Ervis Iljazaj/
Zhvillimi më i rëndësishëm për politikën shqiptare, padyshim do të jetë vendimi në Qershor për hapjen e negociatave . Ky vendim jo vetëm që do të ketë një ndikim të madh për politikën e jashtme të Shqipërisë, por edhe për politikën e brendshme të saj.
Me procesin e integrimit, shpeshherë është zhvilluar një betejë politike e rëndësishme brenda vendit, kështu që, nuk mund të jetë e çuditshme të ketë strategji politike rreth kësaj beteje. Sepse, me këtë proces është luajtur suksesi apo dështimi i një force politike, të mazhorancës të sotshme dhe asaj të djeshme.
Edhe në këtë moment që flasim, për arsye se jemi shumë afër vendimit për negociatat, klima politike është ndezur, rastësisht ose jo, gjithkush mund ta gjykojë sipas reflektimit të tij.
Dje, në sallën e Parlamentit, kryefjala e Kryeministrit në fjalimin e tij, si përgjigje për akuzat e opozitës, ishte pikërisht kjo: Opozita po bën të gjitha këto veprime për të bllokuar negociatat.
Pyetja që ngrihet në këtë rast është se, a mundet që një opozitë të bllokojë hapjen e negociatave në këtë moment?
Për të qenë të sinqertë deri në fund, duke njohur realitetin politik shqiptar, opozita edhe mund ta tentojë një gjë të tillë. Duke qenë se marrja e negociatave do të kapitalizohej nga mazhoranca, atëherë, opozita sot, por edhe ajo e djeshmja, nuk është për t’u fshehur që shpeshherë janë bërë pengesë për këtë proces.
Por, praktikisht dhe teknikisht marrja e negociatave varet më së shumti nga puna e qeverisë. Sado konflikte politike të krijojë opozita, përtej rasteve kur kërkohen reformat e përbashkëta, në fund të fundit, ajo që vlerësohet nga Bashkimi Europian është puna e qeverisë.
Prandaj, merren ose jo negociatat, kryesisht është sukses ose dështim i qeverisë.
Pa dashur të reduktojmë rolin e opozitës për frymën dhe mesazhin që ajo përcjell, i cili luan një rol të rëndësishëm, Bashkimi Europian është një mënyrë qeverisjeje inter qeveritare. Për këtë arsye, roli kryesor i mbetet qeverisë.
E megjithatë, përtej këtij debati, edhe kësaj here politika shqiptare nuk zhgënjeu. Palët politike nuk arritën dot të dalin mbi interesin partiak dhe politik për një arsye kombëtare, siç është procesi i integrimit të Shqipërisë.
Ndonjëherë, politika shqiptare dhe opinioni publik bie preh e iluzionit se, Bashkimi Europian do të na pranojë për faktin se ka interesa gjeopolitikë në Shqipëri dhe Ballkani. Kjo është e vërtetë, por, BE, është një organizatë e ndryshme nga NATO. Nëse NATO, është një organizatë ushtarake dhe diplomatike, dhe, për këtë arsye anëtarësimi është gjeostrategjik, Bashkimi Europian është tjetër histori. Bashkimi Europian është një sistem politik dhe një mënyrë qeverisje e përbashkët. Si e tillë, ka ekonomi të përbashkët, ligje të përbashkëta dhe parime të përbashkëta. Nëse ne nuk arrijmë dot të përafrojmë të gjitha këto standarde me BE, integrimi është i pamundur.
Prandaj, historirat se Shqipëria dhe Ballkani kërcënohet nga Rusia, dhe lipse një integrim i shpejtë në BE për evituar një influencë rusë, është një histori që nuk ngjit. Ky kërcënim është i vërtetë, por Bashkimin Europian nuk mund ta bindësh me këtë qasje. E vetmja mënyrë për ta bindur është drejtësia e pavarur dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, parametrat ekonomikë dhe zbatimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Leave a Reply