• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 13th, 2026
  • HOME
EDMOND TUPJA/ Ngrehalucët
Home
Blog

EDMOND TUPJA/ Ngrehalucët

February 4th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Ata janë kudo, o lexuese e lexues pak a shumë besnikë të kësaj rubrike të përjavshme! Po, ata janë kudo, para e mbrapa, majtas e djathtas, poshtë e lart, rreth e përqark, në qendër e në periferi, por sidomos, veçanërisht e kryesisht në pushtet.

Ju i shihni çdo ditë, orë e çast, në ekranet e televizorit, në rrjetet sociale, i shihni përherë tek marrin poza pompoze, fryhen e ligjërojnë me gojën bilbil e shtatin karafil, premtojnë, sigurojnë, ledhatojnë, ngadhënjejnë e ngashënjejnë, ju bëjnë për të qarë e për të qeshur, kravatështrënguar a mëngëpërveshur, të kaluarën baltosin, të tashmen sheqerosin, të ardhme hekurosin për ju, për ne, madje edhe për pasardhësit tanë të mirëpritur ndër shekuj!

Ata janë kudo, dhe nuk do të mjaftonte fjalori i gjuhës shqipe për t’ju furnizuar me fjalë, togfjalësha, shprehje frazeologjike, aforizma e proverba, që të arrini t’i karakterizoni ata nga të gjitha këndvështrimet e mundshme dhe të imagjinueshme.

Për të qenë i sinqertë me ju, të gjitha e të gjithë sa jeni e do të jeni, më duhet të pranoj botërisht se, tek mendoja pardje, pak para mesnate, për fjalën e vetme që do të ishte në gjendje t’i karakterizonte në thelb këta njerëz të sojit homo politicus në Shqipërinë e sotme çmendurisht demokratike, u mata të hapja pikërisht “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), por në çast hoqa dorë nga një aventurë e tillë! Hoqa dorë për arsyen e thjeshtë dhe fort bindëse se do të më duheshin ditë, në mos javë të tëra, për të zgjedhur fjalën më të përshtatshme për qëllimin tim midis 48 mijë fjalëve që përmban ky fjalor! Mirë- po, disa minuta më vonë, vendosa t’ia lë rastësisë në dorë këtë zgjedhje; mora, pra, fjalorin nga rafti pranë, e vura mbi tryezë, shova abazhurin, mbylla sytë dhe e hapa kuturu, siç ma dha truri, me dorën e djathtë, pastaj vura gishtin tregues diku te faqja në të majtën time dhe ndeza abazhurin: O mrekulli e mrekullive! Mollëza e gishtit kishte qëndruar bindshëm e përbindshëm te fjala “ngrehaluc”!

O Perëndi, çfarë dhurate më bëri fjalori im i vjetër dymbëdhjetëvjeçar, isha gati ta puthja! Ja si e përkufizon ai këtë fjalë: “që kapardiset, që krekoset e shet mend”. Pasi më mësoi se kjo fjalë përdoret edhe si emër, edhe si mbiemër, ai sjell një shembull: “njeri ngrehaluc” (Autorët e tij mund të kishin shkruar edhe “politikan ngrehaluc”, edhe “pushtetar ngrehaluc” edhe “kryetar ngrehaluc”, pavarësisht nga niveli apo lartësia e ngrehjes, ngrefjes apo ngrefosjes së tyre edhe qesharake, edhe vulgare!). Gjithsesi, le të shohim nga vjen kjo fjalë. Fjalori na më- son se vjen pikërisht nga folja “ngrehem” dhe se “i ngrehur” ka edhe kuptimin “që e mban hundën përpjetë, i kapardisur”; nga ana tjetër, i njëjti fjalor na mëson se folja “ngrehem” ka për sinonim foljen “ngrefosem”, pra, “fryhem”, dhe sjell shembullin “ngrefoset gjeldeti”, kurse, në kuptimin e figurshëm, “ngrefosem” do të thotë “nxjerr gjoksin përpara dikujt dhe drejtoj trupin, për t’u mburrur, shes mend, kapardisem”, si edhe “e kërcënoj dikë, i kanosem”; mandej, për mbiemrin “i ngrefosur”, fjalori sjell edhe shembullin “i pispillosur e i ngrefosur”. Së fundi, o surprizë e surprizave: fjalori na mëson se në shqipe ekzistuaka edhe folja “ngrehalucem” në kuptimin “kapardisem, krekosem, shes mend”. E vetmja e metë – një harresë – e fjalorit është se foljet “ngref” dhe “ngrefem” nuk i përmend fare, sigurisht për shkak të ngarkesë së tyre haptas erotike!

Le t’u kthehemi tani atyre që janë kudo, pra ngrehalucëve tanë që po na marrin frymën, shikimin e dëgjimin me praninë e tyre të papranueshme. O Zot sa të padurueshëm që janë, sa të ngopur me vetveten e sa të pangopur me pushtet e para, sa të bindur për pavdekësinë e tyre, sa të neveritshëm kur përrallisin e na ngopin me dokrra, dëngla e gjepura! U lumtë autorëve të fjalorit të gjuhës shqipe që duken sikur i paskan shpjeguar enkas për ata fjalët “ngrehem” e “i ngrehur”, “ngrefosem” e “ i ngrefosur”!

Së fundi, lind pyetja e sikletshme: A do të arrijmë ndonjë ditë t’i heqim qafe ata, pra ngrehalucët? Mjerisht, duke vërejtur se si po ecin punët në shtetin tonë narkofeudokapitalist, mendoj se kjo do të jetë e pamundur për shumë arsye, të cilat nuk do t’i rendis këtu, por një zgjidhje ekziston, të paktën sipas ish-kolegut dhe mikut tim Françesk Armadhi, që mendon se ajo është detyrimisht e pamoralshme, por e vetmja që na mbetet: të bëhemi të gjithë ngrehalucë karabushë e karagjozë, aktorë të pafytyrë me shpirtin blozë!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ABDURAHIM ASHIKU/ “Çamët” e Dibrës, pronat e dibranëve nën Maqedoni, dhe “Shkopi i Bejsbollit”
Previous article ENVER ROBELLI/ "Muuuuuu!" Kjo puna e lopës dhe qumështi i kovës së Edi Ramës

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Blog Jan 19th, 2026
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

May 22nd, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k