• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ÇAPAJEV GJOKUTAJ/ S’bëjmë keq që flasim për ngrehina e kulla, por pa artin do të ngjajnin si trupi pa shpirt
Home
Blog

ÇAPAJEV GJOKUTAJ/ S’bëjmë keq që flasim për ngrehina e kulla, por pa artin do të ngjajnin si trupi pa shpirt

March 24th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Këtë muaj është diskutuar shumë për teatrin. Mbase më shumë se 10-15 vjetët e fundit, marrë bashkë.

Në fakt s’janë diskutuar premiera, koncepte regjisoriale, lojë aktorësh e të tjera ‘vogëlima’ të këtij lloji. Është diskutuar për ngrehinën e Teatrit Kombëtar.

Jetojmë apo jo në kohë komercializmi, kur materialja sfumon e vuvos shpirtëroren?

Lënë mënjanë humorin, diskutimet për të ardhmen e ngrehinës dhe të truallit, për raportet privat – publik, për transparencën, korrupsionin etj. janë legjitime.

Po mbase është me dobi që, ndonjëherë, të flasim edhe për artin. Na bën mirë. Në mos për gjë tjetër, të paktën për shëndetin mendor. Nga mëngjezi në darkë dëgjojmë e lexojmë të flitet për politikë, korrupsion, vjedhje e vrasje. Overdozë negativiteti

Dikur, dekada të shkuara, premierat e Teatrit Popullor (Kombëtar) shënonin ngjarje, tërhiqnin thuajse gjithë elitat e kryeqytetit dhe pasoheshin me diskutime të shumta në rrethe miqsh e shokësh, por, sidokudo, edhe në mediat e kohës.

Sot vështirë të gjesh informacion edhe për shfaqjet e javës, pa le më të kesh luksin të dëgjosh a të marrësh pjesë në diskutime.

Pyetja “a ka rënë interesi publik për teatrin?”, vjen e bashkohet me shqetësime të ngjashme edhe për arte të tjera e për letërsinë.

Dhe mes këtij shqetësimi zë e nxjerr krye nostalgjia: Dikur lexohej letërsi e përjetohej art, kurse sot kemi kafene e videolojëra që do na dilnin e tepronin për tri jetë. Medemek “kjo bot’ u çthur…”.

Gjithsesi, kur i sheh gjërat më nga afër, pamja nuk rezulton të jetë kaq bardhë e zi.

Vështirë të thuash se shqiptarët sot nuk janë aq pranë artit e letërsisë sa dikur. Aq më pak mund të thuash se kanë botë shpirtërore më të varfër, apo emocione më të mekura.

Natyrisht çdo kohë ka të vetat. Mediat audiovizive dhe interneti kanë hyrë tashmë në përditshmërinë tonë, kanë zënë një pjesë të saj dhe, doemos kanë sjellë një rikonfigurim edhe të marrëdhënieve që kemi me artet e letërsinë.

Videot dhe lojërat e shumta, p.sh., vërtet që nuk janë art, por i kryejnë për bukuri disa funksione të tij si argëtimi, harrimi i vetes, ikja në realitete të përfytyruara etj. Si të tilla konkurrojnë me artin, sidomos me llojet pop të tij.

Rrjetet sociale i kanë dhënë fund monopolit të elitave në ligjërimin publik. Nivelet e poshtme të lexuesve dhe spektatorëve kanë tashmë mundësinë të vetëshprehen, të përcjellin qëndrimet e tyre në publik. Ndaj janë shtuar si kurrë më parë artikulimet për kulturën pop, showbizin etj. Doemos kjo i zvogëlon hapësirat e artit elitar ose, më së paku, tërheq vëmendjen në nivelet e poshtme.

Hollywood-i, Broadway, premierat nga Londra, Parisi, Moska, Sidnei etj. vijnë e hyjnë drejt e në dhomat tona të ndënjes. Me platforma të tipit Kindle mund të blesh e të lexosh libra e revista që posa dalin në metropolet botërore.

I gjendur mes këtij vërshimi global librash, filmash, premierash, shqiptari i sotëm doemos që nuk mund të ketë etjen dhe kureshtjen e dikurshme për premierat e TK apo promovimin e krijimeve vendase.

E megjithatë njeriu është programuar të ketë nevojë për gjuhën, letërsinë, artin e vendit amtar, sepse gjithmonë ka patur e do të ketë nevojë për identitet, ashtu si pema për rrënjë e shtëpia për themele.

Arti i sotëm është edhe industri, rrjedhimisht ka kosto, kërkon fonde e mbështetje. Vende si ky yni, me lexues e spektatorë të paktë e të varfër, nuk e kanë të lehtë të mbështesin artin e artistët vetëm nëpërmjet tregut. Duhen politika zhvillimi dhe subvencione, ndryshe anemia e krijimtarisë kombëtare bëhet lëngatë kronike.

Por duhen edhe më shumë vëmendje, diskutime e analiza publike. Gjëra që s’para kushtojnë, por janë goxhá të çmuara.

S’bëjmë keq që flasim për ngrehina e kulla. Por pa artin, pa krijimtarinë, të gjitha këto do të ngjajnin si trupi pa shpirt.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Duhet një negociatë me Rusinë e Putinit
Previous article BLENDI GASHI/ Demarkacioni që përplasi ish-shokët e luftës

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k