• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
PROFIL/ Princesha e kancelares Angela Merkel që pritet t’i zërë vendin
Home
Blog

PROFIL/ Princesha e kancelares Angela Merkel që pritet t’i zërë vendin

February 24th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

ENVER ROBELLI/ Annegret Kramp-Karrenbauer është një zonjë me humor. Për shkak se emri dhe dy mbiemrat e saj janë të gjatë, në parti e thërrasin AKK. Kjo shkurtesë tingëllon si një version i ri i kallashnikovit, por në fakt bëhet fjalë për një grua që para së të flasë mendohet mirë e mirë se çfarë dëshiron të thotë. Kur Annegret Kramp-Karrenbauer u bë ministre e punës, çështjeve sociale, familjes, preventivës dhe sportit në Saarland, krahinën më të vogël gjermane në kufi me Francën, ajo tha se kurrë nuk e kishte menduar se titulli i ministrisë që do të drejtonte do të ishte «më i gjatë se emri im». Më 2011 AKK u zgjodh kryeministre e Saarlandit.

Ajo tërë jetën e saj politike e ka kaluar në radhët e Partisë Kristiandemokrate (CDU), partisë që tashmë 18 vjet drejtohet nga Angela Merkel, e cila nga viti 2005 është kancelare e Republikës Federale të Gjermanisë. Tani bota duhet të mbajë mend emrin e Annegret Kramp-Karrenbauer. Këtë javë Merkel e ka emëruar AKK sekretare të re të përgjithshme të CDU-së dhe mediat tashmë kanë filluar ta quajnë «Mini-Merkel». Natyrisht Merkel ka mohuar se me këtë emërim po e përgatit pasardhësen e saj, por kjo është normale. Asnjë politikane apo politikan i mençur nuk do të shpaloste qëllimet e vërteta në një konferencë për media.

Kur të hënën Merkel e prezantoi AKK si sekretare të re të përgjithshme të CDU-së, ajo dukej shumë e lumtur, saqë tha se Annegret Kramp-Karrenbauer është e para grua në këtë post. Pastaj AKK mori fjalën dhe Merkel ndërhyri menjëherë duke thënë: «Ach, nee» (Ah, jo): Merkel kishte harruar se edhe vetë ka qenë sekretare e përgjithshme e CDU-së. Si sekretare e re e përgjithshme AKK ka shans e mundësi të formulojë politikat e CDU-së dhe kështu të shndërrohet në njërën nga figurat qendrore të partisë dhe një ditë ndoshta princeshë trashëgimtare e Merkelit. Në Saarland Kramp-Karrenbauer ka qeverisur pa bujë, por në mënyrë efikase – dhe në karneval qe bërë e famshme si pastruese e veshur me pardesy, shami dhe fshesë.

Annegret Kramp-Karrenbauer u lind më 9 gusht 1962 në Saarland. Pas anëtarësimit të CDU si 18-vjeçare AKK studioi shkencat politike dhe drejtësinë. Kur karriera e saj në politikë filloi të përparonte burri i saj, një inxhinier minierash, u kujdes për tre djemtë e përbashkët. Në portretet e botuara në gazetat gjermane AKK dhe Merkel përshkruhen si të ngjashme dhe prapëseprapë të ndryshme. Merkel është rritur në diktaturën e Gjermanisë Lindore, AKK në Gjermaninë perëndimore. Megjithatë, që të dyja i bashkon qasja e qetë ndaj problemeve. Merkel e njoftoi Annegret Kramp-Karrenbauer gjatë negociatave për koalicion me socialdemokratët në vitin 2013. Që nga ajo kohë kancelarja ka respekt për mënyrën e politikëbërëjes nga ana e AKK-së. Ajo ka 17 vjet përvojë punë në poste qeveritare, por në provincë, ndërsa tani, me pranimin e funksionit të sekretares së përgjithshme të CDU-së, ajo luan rol në skenën nacionale të politikës.

Gjatë krizës së refugjatëve Kramp-Karrenbauer ishte përkrahëse e Merkelit. Por AKK ishte e qartë sa i përket respektimit të rregullave nga ana e refugjatëve. Në një samit të unionit të grave të CDU-së në janar 2016 ajo tha se sipas raporteve ka burra myslimanë, të cilët në qendra te azilit nuk pranojnë të marrin ushqimin nga gratë. AKK tha se ka dy mënyra për t’iu përgjigjur kësaj sfide: duke marrë parasysh dallimet kulturore të krijohet një radhë e dytë, ku burrat shërbejnë burrat me ushqim. Ose të thuhet: «Atëherë s’ka ushqim». Kramp-Karrenbauer tha se ajo preferonte variantin e dytë.

 

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MYSLIM PASHA: Negociatorët dhe shteti ynë i shtrembër
Previous article EDUARD ZALOSHNJA/ Lidhuni që të mos vdisni!

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k