Opozita që Lulzim Basha po bën në emër të Partisë Demokratike, lidhet vazhdimisht me çdo ngjarje që ka të bëjë jo me dështimet, por me sukseset e qeverisë Rama. Kjo mbetet diçka e veçantë dhe e habitshme për një parti opozitare, por ja që kjo ndodh me partinë që drejton zoti Basha. Së fundi, pasi u ndal gjërë e gjatë në turneun e tij me ndihmën ekonomike dhe u “qau hallin” atyre që kishin ikur nga listat, Luli është ndalur tek deti “i falur” dhe droga e kapur në portin e Durrësit.
Meraku i Lulit deri para disa ditësh, ishte kur do t’i tërheqë vjehrri lekët e pallatit, dhe kjo është dukur më mirë tek tabelat e protestuesve më 27 janar 2018. Së fundi , pasi u ndal gjërë e gjatë në turneun e tij me ndihmën ekonomike dhe u “qau hallin” atyre që kishin ikur nga listat, Luli është ndalur tek deti dhe droga e kapur në portin e Durrësit. Prej 10 ditësh Luli u detyrua të merret “seriozisht” me marrëveshjen e detit me Greqinë, dhe nuk mungoi të vërë në lëvizje edhe ish-presidentin Nishani, apo së fundi dhe presidentin aktual Meta, të cilin e ftoi të vinte në Parlament për sqarimet teknike.
Por merakun e fundit Luli e ka me drogën e kapur (kokainën) në portin e Durrësit, si pasojë e një pune profesionale të Policisë Shtetit në bashkëpunim me strukturat policore ndërkombëtare. Madje për këtë sukses të veçantë të policisë shqiptare, në kapjen e një sasie kaq të madhe kokaine, qeveria ka marrë përgëzime nga ndërkombëtarët , por si gjithmonë jo nga opozita e Lulit. Vetëm 2 orë pasi Policia e Shtetit deklaroi dhe njoftoi zyrtarisht se “në portin e Durrësit pas një pune intensive u kapën 630 kg kokainë dhe arrestuar disa persona”, Lulzim Basha, pa u njohur mirë me faktet dhe detajet teknike operacionale, nxitoi të deklaronte se “droga ishte e qeverisë, suksesi ishte i PD”. Kreu i opozitës edhe dje doli para kamerave dhe mburri partinë e tij, e cila sipas Lulit “kishte paralajmëruar edhe më parë Kuvendin për drogën e kapur dhe krimin”. Deklaratë më të papjekur politikisht dhe teknikisht nuk kam dëgjuar ndonjëherë nga një kryetar partie opozitare. Madje këtë deklaratë kurrë nuk do ta kishte bërë as Berisha në vitin më të vështirë të tij në 1997.
Sipas Lulit “kapja e drogës ishte rezultat i lidhjeve të trafikantëve me qeverinë, dhe droga vetë është e qeverisë”. Për të qeshur dhe për të uluritur, nga mënyra se si arrin një kryetar opozite të bëhet kaq gaztor në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Droga e kapur zoti Basha, ishte pjesë e linjës së trafikut ndërkombëtar, dhe njëherësh një sukses i veçantë i Policisë Shtetit, e cila më në fund ka arritur të këpusë një hallkë të rëndësishme të rrjetit kriminal. Por një gjë nuk kuptoj, pse gjithmonë kapesh pas fijes së barit, dhe jo pas kavos së çelikut , pasi në fund të fundit, ky sukses është i policisë së vendit tënd ? Ndoshta këshillohesh keq nga salianjët, ose gabon me dashje për të sjellë “risi” në misionin e pamundur të opozitarit, mjafton të kujtojmë kërkesën drejtuar Prokurorisë për “të bërë transparencën për drogën e kapur”.
Asnjëherë nuk e kisha dëgjuar më parë Lulin, që një kërkesë të tillë, t’ja bënte Adriatik Llallës kur policia kapte drogë, armë dhe arrestonte emra të njohur të botës së krimit. Kurrë nuk kërkove “transparencë” nga Tiku, por veç e mbroje , madje edhe kur atij i mbaroi mandati ligjor i Kryeprokurorit. Partia Demokratike prej 9 muajsh, merret vetëm me sukseset e qeverisë, të cilat këshilltarët e Lulzim Bashës i përkthejnë si “dështime” të saj. Kjo është opozita e një vendi që pretendon të integrohet në BE, vallë kjo është opozita e një vendi që kurrë nuk pranon sukseset e policisë ndaj rrjeteve kriminale, duke nxirë gjithçka të bardhë. Opozita e një vendi demokratik, është nderi ose turpi i klasës politike.
Nuk mund të bësh opozitën, duke mbledhur rreth vehtes çiliminj të llastuar nga rrjetet sociale, dhe duke u dhënë në dorë atyre fatin e një partie të madhe siç është Partia Demokratike. Jo çdo ëndërr që shikon natën mund të bëhet realitet zoti Basha, dhe jo çdo sukses i qeverisë mund të jetë edhe suksesi PD. E ardhmja e vendit, kërkon sot bashkëpunim institucional pozitë-opozitë dhe përgjegjshmëri politike. Në çdo vend demokratik, opozita është pasuri kombëtare dhe jo strehë për pazare, por duket se kjo kurrë nuk do të kuptohet nga PD e zotit Basha, sa kohë që salianjët janë caktuar të tundin “këmborën” e prishur për të trembur qeverinë, dhe akuzuar ndërkombëtarët.



Leave a Reply