Ja dhe protesta mbaroi, ashtu siç nisi edhe u bitis, siç thotë populli “si puna angari”. Kishin kurajon, guxuan dhe tentuan të dilnin në bazë, të takonin të harruarit, ti ftonin në protestën e madhe “popullore” për të rrëzuar qeverinë Rama, i sollën me autobuzë dhe forgonë, u mbajtën fjalimin e mërzitshëm, dhe i përcollën me buzëqeshjen hipokrite.
Asgjë nuk ndryshoi, asgjë nuk ishte menduar të ndryshohej, asgjë nuk pritet të ndryshonte në fushëbetejën e asaj që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi e pagëzuan si “opozita e bashkuar”.
Kjo pasi, kjo opozitë nuk ka as bashkim, as mision, kjo opozitë nuk ka as besueshmëri as seriozitet, nuk ka as liderë por ka veç kryetarë të pazgjedhur.
Kjo është opozita e rreme e milionerëve, kjo është opozita e fundit që Shqipëria dhe shqiptarët kishin fatin e keq ta provonin, pasi këtej e tutje ata do ti nxjerrin përfundimisht në pensionin politik, ndoshta punë muajsh.
Në sheshin e protestës erdhën ndoshta për herën e fundit, ata që besuan se “Luli dhe Monika e kanë seriozisht vendimin e tyre për ta rrëzuar qeverinë Rama”.
Por ata u gabuan, ata u zhgënjyen edhe më shumë kur në tribunë hipën një e nga një kryetarët e biznespartive dhe u folën për “korrupsionin, dhe varfërinë e shqiptarëve” atyre që kishin ardhur me autobuzë të parapaguar.
Shqiptarët e ndershëm (dhe jo bashibozukët) nuk gënjehen më, ata e duan vendin e tyre, ata e duan familjen e tyre duke kërkuar rendin, qetësinë, ekonominë, dinjitetin, integrimin, rrugët e hapura drejt Europës, mbështetjen ndërkombëtare, pasi nuk duan anarshinë, nuk duan destabilitetin, nuk duan rrumpallën dhe krismat e armëve, pasi duan punësimin e ndershëm dhe jo punësimin e paligjshëm, pasi duan zbatim të ligjit dhe jo shkeljen e tij nga pushtetmbajtësit e çdo ngjyrimi politik.
Protesta “e fuqishme popullore” mbaroi, duke lënë pas shijen e hidhur të takimeve tinzare të milionerëve opozitarë, që i shërbejnë me zell vetëm xhepave të tyre, edhe pse zbritën në rrethe për të takuar ndoshta për herën e fundit si politikanë dhe drejtues partish bazën. Kjo pasi ata i pret pensioni politik, ata nuk janë më opozita, ata nuk janë më të besueshëm pas dështimit në protestën e 27 janarit para Kryeministrisë.
Asnjë prej tyre nuk foli me protestuesit, të gjithë folën për karriget e pushtetit, të gjithë kishin sytë ziliqarë nga zyra e Ramës, jo nga hallexhinjtë e ardhur me autobuzë nga rrethet.
Në atë protestë foli edhe Monika, duke u kujtuar hallexhinjve se “se Edi Rama është vetëm, ne jemi shumica”.
Kaq të dëgjoje dhe tja mbathje nga ai shesh. Si mundet që Monika të japë leksione antiqeveritare, kur ajo dhe Ilir Meta prej 20 vitesh janë pjesë e të gjitha qeverive deri në 25 qershor 2017, kur ju pre çdo burim fitimprurës nga pushteti.
Si mundet që ata që mbushëm atë shesh në emër të “demokracisë” të dëgjojnë Monikën t’ju flasë për “krimin qeveritar, për korrupsionin, për përmbysjen e qeverisë Rama”, kur ajo dhe shpura e saj qeverisëse të paktën për 8 vitet e fundit, janë sot objekti i akuzave, denoncimeve nga KLSH dhe Prokuroria.
Protesta e 27 janarit, ishte më tepër një garë force mes PD-LSI, se një protestë e cila “do të rrëzonte qeverinë Rama”.
Duke mos harruar faktin se Monika e LSI në protestën që u bë në sallë dhe jashtë Parlamentit, ishte më aktive se Luli, frika e këtij të fundit ishte se ndoshta e njëjta gjë do të ndodhte dhe më 27 janar, ku LSI u përpoq të faktorizohej si partia kryesore “opozitare” por pa sukses.
Ndërkohë edhe pse Luli kishte urdhëruar që “militantëve tu vihen në dispozicion autobusë falas”, baza e zhgënjyer e PD nuk ju përgjigj, duke i hapur rrugën jo vazhdimësisë, por pensionit politik të kryetarit të 22 korrikut.
Leave a Reply