• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 8th, 2026
  • HOME
EDMOND TUPJA/ Drogzi
Home
Blog

EDMOND TUPJA/ Drogzi

May 15th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

E zonja e tërhiqte lehtas sa herë që ai ndalonte rrëzë ndonjë trungu apo buzë shkurrnajës që rrethon Muzeun Historik Kombëtar në qendër të Tiranës, pikërisht ngjitur me ish-sheshin “Skënderbe”.

Nganjëherë, ajo e linte të nuhaste gjurmët e urinës ose kallëpet e vegjël në trajtë kacarrumash të ndonjë të ngjashmi tjetër të llojit të vet, e më pas të ngrinte njërën prej këmbëve të pasme.

Pastaj, duke humbur durimin, ajo e qortonte me zë të lartë: “Mjaft, Drogzi, e teprove tani!” dhe e tërhiqte me… një vrazhdësi edukative të palëkundur. Tek e kundroja zonjën në fjalë, më bëri përshtypje emrit i qenushit dhe mendja më vajti menjëherë krejt natyrshëm te droga dhe, rrjedhimisht, te marijuana e kokaina që kohët e fundit kanë tronditur themelet e politikës shqiptare, deri në atë pikë sa disa gazetarë e analistë kanë përdorur termin “Tahirigate” sipas modelit “Watergate”, një skandal që e detyroi para disa dekadash Presidentin amerikan Nixon të jepte dorëheqjen (Dikush më pati thënë asokohe që Nixon-i, me shumë gjasë, duhej të kishte origjinë shqiptare, sepse emri Nixon na paska ardhur, sipas atij, nga togfjalëshi Nick’s son, d.m.th. “i biri i Nikës”).

Çuditërisht, zhvillimi i ngjarjeve provoi se gazetarët dhe analistët e sapopërmendur paskan pasur një nuhatje të pagabueshme ngaqë, duke u dorëhequr si deputet, zoti Tahiri u tregua në lartësinë e pasardhësit amerikan të çunit të Nikës. Por le të kthehemi te qenushi Drogzi.

Emri i tij më kujtoi gjithashtu një prozë poetike të Charles Baudelaire-it, poet e kritik arti francez i shekullit XIX, të sjellë në gjuhën shqipe nga përkthyesi e poeti Alket Çani.

Titulli i saj është “Qeni dhe parfumi”; në të bëhet fjalë për qenushin e Baudelaireit, të cilit poeti i zgjat një shishkë parfumi të rrallë, por kafsha sprapset me tmerr dhe nis të lehë qortueshëm; atëherë i zoti i thotë: “Ah, qen i mjerë, nëse do të të kisha dhënë një tas me jashtëqitje, ti do ta kishe nuhatur gjithë qejf e ndoshta do ta kishte ngrënë!…” Le të supozojmë tani sikur zoti Tahiri të kishte një qenush të bardhë të pafajshëm dhe t’i kishte zgjatur atij një tas me drogë, si do të kishte reaguar ky i fundit?

Si qeni i Baudelaire-it? Apo ndryshe? Por, si qenka kjo ndryshe? Normalisht, qentë nuk hanë marijuanë! Po sikur t’i kishte hedhur pak kokainë në ushqim, çfarë do të kishte ndodhur? Ah, ndoshta po ta kishte stërvitur, kur kryente detyrën e ministrit të Brendshëm, si qentë e Policisë që përdoren për të zbuluar drogën e fshehur në automjete, bagazhe e gjetiu, qeni i tij i bardhë do të kishte marrë ndonjë medalje apo fletë lavdërimi edhe në konkurse ndërkombëtare qensh të këtij lloji e, me këtë rast, do të kishte merituar pikërisht emrin Drogzi.

Mirëpo, sikur të ndodhte që ajo zonja anonime, të cilën e pashë duke shëtitur qenushin e vet ta kallëzonte në Prokurori zotin Tahiri për vjedhje të emrit të qenushit të saj të dashur, atëherë ky do të bënte mirë t’ia modifikonte sadopak emrin qenushit të vet duke e quajtur… duke e quajtur, për shembull, Drogbardhi! Veçse e papritura më e mrekullueshme do të ishte nëse Drogziu i zonjës anonime dhe Drogbardhi i zotit Tahiri, aspak anonim, madje fort të njohur si ish-ministër i Brendshëm e, së fundi, si ish-deputet i Partisë Socialiste, të lidheshin përjetësisht me njëri-tjetrin e të çiftoheshin, pavarësisht identitetit dhe orientimit të tyre gjinor.

Jam i bindur që në këtë çast, qenin Drogzi po e nget lemza dhe derëziu më dhimbset shumë; më vjen keq gjithashtu për të zonjën që e tërhiqte gati me dhunë për ta shkëputur nga të pëgërat e qenve të tjerë.

Sa për Drogbardhin imagjinar të zotit Tahiri, nuk e di përse e përfytyroj sikur, po të kishte ekzistuar realisht, do të ishte vetë ai që do ta kishte tërhequr të zotin buzë shkurrnajës që rrethon Muzeun Historik Kombëtar në qendër të Tiranës, pikërisht ngjitur me ish-sheshin “Skënderbe”, atje ku teksa bie muzgu, disa bimë gjethedendura të kujtojnë deri diku një lloj bime, për të cilën muajt e fundit janë harxhuar shumë fjalë në mediet elektronike dhe është derdhur shumë bojë në mediet e shkruara të Republikës drogëzisht demokratike të Shqipërisë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Miti i “ëndrrës amerikane” dhe shqiptarët
Previous article STEPHEN M. WALT/ Arti i ndryshimit të regjimeve

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k