Ditët e fundit, si pasojë e protestave të qytetarëve të Kukësit, është krijuar një klimë politike e tensionuar e nxitur nga opozita, ku qeveria dhe Edi Rama akuzohet se ka instaluar një diktaturë. Në fakt, politika e kohës së fundit të Edi Ramës, nuk është as diktaturë, dhe as regjim totalitar, është thjesht një politikë amatore në shumë aspekte, sidomos në politikat fiskale dhe ekonomike. Politikë e cila po sjell revolta qytetare, por jo kundër diktaturës, por kundër politikave të zhvillimit, që sot që po flasim nuk kanë asnjë logjikë politike dhe financiare, dhe rendojnë në xhepat e njerëzve.
Edhe ata që e artikulojnë qeverisjen e Ramës si diktaturë, nuk e besojnë se Shqipëria sot gjendet përballë këtij fakti. Askush nuk mund të gjykojë politikën shqiptare të sotme si të tillë për shumë arsye të cilat nuk kanë nevojë të diskutohen. Megjithatë ky është një artikulim që u intereson betejave politike të opozitës. Nëse ka një tipar dallues një diktator, ndër të tjera, janë bindjet e tij politike dhe ideologjike, të cilat i zbaton deri në atë pikë sa sakrifikon çdo gjë për ato, duke instaluar edhe diktaturën.
Ndërkohë që, Edi Rama, është një lider i cili nuk ka asnjë bindje autentike, ideologjike, apo ide politike të cilën e zbaton në qeverisjen e tij. Përkundrazi, është një politikan spontan, dhe aksionet e tij politike janë totalisht të pamenduara. Kjo mënyrë ka bërë që qeverisja ekonomie e vendit, pa një vizion të caktuar, apo pa një plan afatgjatë apo model zhvillimi, të kthehet në një politikë amatore dhe të ndikojë negativisht të zhvillimi i vendit.
Për shembull, një nga problemet kryesore të politikës së Ramës, është mospërputhja midis politikave fiskale dhe atyre ekonomike. Qeveria Rama, nga njëra anë vendos një barrë fiskale të lartë për qytetarët, nga ana tjetër shërbimet ia lë në dorë sektorit privat. Është një politikë që nuk bën sens. Nëse vendos taksa të larta duhet që shteti të sigurojë shërbimet, ose të aplikojë të kundërtën, të ulë taksat dhe shërbimet t’ia lërë në dorë sektorit privat me parimit kosto-përfitim. Shembulli tipik i kësaj kontradikte është sektori shëndetësisë, ku mban ende në këmbë idenë e shëndetësisë falas, duke iu marrë taksa shqiptarëve, dhe nga tjetër jep koncesione private. Është një logjikë që nuk mund të qëndroj në këmbë.
Për të kuptuar më së miri luhatjen politike të Edi Ramës, mjafton të shikosh ndryshimin e qeverisjes midis mandatit të parë dhe të dytë. Nëse në mandatin e parë Edi Rama ndërmori një sërë reformash të rëndësishme, për të cilat vendi kishte nevojë urgjente, reforma që ndoshta ishin dhe kosto elektorale, dhe duhet përgëzuar për këtë, në mandatin e dyte këto reforma u braktisën, dhe qeverisje kaloi nga reformiste në populiste me bashkëqeverisjen qytetare.
Kjo metamorfozë e filozofisë së qeverisjes, dhe vizioni ende i paqartë për politikat ekonomike dhe financiare, janë pikërisht kostot që po merr në këtë moment shoqëria shqiptare dhe vetë Rama në aspektin politik. Ky është problem me Edi Ramën, mungesa e politikave profesionale dhe linjës së qartë politike, të cilat kanë sjell probleme shoqërore herë pas herë. Kurse akuzat me diktatorë, apo me diktaturë, janë thjesht për konsumim politik të opozitës, e cila në mungesë të një alternative politike, luan kartën e moralit, moral të cilin nuk e ka, dhe kjo vetëm sa çon ujë në mullirin e mazhorancës.
Leave a Reply