PROF.DR. KASTRIOT ISLAMI/
Politika e “zhytur” në një betejë të ashpër për çështjet e ditës ka harruar apo lënë mënjanë diskutimin për të përmirësuar rregullat e lojës, duke rrënuar te votuesit besimin dhe shpresën se alternimi politik mund të ndodhë përmes votës së lirë. Komisioni parlamentar i Reformës Zgjedhore ka krijuar perceptimin publik se po zvarrit punën dhe në mungesë të plotë vullneti duket se do t’i afrohet zgjedhjeve të ardhshme pa arritur objektivat e një reforme zgjedhore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, përfaqësim dinjitoz parlamentar dhe që siguron pasqyrimin e të gjithë rekomandimeve të OSBE/ODHIR, por jo vetëm, për shmangien e të gjithë parregullsive të evidentuara në dy zgjedhjet e fundit.
Votimi/numërimi elektronik dhe identifikimi biometrik duket se do të dështojnë, duke nxjerrë përsëri argumentin e mungesës së kohës. Blerja e votës dhe kërcënimi i votuesve do të mbeten çështje të pamundura për t’u zgjidhur. Për sistemin zgjedhor do të bëhet vetëm zhurma e radhës nga partitë e interesuara për zëvendësimin/korrektimin e tij dhe duket se asgjë nuk do të ndodhë. Votimi i emigrantëve duket se do të shoqërohet vetëm me retorikë dhe lëvizje taktike politike.
Dhe në fund, situata do të tensionohet e palët do të shkëmbejnë akuza reciproke, ndoshta deri në kërcënim për bojkot të zgjedhjeve për shkak të mosbesimit të thellë politik dhe përplasjeve politike për rregullat e lojës. Besimi në procesin zgjedhor do të vazhdojë të rrënohet, ndërkohë që rikthimi i shpresës për zgjedhje të lira e të ndershme duket i vështirë, për të mos thënë i pamundur.
Ndërkombëtarët do të qëndrojnë të paimplikuar dhe do të kërkojnë që palët të futen në zgjedhje, pavarësisht se palët kanë dallime të konsiderueshme e qëndrime diametralisht të ndryshme për sigurimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Si në shumë raste të tjera, zgjedhjet do të zhvillohen në datën e përcaktuar, ndërkohë që ndryshimet shumë të nevojshme në kodin zgjedhor që pengojnë tjetërsimin e rezultatit zgjedhor apo minimalisht rrisin besimin për zgjedhje të lira e të ndershme do të duhet të shtyhen për radhën tjetër…
A DO TË MERRET NË SHQYRTIM SISTEMI ZGJEDHOR?
Krahas të gjithë këtyre çështjeve shumë të rëndësishme, një nga çështjet më të vështira dhe më të debatuara është ajo e sistemit zgjedhor. Një çështje që edhe po pati vullnet të mirë për t’u diskutuar dhe për t’u adresuar, do të kërkonte një kohë relativisht të gjatë, që nga momenti i përcaktimit të saktë të synimit deri në miratimin e tij, që mund të shoqërohej me ndryshim të ligjit dhe/ose eventualisht të Kushtetutës.
Dhe ajo, që do të ishte më e vështira, do të lidhej me realizimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe të një vendimmarrje pothuajse konsensuale, me mbi dy të tretat e votave e ndoshta edhe më shumë, për të shmangur dërgimin në referendum të ndryshimeve kushtetuese nga 20 për qind e deputetëve. Pavarësisht të gjithë këtyre “vështirësive”, çështja e diskutimit të sistemit zgjedhor kërkon një përgjigje. Aq më tepër që në kushtet e Shqipërisë, sistemi zgjedhor mund të kishte ndikim edhe në cilësinë e zgjedhjeve.
A KANË PARTITË POLITIKE AXHENDË PËR TË SHQYRTUAR SISTEMIN ZGJEDHOR?
Natyrisht që çështja e sistemit zgjedhor është mbi të gjitha një çështje politike; pa neglizhuar edhe aspektin “teknik”, në kuptimin e nevojës për një ekspertizë vendase dhe të huaj. Po ashtu, çështja e sistemit zgjedhor nuk do të duhej të ishte monopol i politikës, pra, vetëm i Parlamentit apo i partive politike. Konkretisht, çështja e sistemit zgjedhor do të duhej të diskutohej fillimisht në nivel politik, madje të lartë politik; dhe më tej të merrej në shqyrtim nga Komisioni parlamentar i Reformës, i cili do të duhet të ishte një shqyrtim edhe politik, edhe teknik.
Një kontribut të çmuar do të duhet të jepnin edhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile apo organizma të specializuar në çështjet e sistemeve zgjedhore. Po ashtu nuk duhet neglizhuar ballafaqimi i çdo hapi të këtij procesi me publikun. Për Komisionin e Reformës Zgjedhore do të shtrohej pyetja: A ka për objektiv Komisioni i Reformës Zgjedhore diskutimin e sistemit zgjedhor? A zotëron Komisioni një axhendë apo platformë për shqyrtimin e sistemit zgjedhor?
Do të zëvendësohet sistemi aktual zgjedhor me një sistem të ri zgjedhor? Apo do të mbetet ky sistem zgjedhor? Dhe nëse do të mbetej i njëjti sistem zgjedhor, a do të korrektohej sistemi aktual zgjedhor? Këto pyetje kërkojnë përgjigje fillimisht nga politika, pra, nga partitë politike dhe/ose drejtpërdrejtë nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Për më tepër, që nga momenti i futjes së sistemit zgjedhor aktual e vazhdimisht ka pasur kërkesa për ndryshimin e tij, kryesisht nga partitë politike jo kryesore, kërkesa që janë shpërfillur vazhdimisht përmes heshtjes së partive kryesore apo Komisionit të Reformës Zgjedhore.
A DO TË NDRYSHOJË SISTEMI ZGJEDHOR?
Në rastin kur Komisioni i Reformës Zgjedhore do të merrte vendimin për të marrë në shqyrtim çështjen e sistemit zgjedhor, bazuar në pyetjet e mësipërme, ai do të duhet t’i jepte përgjigje pyetjes: Nëse do të ruhet i paprekur sistemi aktual zgjedhor, komisioni duhet të japë një përgjigje të qartë dhe jo thjesht të “flasë me heshtjen e tij”, duke e anashkaluar çështjen e diskutimit të sistemit zgjedhor. Thënë më shkoqur, një tavolinë e partive politike ose Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të deklaronin: Sistemi zgjedhor nuk do të ndryshojë, duke dhënë edhe argumentet themelore.
Në këtë rast, presioni më i madh do të duhet të vinte nga ato forca politike që duan ndryshimin e sistemit zgjedhor, të cilat duhet të artikulojnë politikisht e publikisht kërkesat e tyre të qarta të shoqëruara me argumente bindëse jo vetëm për politikën, por edhe për publikun. Fillimisht, debate për nevojën e ndryshimit eventual të sistemit zgjedhor të duhet të bëhej brenda krahut ku bëjnë pjesë forcat politike në favor të ndryshimit dhe më vonë ky debat do të mund të shtrihej edhe me forca të krahut tjetër, nëse kanë objektiva të përbashkët.
DO TË DIZENJOHET NJË SISTEM I RI ZGJEDHOR, APO DO TË KORREKTOHET SISTEMI AKTUAL?
Nëse partitë politike dhe/ose Komisioni i Reformës Zgjedhore do të kenë vullnetin politik dhe do të arrijnë të mirëkuptohen për të ndryshuar sistemin zgjedhor, duhet marrë, pas një analize të thelluar të arritjeve dhe mosarritjeve të sistemit zgjedhor aktual, vendimi nëse: a) do të zëvendësohet sistemi zgjedhor aktual me një tjetër të ri? Apo, b) do të bëhen ndryshime/korrektime në sistemin aktual?
Ky proces do të kishte nevojë për ekspertizë vendase e të huaj për të mundësuar një vendimmarrje të paanshme nga interesat e ngushta partiake. A kanë hartuar partitë politike platformë për zëvendësimin eventual të sistemit? Nëse do të merret vendimi që të zëvendë- sohet sistemi aktual me një sistem të ri, do të duhet të përcaktohet sipas “teknologjisë” së dizenjimit të sistemeve zgjedhore, “platforma” për hartimin e sistemit të ri zgjedhor, me qëllimin, objektivin, kriteret dhe procesin e kryerjes së kësaj reforme deri në momentin e miratimit sa më gjithëpërfshirës. Një dokument i tillë do të duhet të hartohet, diskutohet e miratohet nga aktorët politikë të interesuar.
DO TË JENË RADIKALE APO TË PJESSHME KORREKTIMET EVENTUALE TË SISTEMIT ZGJEDHOR?
Nëse sistemi zgjedhor nuk do të zëvendësohet, por do të bëhen vetëm ndryshime/korrektime të sistemit aktual, do të duhet të jepet përgjigja nëse a) ndryshimet do të jenë radikale dhe në çfarë drejtimi? Ose, nëse b) ndryshimet do të jenë të pjesshme dhe në çfarë drejtimi? Në rastin e korrektimeve radikale të sistemit zgjedhor, do të bëhej fjalë për ndryshime të konsiderueshme, kryesisht në përmbajtjen e tij. Në rastin e korrektimeve të pjesshme, ndryshimet do të ishin minore, duke ruajtur, pak a shumë, qëllimin dhe output-in e sistemit aktual.
CILI DO TË ISHTE QËLLIMI I KORREKTIMEVE RADIKALE TË SISTEMIT ZGJEDHOR?
Nëse ndryshimet do të jenë radikale, do të duhet të përcaktohet përmes një procesi gjithëpërfshirës se çfarë kërkohet të arrihet me ndryshimet radikale. Për shembull, do të synohet që output-i/rezultati final të jetë sa më afër një lidhjeje proporcionale mes mandateve e votave, pra, të favorizohet përfaqësimi parlamentar me rritje të numrit të partive politike prezente në Parlament, apo do të synohet që të forcohet qeverisja e qëndrueshme përmes futjes së bonusit, duke favorizuar një peizazh politik, që i afrohet një sistemi politik bipartiak apo bipolar.
Thënë më qartë: Do të synohet të shkohet drejt një Parlamenti me shumë parti politike, apo do të synohet të sigurohet një qeverisje e qëndrueshme, e cila sigurohet përmes një sistemi zgjedhor që siguron prezencën në Parlament të jo më shumë se 3-6 partive politike (ndonëse konfiguracioni politik varet drejtpërdrejtë vetëm nga vullneti i votuesve apo vota e tyre, në shkencat politike tregohet se sistemi zgjedhor ka ndikimin e tij konfiguracionin politik apo thënë ndryshe, në numrin e partive politike në Parlament)?
ÇFARË NDRYSHIMESH KONKRETE DO TË BËHESHIN NË RASTIN E KORREKTIMEVE TË PJESSHME TË SISTEMIT?
Nëse ndryshimet do të jenë të pjesshme, duhet të përcaktohet përmes një procedure gjithëpërfshirëse.
a) A do të lejohen koalicionet paraelektorale, apo jo?
b) A do të jenë të “hapura” apo të “renditura” listat e partive?
c) A do të ketë apo jo korrigjim kombëtar që e bën output-in/rezultatin në mandate të lidhur më proporcionalisht me votat e grumbulluara, pra, rrit shanset për një prezencë më të lartë të partive politike në Parlament?
d) Nëse do të lejoheshin koalicionet parazgjedhore, atëherë për çfarë koalicionesh do të bëhet fjalë, për “koalicione të përbëra” apo “koalicione klasike” (subjekte elektorale me vetëm një listë kandidatësh)?
e) Dhe së fundmi, nëse do të lejoheshin “koalicionet e përbëra”, do të përdorej formula e D’Hondt + Saint Laguere apo formula/kombinime të tjera për llogaritjen e mandateve nga votat e grumbulluara?
NË VEND TË NJË KONSTATIMI…
Se fundmi, për shkak të zvarritjeve të punës së Komisionit Zgjedhor, që me shumë gjasa duket se vjen për shkak të mungesës së vullnetit politik për tëadresuar cështjen delikate dhe komplekse të sistemit zgjedhore, veçanërisht nga partitë kryesore politike, por edhe të neglizhencës së partive jo kryesore, koha në dispozicion për të realizuar ndryshimin e sistemit zgjedhor është shumë e kufizuar, sepse: – prekja e një sistemi zgjedhor kërkon shumë kohë për t’u dizenjuar dhe mbi të gjithë për t
ë ndërtuar një proces gjithëpërfshirës si për ta shpjeguar atë, ashtu edhe për ta miratuar atë; – do të kërkohej një diskutim brenda çdo partie, por mbi të gjitha mes partive, fillimisht brenda një krahu dhe më tej mes të gjithë partive së bashku, proces që do të konsumonte shumë kohë;
– do të duhej një ekspertizë e lartë vendase dhe e huaj që do të kërkonte shumë kohë për t’u siguruar;
– do të ishte i nevojshëm një mediatizim i mirëprogramuar dhe mirëpërgatitur për ta bërë procesin të kuptueshëm, transparent e gjithëpërfshirës për publikun.
– do të kërkohej të veprohej me shpejtë- si për të mbyllur këtë diskutim para zgjedhjeve të ardhshme vendore, sepse rimarrja e këtij debate pas zgjedhjeve vendore, do të ishte më i vështirë dhe shumë më i komplikuar.
Leave a Reply