• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 8th, 2026
  • HOME
Lakuriqësia e opinionistëve të përdorur prej regjisorit të thashethemeve
Home
Blog

Lakuriqësia e opinionistëve të përdorur prej regjisorit të thashethemeve

May 17th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Altin Ketro/ 

Kryeministrin Edi Rama e ka gjetur belaja. Një pjesë e opinionistëve politikë rreken më shumë se një herë për t’i mbushur mendjen miletit se Rama ka situata konflikti me ministrat e tij. Këtë e thonë ata që shkruajnë kundër tij dhe e thonë me një siguri “bindëse”, duke na lënë të besohet midis rreshtash se këto të dhëna i kanë nga brenda stafit të Ramës. Demek, stafi kryeministror përdor kritikët e kryeministrit që të lëshojë mesazhe publike kundër bashkëpunëtorëve të vetë në qeveri e parti!!!

Ai që u fokusua kohët e fundit është ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Duke mos ia mohuar rezultatet në punë, opinionistët nuk ngurronin të nënvizonin hera-herës se ministri ka kontradikta të forta me kryeministrin, apo që është nga të vetmit që nuk pranon ndërhyrje në punën e vetë. Insinuata arrin kulmin që edhe dosjen penale të dënimit të të vëllait, Agronit, ia lanë si kopili në derë kryeministrit.

Situata është e njëjtë me atë që ndodhi edhe me ish ministrin Tahiri ku, deri pa hequr dorë nga mandati i deputetit, opinionistët politikë shkruanin për një pengmarrje që secili i kish bërë tjetrit me anë të shantazhit. Flitej për dosje, përgjime, raste korrupsioni, trafiqe, implikime kriminale, e lloj-lloj imagjinatash që këto mendje brilante i përcillnin opinionit publik.

Në të dyja rastet, qëllimi është i qartë; të krijohet një situatë konflikti dhe mosbesimi midis kryeministrit dhe ministrave të tij ku secili të ngrejë hije dyshimi për njëri-tjetrin. Edhe nëse ata nuk bien preh e kësaj loje të shëmtuar politike, këtyre opinionistëve u mjafton qoftë edhe fakti që dynjaja ta krijojë këtë bindje, atë që brenda kabinetit ka luftë klanesh, klane që luftojnë për të eliminuar tjetrin, për ta rrëzuar nga pushteti dhe për të fuqizuar pushtet personal po në dëm të tjetrit.

Natyrisht, nuk mund ta mohosh se nuk ia kanë arritur qëllimit që këtë mjegullnajë që hedhin ku të mundin ta ngjizin kudo ku kanë gjetur naivë që u besojnë, pasi shihen edhe reagimet e njerëzve në mediet sociale, apo në telefonatat e drejtpërdrejta në emisionet televizive ku shfaqin një ndjenjë dyshime se diç ndodh në kupolën qeverisëse.

Fantazia arrin deri aty saqë ministrit Xhafaj i veshin një super mbështetje nga faktori ndërkombëtar  gjë e cila paska trembur kryeministrin të cilit, pas kësaj, i druhet frikës se Fatmir Xhafaj do ta zëvendësojë në krye të qeverisë. Pasi ta ketë rrëzuar, kuptohet!

Ajo që këta opinionistë nuk arrijnë të argumentojnë dot është se, ku konsiston interesi madhor i kryeministrit Rama që të telendisë faqe botës ministrat e tij, që i ka zgjedhur vetë me vullnet të lirë?! Se, që t’i nxjerrësh direkt a indirekt dosje ministrit a vëllait të tij, vetëm e vetëm që t’ia ulësh autoritetin ministrit e për rrjedhojë ai të largohet vetë që ti të shpëtosh prej tij, e pastaj të dalësh po vetë, në Kuvend apo media e ta mbrosh publikisht, kjo s’ka prapanicë të qëndrojë. Kjo është ta trajtosh një kryeministër si Rama, si një amator që ka hyrë këto ditë në politikë.

Fundja, çdo sulm e akuzë që bëhet ndaj një pjesëtari të qeverisë, nga më i rëndësishmi e deri tek më periferiku, reflektohet në goditje të imazhit politik të vetë qeverisë në tërësi e kryeministrit në veçanti, brenda e jashtë Shqipërisë. Kjo pastaj ndikon edhe në rang partie, sepse si e tillë ajo merr pjesë në zgjedhje dhe padyshim që çdo njollosje ministri ka edhe kosto politike elektorale.

Kur ti si kryeministër ke përballë një opozitë të hallakatur, që di veçse të ndotë me vezë muret e ministrisë së Brendshme, si mund t’ia lejosh vetes t’i hysh belave të tilla duke i dhënë lëndë të parë opozitës për të të goditur politikisht, pse jo edhe penalisht?! Ja pra që, alibia e ngritur me aq mund e djallëzi për një kryeministër që ia ka me të futur ministrit të vetë, apo që një ish ministër qenka bërë palë me opozitën për të goditur kryeministrit, janë thjesht një strategji baltosje vetëm e vetëm për të ngjallur neveri në popull për qeverinë në tërësi dhe kryeministrin në veçanti.

Natyrisht që gjatë punës në kolegjialitet do të ketë edhe debate në të mirë të punës, por këto nuk mund t’i shiten publikut si luftë bërrylash, pa marrë mundim as t’i pyesësh protagonistët, por thjesht duke dalë në konkluzion se kështu e percepton situatën X opinionist.

Fatmirësisht, edhe goditja e sajuar që iu bë ministrit Xhafaj me audio-përgjimin e famshëm, rezultoi një flluskë sapuni. Këta opinionistë të përdorur, duhet të kërkojnë ndjesë që u bënë pjesë e një skenari të pistë të gatuar në kuzhinë thashethemesh. E, në mos paçin guxim ta bëjnë, të paktën të heqin dorë nga teoritë konspirative me lojë luftash që demek luhen brenda qeverisë. Nuk ua kemi për borxh që këto lojëra bërrylash për pushtet brenda partisë, që në realitet luhen në godinën e SHQUP-it, t’ia shesin opinionit sikur ndodhin në kabinetin qeveritar. Regjisori i filmit me metrazh 3 minutash i titulluar “Bashkëpunëtori X”, e nxori këtë kategori opinionistësh lakuriq. Për të zezën e tyre!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article LSI: Teqeja jonë sot ka mbetur pa Baba dhe pa “çantën e zezë”
Previous article Sofja - Silicon Valley i grave

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k