• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
GJOVALIN KOLA/ A mund ta pengojë opozita çeljen e negociatave?
Home
Blog

GJOVALIN KOLA/ A mund ta pengojë opozita çeljen e negociatave?

April 21st, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Që krerët dhe militantët e PD-LSI e kanë humbur toruan pas rekomandimit të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave me Shqipërinë, kjo po duket sheshit. Madje këtë e kanë fare të qartë edhe partizanët dhe votuesit e opozitës, një pjesë e të cilëve mund të mos jenë dakord me zbatimin e planit të “tokës së djegur”, deri në qershor, në mënyrë që Këshilli i BE-së të mos e aprovojë rekomandimin e komisionit. Dhe kanë arsye për këtë.

Çelja e negociatave do të ketë ndikim pozitiv afatgjatë për zhvillimin dhe modernizimin e vendit. Gjatë kësaj periudhe shqyrtimi të 35 kapitujve pala shqiptare tërheq shumë më tepër fonde e investime evropiane se deri tani, kontrolli demokratik i BE-së forcohet, administrata publike dhe drejtësia funksionon më mirë për qytetarët, luftohet më mirë korrupsioni dhe krimi i organizuar etj, etj.

Pra, këto janë të dobishme edhe për votuesit e opozitës, por jo për shefat e saj, që synojnë rikthimin sa më shpejt në pushtet. Sigurisht, çdo opozitë politike synon pushtetin. Askush nuk e qorton për këtë, por për mjetet që po përdor aktualisht. Vërtet, qëllimi justifikon mjetet, por jo momentin e papërshtatshëm. Në këtë rast, mjetet mund të kthehen kundër atyre që i përdorin. Pra, në bumerang.

Të tillë moment të papërshtatshëm dhe “stërkëmbësa” ka përdorur edhe Edi Rama, në krye të PS. Ndoshta, rasti identik është ai i vitit 2010, gjatë procesit historik të liberalizimit të vizave. PS ngriti çadrën e grevës, sepse nuk pranonte rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-s. “Berisha hap kutitë” ishte kërkesa e 200 protestuesve, por për hapjen e tyre nuk kishte vendim gjykate apo të kolegjit zgjedhor, për “mungesë provash”. Ndërkombëtarët nuk e përkrahën protestën e PS-së, sepse kishte të bënte me drejtësinë, për të cilën ata nuk ndërhyjnë. Nga ana tjetër, momenti i zgjedhur ishte i gabuar, sepse pengonte pikërisht liberalizimin e shumëpritur të vizave. Por PS-ja kishte hallin e pushtetit, jo të qytetarëve.

Në kohën e kësaj greve, zyrtarë të lartë dhe eurodeputetë, në Bruksel, që e kishin kuptuar qëllimin e “çadrës” në bulevardin e Tiranës, deklaronin se “ne po i heqim vizat për qytetarët, jo për politikanët, që lëvizin me pasaporta diplomatike. Ne e dimë se këta duan ta pengojnë këtë proces”. Tani, pas 8 vjetësh, krerët e PD-LSI po bëjnë të njëjtën gjë. Pra, po përsërisin gabimet e Ramës. Qëllimi i tyre i “mosbindjes civile”, i tensionimit të situatës me episode e protesta të stisura, synon ta pengojë hapjen e negociatave, pavarësisht se është në dobi të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve. Problemi është pushteti. Po hapi Rama negociatat, hajde merrja pastaj qeverinë!

Ai do t’i fitojë edhe zgjedhjet e 2021. Edhe halli i tyre nuk është i vogël. Po a mund ta pengojë opozita këtë proces historik, për të cilin edhe ajo ka kontribuar, jo pak, kur ishte në pushtet, që nga viti 1992? Specialistët e dinë se ka fare pak gjasa për një refuzim në qershor. Si në rastin e liberalizimit të vizave, konteksti e favorizon përsëri Shqipërinë. Me sa duket, rekomandimi i Komisionit nuk do të kundërshtohet nga Këshilli i BE-së, sepse ai është i menduar dhe i konsultuar paraprakisht.

Për arsye gjeopolitike (evitimi i ndikimit ruso-turk), ka tashmë një konsensus midis Brukselit dhe vendeve anëtare për përfshirjen sa më të shpejtë në bllok edhe të rajonit problematik të Ballkanit. Kjo do të ishte një gjest force edhe për vetë Bashkimin Evropian, në përpjekjet e tij për të rifituar besimin e lëkundur brenda tij, pas goditjes së rëndë që mori nga Brexit

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article PETER STURM/ Problemi korean
Previous article ANDREA DANGLLI/ “Kush është biri i kurv*s, i nënës dhe i njerkës?!”

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k