë rezultat konkret në Tiranë, përgjigje konkrete në Tiranë. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë raporte dashurie dhe sensibilitet markash të atleteve sportive, por bazohen në besueshmëri, qëndrueshmëri, efektivitet dhe partneritet. Gjermania është “po, por..” por unë kam frikë se këta që kemi këtu në Tiranë, nuk janë pro, nuk duan pro dhe ndaj edhe nuk kanë asgjë shqetësim e nismë serioze për të arritur sukses në fund qershorin e 2018.
E enjte, 26 prill. Kam pasur fatin të jem në Berlin javën e fundit dhe për rrjedhojë, në dijeni të shumë prej elementëve të dosjes mbi Shqipërinë dhe për Shqipërinë. Si qytetar uroj e dëshiroj nisjen e bisedimeve për anëtarësim, si shans për qytetarët tanë pro evropianë dhe si paralajmërim për politikanët tanë orientalë. Por ta shikosh e lexosh Shqipërinë politike nga jashtë, – mjafton një ditë apo një ngjarje të bindesh se jeta politike këtu është dukshëm virtuale, ireale, e frustruar dhe jo profesionale. Kur dëgjon ish presidentë, kryeministra dhe ish kryeministra, ministra dhe ish ministra, deputetë dhe ish deputetë, gazetarë dhe komentatorë, etj, se çfarë thonë në publik, se me çfarë ushqejnë publikun, e kupton paaftësinë e tyre për të menduar shtetarisht dhe politikisht, pafuqinë për vizion e sens përgjegjësie, si dhe diferencën e thellë midis pakicës virtuale në Tiranë dhe shumicës viktimë të dezinformacionit në anët e tjera të vendit. Secila jep variantin e tij, secili beson në variantin e tij, secili mbron variantin e vet dhe secili krijon brenda vetes e më pas tenton ta imponojë një model Shqipërie që nuk ka lidhje me realitetin. Imagjinoj sesi perëndimorët reagojnë kur lexojë deklaratat tona partiake e politike, komentet tona në media e TV…thjesht u duken të pabesueshme dhe pasi binden për burimin, u duken produkte imagjinate. Nëse përpara 1-2 dekadash kishim kapacitete të kufizuara për marrje informacioni, tani ka volum më të madh informacioni sesa informim, por ka trend refuzues ndaj informacionit real dhe në vijim ka trend përpunues të informacionit në varësi nga bota virtuale që duam të krijojmë rreth nesh dhe për ne.
E premte 27 prill. Vetingu po jep rezultatet e para. Por procesi, po ndeshet edhe me sfidat e para. Është bllokuar KED, KLGJ e KLP, së fundi edhe Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës. Ka pasur kërcënime për grevë ose dorëheqje kolektive si shenjë presioni e bllokimi të sistemit. Kur pyet për përgjegjësinë ka një përgjigje standard: e majta thotë se pengesë janë mbështetësit e të djathtës në sistem, e djathta thotë se sistemi u bllokua nga kryeministri. Në fakt, secila ka pak të drejtë, por shumë më të drejtë kanë ata që pyesin dy palët, përse parlamenti nuk ka ngritur nën-komisionin për koordinimin e jetësimit të reformës në drejtësi? Është detyrim ligjor dhe afati ka qenë diku 16 muaj më parë. Së dyti, partitë do duhet të tregojnë vullnet real mbështetës për reforma, duke deklaruar se janë të gatshme për veting edhe në partitë politike, se do të refuzojnë kandidimin në listën elektorale të çdo gjyqtari apo prokurori të shkarkuar nga vetingu, se do të votojnë ligjet e mbetura të paketës së reformës dhe se nuk do inkurajojnë refuzimin e sistemit dhe as bllokimin e tij. Cila parti i bën e para këto deklarime dhe ndërmerr këto akte, do të marrë edhe mbështetje ndërkombëtare dhe me siguri nesër, edhe mbështetje elektorale këtu. Pavarësisht vonesave, cilësisë, procedurave, dhe kritikave të tjera të drejta, vetingu në drejtësi mbetet zgjidhja e vetme operacionale për sëmundjen shqiptare, me kusht, që në vitin e dytë të tij të vijojë paralelisht edhe në veting për politikën. SPAK mbetet zgjidhja.
E shtunë 28 prill. PS mblodhi Asamblenë Kombëtare, PD do të mbledhë Kuvendin Kombëtar. Palët po përgatiten për zgjedhje dhe po mobilizojnë strukturat e tyre militante. Mbledhjet partiake janë lajm në Shqipëri edhe kur nuk prodhojnë lajme reale. PS e gjeti recetën: Kryeministri është i pakënaqur me të gjithë në PS e qeverisje, megjithëse refuzon se po lind ngadalë një shumicë e pakënaqur qytetare ndaj tij. Zgjidhja? Forconi radhët, bindje pa kushte, më shumë propagandë (informim) dhe secili ti adresohet portalit “Shqipëria që duam”. Dikush e quan sukses por nëse ka akt me logjikë antiligjore, klienteliste, dëmtuese për shtetin dhe manipuluese me të drejtat qytetare është pikërisht kjo platformë. Në cilin vend të botës demokratike mund tu thuhet qytetarëve, mos shkoni në institucione për ankesa e kërkesa, por shkruajini portalit të shefit, portal që ka ngjyrën dhe simbolin elektoral të partisë? Askund. Në Shqipëri po, madje shkohet edhe më tej, – një urdhër administrativ detyron çdo institucion tu japë përparësi në shqyrtim ankesash letrave që vijnë nga portali dhe ajo atyre qytetarëve që mund të kenë zënë radhën në pikat e pritjes që në 6 të mëngjesit. Mesazhi? Kot pret, kot lodhesh, shkruaji partisë dhe partia është zgjidhje! Nga ana tjetër kemi një opozitë, e cila në kulmin e kritikës për krizë identiteti e drejtimi ka vendosur që zgjidhja të mos vijë nga reformimi, hapja, ndryshimi, profilizimi dhe alternativa, por nga tapia me letra e zyrave, vulës dhe vendimmarrjes. Paradoksi shkon edhe më tej: rreth 1 vit nga humbja e thellë në zgjedhje askush, e përsëris, askush nuk ka dhënë dorëheqje, asnjë nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe për pasojë, opozita duket se ndjehet komode me rënien e saj në pikiatë. Kritikët në parti? Ka zëra të arsyeshëm që çdo parti serioze i njeh si vlera dhe i ruan, por ka edhe zëra që përfaqësojnë modele të njëjta negative. Zgjidhja? Teorikisht ka një zgjidhje ideale: le të përjashtohen menjëherë nga partia të gjithë deputetët, anëtarët e kryesisë, kryetarët dhe figurat e tjera drejtuese dhe vetëm kështu ata të gjithë do të flasin e mendojnë për votat, lirinë e fjalës, zgjedhjet, demokracinë, standardet, vlerat, konkurrencën, identitetin, alternativën, reformat…Sepse në traditën tonë vetëm ata që përjashtohen flasin, vetëm ata tregojnë kurajo e vizion, vetëm ata njohin gabimet dhe kërkojnë reforma e ndryshim, kurse të tjerët, ata që zakonisht janë brenda sillen si turistë të radhës, turma pas shefave, jo “si sokratë të vuajtur, por si derra të kënaqur”.
Ky opininon është ekskluziv i AlpeNews.al. Riprodhimi i tij në mënyrë të pjesshme apo të plotë, bëhet vetëm me lejen e redaksisë. Faleminderit!
Leave a Reply