Duam apo s’duam, sot për sot, në Shqipëri dy janë formacionet politike që përbëjnë alternativë qeverisëse: Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Si të tilla ato kanë barrën e rëndë të jenë të përgjegjshme në çdo veprim apo vendim që ndërmarrin, si kur janë në pushtet, ashtu dhe në opozitë. Bota është me rrota, thotë një fjalë e urtë, që do të thotë se rolet e secilit prej këtyre dy partive vjen një ditë dhe ndryshojnë, pra njëra vjen në pushtet e tjetra del në opozitë.
Duke qenë të vetmet që dominojnë skenën e politikës shqiptare, këto dy parti shihen me lupë për sa i përket jo vetëm alternativave që u ofrojnë shqiptarëve, por edhe për liderët me të cilët ato identifikohen dhe që praktikisht janë fytyra përfaqësuese e secilës prej tyre. Nga ky këndvështrim, po përpiqem të analizoj përmbledhtazi çfarë udhëheqësish kanë ofruar këto dy parti në këto 27 vjet të pluralizmit, si në planin partiak, ashtu edhe në atë qeverisës. Jam përpjekur të kap emrat më domethënës dhe që kanë lënë gjurmë tek secila prej këtyre dy partive, në të shkuarën dhe në të tashmen, pasi në këto afro tri dekada, ka shumë syresh që ashtu siç hynë, ashtu edhe dolën, pa ua mësuar kush as emrin.
PARTIA SOCIALISTE:
Kjo parti, në 27 vjet të ekzistencës së saj, ka njohur një sërë liderësh që e kanë drejtuar në periudha të ndryshme dhe që kjo parti është identifikuar me emrat e tyre, pavarësisht nëse kanë qenë kryetar partie, kandidatë për kryetar, apo qeveritarë. Nga gjithë plejada socialiste, kam veçuar 13 prej tyre, që më janë dukur, në gjykimin tim, si personazhet që kanë lënë më shumë gjurmë, secili në periudhën e vetë. Prandaj janë sot pjesë e kësaj liste:
1.Fatos NANO: Është kryetari i parë i saj pas ndryshimit të emrin në Kongresin e 10 të PPSH-së. Të kompleksuar për 45 vjet me radhë ku PPSH-në e kishte udhëhequr me dorë të fortë diktatori Hoxha dhe me një linjë disi më të zbutur pasuesi Alia, Partia Socialiste e kishte të domosdoshme që t’ia linte stafetën e drejtimit një lideri me pikëpamje liberale si Fatos Nano. Dhe duhet pranuar që në ato vite ky vendim ishte më i miri dhe i drejti. Aq e vërtetë ishte kjo, saqë vetëm 4 muaj pasi Partia Demokratike kishte ardhur në pushtet me një fitore prej 2/3 në Kuvend, lideri i opozitës Nano i shkaktoi PD një humbje të thellë në zgjedhjet vendore, rezultati i të cilës nuk u bë kurrë i njohura zyrtarisht. Drejtoi disa qeveri socialiste, por fryma liberaliste që kishte nuk e ndihmoi që të kishte kontroll të plotë mbi ekzekutivin ku, i sabotuar herë nga brenda partisë dhe herë nga kundërshtarët politikë, nuk arriti të mbyllë asnjë mandat të plotë si kryeministër. Diti ta pranojë me dinjitet humbjen e zgjedhjeve në vitin 2005, duke urdhëruar ministrat t’ia linin çdo gjë gati mbi tavolinë pasuesve të tyre fitues, me qëllim që puna të ecte normalisht.
2.Servet PËLLUMBI: Pas burgosjes politike të Fatos Nanos nga regjimi i Presidentit Berisha, drejtimin e PS-së e mori nënkryetari i saj, Servet Pëllumbi, një burrë dinjitoz dhe me plot përvojë politike. Ai e drejtoi PS-në në një periudhë tejet të vështirë për ekzistencën e saj, duke korrur një sukses absolut në vitit 1994, në Referendumin për Kushtetutën. Vlen të theksohet se rezultati pozitiv që mori PS në Referendum, duke mbështetur alternativën “JO”, bëri që Presidenti Berisha të betohej se, qysh aty e në të ardhmen, vota nuk do të numërohej më, por do të manipulohej, siç edhe ndodhi në maj të vitit 1996. Drejtoi me kompetencë për pak kohë edhe Kuvendin e Shqipërisë.
3.Rexhep MEIDANI: E drejtoi PS-në si sekretar i Përgjithshëm për rreth 1 vit dhe ishte pjesë e suksesit që korri kjo parti në zgjedhjet e vitit 1997. Nuk kishte karizmin e një lideri, por për periudhën që drejtoi PS-në, ndihmoi për mirë në imazhin e saj brenda dhe jashtë vendit. Për këtë mori edhe përgjegjësinë e detyrës së Kryetarit të Shtetit.
4.Bashkim FINO: Kryeministër i krizës më të madhe politike që ka njohur Shqipëria në 70 vitet e fundit, ku vendi rrezikonte luftën civile. Ai diti që, me një aftësi të lindur prej lideri, ta menaxhojë atë situatë në mënyrë të përsosur, aq sa me frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit që ofronte, uli gjakrat jo vetëm anembanë Shqipërisë, por e bëri edhe Presidentin Berisha “ushtar” të bindur të tij.
5.Arben MALAJ: Edhe këtij, si zotit Fino, iu dha mundësia të afirmohej në krizën e vitit 1997 si ministër i Financave, ku i ra barra e rëndë e mbylljes së skemave mashtruese piramidale ku shqiptarët humbën kursimet e jetës, si dhe ringritjes së financave pas shpartallimit total që kishte pësuar shteti. Besimi dhe vendosmëria që ofronte, krijoi kushtet që situata të menaxhohej me sukses dhe pa tensione që për atë periudhë ishin më se normale.
6.Pandeli MAJKO: Dy herë kryeministër i prodhuar në kohë krizash brenda PS-së, por ndonëse i ri, diti të jetë lider në qeverisje dhe këtë e tregoi më së miri kur menaxhoi krizën e rëndë të refugjatëve kosovarë gjatë luftës së Kosovës.
7.Ilir META: Njësoj si Majko, edhe Meta e provoi dy herë detyrën e kryeministrit por, në ndryshim nga gjithë të tjerët, kishte karizmin më të fortë dhe stofin më të mirë për lider i PS-së. Besimi që kishte në vetvete dhe ambicia e madhe bën që të ngutej duke u shkëputur nga PS-ja për të krijuar një parti familjare të formatit shpk, ku mblodhi kryesisht socialistë të inatosur me… Nanon. Si kryetar i shpk-së kapi edhe drejtimin e Kuvendit, ku do mbahet mend si çorbaxhiu më i madh i seancave plenare. Liria që i dha Berishës për të folur pa hesap, pati veç një të mirë; atë të diskreditimit të PD-së dhe njehsimin e Bashës si lider kukull. Majën më të lartë të karrierës ka detyrën e Presidentit. Nga një sërë veprimesh ka lënë të kuptohet se ende nuk është shkëputur shpirtërisht nga pjella e vetë politike. Mungesa e besimit dhe dyshimit e ka bërë që edhe aksionet e shpk-së t’ia trashëgojë bashkëshortes, duke e sakrifikuar nga funksioni i Zonjës së Parë.
8.Edi RAMA: Është nga ato prurje që i përkasin shkollës promovuese të Fatos Nanos dhe frymës liberalizuese të tij për t’u dhënë dorë të rinjve, Majko, Meta, Rama, etj. Kryetar aktual i PS-së. Fitues i 4 palë zgjedhjesh bashkiake (njëra e grabitur) dhe 2 zgjedhjesh parlamentare, është lideri me sukseset më të mëdha politike në këto 27 vjet në PS dhe Shqipëri. E ka mundur kundërshtarin historik të PS-së, Berishën, në çdo përballje, bile edhe në vitin 2009, e cila mund të konsiderohet një fitore morale nga ana e Ramës. Sa kohë Berisha refuzoi t’i hapte kutitë dhe t’i numëronte, bile u ngut t’i digjte, unë e konsideroj atë si frikë për t’u përballur me të vërtetën që ndodhej brenda. Rimori një mandat të dytë me aksiomën: “edhe i vetëm , trim në luftë”, duke i hyrë detit me këmbë e duke besuar si pakkush se do t’ia dilte. Tregoi sinqeritetin më të madh me aleatin e mandatit të parë duke e lutur për 6 muaj rresht për të lidhur sërish aleancë. Kur nuhati që edhe aleatët e vetë po bënin pakt me kundërshtarin duke dashur ta nxjerrin jashtë loje, bëri një manovër të jashtëzakonshme politike duke bërë marrëveshje me Bashën. Ky ishte një bast personal i Ramës edhe brenda PS-së dhe, me atë, ai mori përsipër të gjitha kostot që do rridhnin në rast të një rezultati negativ. Por, me vetëm katër elementë: timonin, tepsinë, kazanin dhe dy gishtat lart, ai ia doli të fitojë bindshëm zgjedhjet. Sot për sot Rama është oratori më i mirë politik, me një përdorim të shkëlqyer të ironisë therëse të cilën kundërshtarët e tij, në kushte inferioriteti, për të mos u dukur të tallur në publik, e akuzojnë se ai përdor fjalë fyese. Ka arritur të njohë, si psikologjinë e kundërshtarit politik, ashtu edhe të popullit. Rriskon duke ndërmarrë nisma me kosto të lartë politike, por ka ditur t’i shpjegojë mirë ato dhe çuditërisht është mirëkuptuar nga populli duke u votëbesuar.
9.Gramoz RUÇI: Një nga personalitetet më të shquara të PS-së, palca dhe shtylla kurrizore e kësaj partie, njeri që me karakterin e tij është i vetmi që balancon të gjithë rrymat në PS duke marrë praktikisht rolin e një katalizatori. U ofrua nga PPSH si gjak i ri në prag të rënies së regjimit komunist, por pati sinqeritetin të mos bëjë hipokritin duke kaluar në kampin tjetër, por punoi e luftoi për ta reformuar PS-në nga brenda dhe jo si kundërshtar i saj. Nuk u provua kurrë si qeveritar pas vitit 1991, por në krye të Kuvendit të Shqipërisë po tregon se është një shtetar i lindur dhe kandidati më i shkëlqyer i PS-së për t’u bërë Kryetar Shteti në të ardhmen. Me përvojën e madhe që ka në politikë, askush mos të ketë dyshimin më të vogël se ai do të jetë personifikimi më absolut që mëshiron ajo detyrë, përfaqësues i unitetit të popullit. Ndonëse ka një lidhje të fortë shpirtërore me PS-së, ai do të ishte Presidenti më i paanshëm që ka njohur Shqipëria në këto 27 vjet, duke e konkurruar në këtë aspekt vetëm zoti Moisiu.
10.Damian GJIKNURI: Një nga ministrat më të suksesshëm të kabinetit Rama dhe reformator i vendosur. Për këtë arsye i janë besuar edhe pesha të rënda të portofolit ministror, për të cilat ai ka dhënë prova se ka shpatulla që t’i mbajë. E “meta” e tij më e madhe është se, edhe kur nxehet, nuk e kupton që është i nxehur. Në dy fushata zgjedhore, atë si i deleguar në Dibër për zgjedhjet vendore dhe në qarkun Vlorë për zgjedhjet parlamentare, tregoi se është një organizator i shkëlqyer politik. Nuk ka ngutje për t’u dukur si lider dhe është një perspektivë shumë e mirë për PS-në në të ardhmen.
11.Niko PELESHI: Në rast se Damian Gjiknurin nuk e kupton kur është i nxehur, për Niko Peleshin duhet thënë se është për t’u bërë merak nëse nxehet ndonjëherë ky njeri?! I suksesshëm si kryetar i bashkisë Korçë, u ftua ta japë përvojën e tij edhe në qeverisjen qendrore. Ndonëse puna e tij në mandatin e parë nuk ishte shumë publike për shkak të postit që mbante, tani që ka marrë portofolin e Bujqësisë po shihen hapat e mëdha me të cilat kjo ministri po e shkund këtë sektor që ishte kthyer në vatër parazitizmi partiak dhe dallaveresh politike.
12.Saimir TAHIRI: Eh, dilema më e madhe në PS, pasi emri i tij shihej si pasuesi më potencial post Rama. Nga të vetmit në PS që arriti majat duke mos u promovuar fillimisht si deputet, por duke i ngjitur vetë shkallët e karrierës duke nisur nga komisioner i thjeshtë i PS-së në qendrat e votimit. Ishte figura politike ndër të rrallat në llojin e tij në PS që nuk luante me dy porta, as me Berishën, as me Bashën, as me Metën, por i kishte ata kundërshtarë pa kompromis qysh në krye të herës dhe luftën politike me ta e kishte të vërtetë e jo sa për sy e faqe publikut. Ministri më sportiv që pëlqente motorët e rëndë, skafet, kalçetot, pub-et, shëtitjet në këmbë, estetikën. Po, dhe dua të ndalem pak tek kjo e fundit, sepse ishte ai që i hoqi ministrisë që drejtonte zhulin më të madh që ajo e mbante për 25 vjet rresht dhe ku ministrat hynin e dilni, prisnin e përcillnin delegacione pa fund, në një godinë që ndjeje neveri sa herë kaloje atypari. Ai ishte ministri që futi kulturën civile në komisariate, duke rekrutuar në masë elementin femër, si dhe duke ngritur zyrat e shërbimit të pritjes së popullit me kushte komode e plot dinjitet njerëzor, ku shërbejnë vajza të reja, aq sa ta ka ënda të bësh një xhiro vizuale nëpër ato zyra. Ministri që shkatërroi plantacionet e Lazaratit dhe uli kriminalitetin në vend në nivele historike, por që mban mbi supe fatin e keq që e ndoqi gjatë vitit 2016, ku bima e kanabisit mbuloi Shqipërinë. Kishte kurajën që të mos e fshihte, bile shoqëronte edhe vetë personalisht gazetarë vendas e të huaj në plantacionet e zbuluara, por që i doli situata nga kontrolli dhe nuk diti të veprojë me po atë vendosmëri që tregoi në Lazarat. Naiviteti që tregoi pastaj edhe me çështjen e makinës që ia shiti kushërinjve trafikantë droge, të cilët abuzuan me të, bëri që t’i shumëzohen me zero gjithë arritjet e mëhershme, duke i dhënë një goditje të fortë karrierës së mëtejshme politike.
13.Erion VELIAJ: Emri më potencial për të marrë stafetën e drejtimit të PS-së, kur Edi Rama të ketë vendosur të jetojë jetën e tretë të tij. Njihet për prirje lidershipi qysh në bankat e gjimnazit “Sami Frashëri”, ku spikat si senator, ideator dhe organizator i shkëlqyer. Rama pati meritën që i hapi dyert e PS-së, pasi Veliaj ishte tashmë i afirmuar si përfaqësues i shoqërisë civile. Është nga të paktët e shoqërisë civile që hoqi dorë nga roli i lehtë dhe i përjetshëm i kritizerit dhe erdhi një moment që tha: “ndal, do marr edhe unë rolin e rëndë dhe përgjegjësinë për të treguar çfarë di të bëj, jo çfarë të tjerët duhet të bëjnë.” Dhe, me të vërtetë Rama qëlloi në shenjë duke e bërë Veliajn pjesë të PS-së, fillimisht si ministër ku, për herë të parë ajo lloj ministrie, nga një ministri periferike që e drejtonte minoriteti grek, u kthye në ministrinë më të rëndësishme të qeverisë. Për të vijuar më pas tek suksesi i tij më i madh, Bashkia e Tiranës, ku diti të nxjerrë në pah anën e tij më të shkëlqyer, drejtimin në grup. Motivues jo vetëm për stafet, por edhe për punëtorët e thjeshtë të bashkisë, ai diti të ngrejë një mekanizëm bashkiak që punon si orë zvicerane, ku secili di punë që duhet të bëjë dhe llogaridhënien që duhet të japë për arritjet ose jo të angazhimeve dhe objektivave. Ka aftësinë ta reklamojë punë që bën dhe për këtë shpesh akuzohet nga kundërshtarët që e shohin në fakt me zili. Ka shumë njerëz në këtë botë që punojnë, por puna nuk u ka duk pasi nuk janë të zotë ta shfaqin atë dhe bile ata e vuajnë shpirtërisht këtë gjë, sidomos kur shohin që meritat e punës së tyre i korrin të tjerët. Veliaj është nga ajo specie që edhe punën e bën, edhe di ta përcjellë atë tek publiku. Puna si kryetar bashkie do t’i japë eksperiencën e nevojshme që nesër të jetë potencial i gatshëm për të drejtuar PS-së dhe qeverinë.
PARTIA DEMOKRATIKE:
Kjo parti, në këto 27 vjet, ka njohur veç një gjel i cili ka kënduar sa i ka dash qejfi, nga mëngjesi gjer në darkë dhe asnjë pulë aty brenda kotecit nuk ka bërë zë. Edhe ato pak pula që kakarisën dhe gjetën një të çarë për të dalë nga koteci, u rikthyen sërish aty pasi e panë që s’i fekondoji askush tjetër. Historia e kësaj partie është mishërimi më i mirë për ata që s’e kanë njohur regjimin komunist, se si ka funksionuar ai regjim. Që nga plaçkitja e pronës së tjetrit, që nga eliminimi i kundërshtarëve, që nga hartimi i dosjeve shantazhuese, që nga promovimi i dallkaukëve, që nga manipulimi i votës, që nga… Por, le t’i shtjellojmë me radhë se cila ka qenë elita që ka promovuar partia që solli demokracinë dhe që në fakt i vuri njollë këtij termi kaq fondamental, të cilët unë i kam përmbledhur në 11 personazhe:
1.Sali BERISHA: Në 105 vjet shtet shqiptar, Historia e Shqipërisë ka tri emra politikanësh mbi të cilat njerëzit do të bëjnë krahasimet: koha e Zogut, koha e Enverit dhe koha e Saliut. Ai doli nga zyra e Xhelil Gjonit për të rrëzuar diktaturën, duke i mbetur barrë mbi shpinë Shqipërisë dhe PD-së për 27 vjet me radhë. Shqipëria pati fatin e zi që në tri kohët e saj u drejtua nga tri satrapë, por nëse dy të parët e bënin në kushte gjysmë diktature apo diktature të plotë, Saliu e zhvilloi diktaturën duke e kamufluar nën petkun e demokracisë. Pra, ishte më i pa sinqerti dhe i pabesi nga të tri ata. Sepse, në kohën e dy të parëve njerëzit e dinin që po të flisnin kundër tyre ata do t’i vrisnin, kurse Saliu i vriste pasi ua kishte njohur të drejtën për të folur kundër tij. Në këtë mënyrë ai vrau edhe çdo frymë opozitare brendapërbrenda PD-së që ia kundërshtonte këtë demokraturë që kish ngritur ai. Po e mbyll me kaq, sepse për gjëmat e Saliut dhe karakterin e tij duhen romane që t’i shtjellosh.
2.Azem HAJDARI: Lideri i vërtetë i dhjetorit ’90, por dhe naivi më i madh i post komunizmit. Hidhej në aventura të rrezikshme kur përballej me Sigurimin e Shtetit dhe frikej përpara Berishës. Ia lejoi vetes të përdorej prej tij, duke pranuar të përjashtohej dhe të afrohej sa herë donte Berisha. Shihte se si bënin karrierë brenda PD-së ish sigurimsa dhe vijonte e hante veten me dhëmbë që pse s’i hynte në zemër Berishës. Ishte gati të jepte edhe jetën për Berishën duke u përballur me kundërshtarët politikë, pa e ditur se do ta jepte jetën për çështje gjakmarrje të jetëve që kish marrë Berisha. Mbeti thjesht, lider i përkohshëm.
3.Aleksandër MEKSI: Kryeministri i parë i demokracisë, qeveria e të cilit pati barrën historike të transformimit të Shqipërisë. Hija e rëndë e Presidentit nuk e la të ngrinte kokë dhe të tregonte personalitetin e tij në qeverisje. Nuk pati as kurajë të jepte dorëheqje në krizën e vitit 1997, duke iu bindur urdhrit të Berishës i cili e shihte këtë gjë si çështje krenarie personale. Kur e dha atë, e kisha marrë ferra uratën, kështu që edhe ai u bë pis me emrin e Berishës.
4.Eduard SELAMI: U bë Kryetar i PD-së pasi Berisha u bë President dhe iku nga sytë këmbët në SHBA për të shpëtuar kokën nga trimat e Sali… Berishës. Shihej në ato vite si kryetar në ekzil i PD-së që kur të vinte do ta shpëtonte këtë parti nga uzurpimi. Kultura që zotëronte si dhe ajo e fituar në Amerikë, ishin në antitezë me kulturën prej bajraktari të Berishës, gjë që u pa që nuk ngjizi as në rikthimin e tij të madh në vitin 2013, ku nuk la gjurmë në politikën shqiptare.
5.Tritan SHEHU: Kryetar i PD-së që pasoi në detyrë Selamin. Ka korrur fitoren më të thellë për PD-në në zgjedhjet e vitit 1996 me 99.99% të votave dhe humbjen më të thellë të kësaj partie në vitin 1997. Mbahet mend si politikan që donte t’i ngjasonte Berishës në zë dhe gjestikulacione, por kulmin që e bëri të njohur në të gjithë Shqipërinë e pati kur u tha që i kishin rrasur preshin në gojë në korridoret e stadiumit të Lushnjes.
6.Bamir TOPI: Ish numri 2 i PD-së dhe një investim i Berishës. Shihej si pasues i Berishës, por vetëm pasi ai të kishte ikur nga kjo botë. Nga të paktët e atyre viteve që kishte stof lideri. Kishte një vetëpërmbajtje të admirueshme në artikulimet publike dhe forcë argumentuese. Nuk kishte karizmin e Berishës, por serioziteti i kishte hije. U katapultua në vitin 2007 në detyrën e Presidentit për t’i hapur rrugë Lulzim Bashës. E kuptoi këtë dhe ruajti një linjë pavarësie nga Berisha duke i qëndruar strikt detyrimeve kushtetuese. U bë armik i betuar i tij gjatë zhvillimeve dramatike të 21 janarit 2011. Pas mandatit krijoi dhe drejton një subjekt politik, por që nuk ka ngjitur në elektorat.
7.Jozefina TOPALLI: Investim i Berishës për ta promovuar, por jo më shumë se sa kryetare Kuvendi. Besnike e linjës së tij dhe përfaqësuese e vijës së ashpër. Drejtuese e keqe e seancave që i kthente në kllounadë me pasthirrma dhe komente që ia ulnin përtokë vlerat që mbartte mbiemri i saj i vajzërisë. Kishte marrë fizionominë e një gruaje të ashpër dhe inatçie, gjë që ishte pengesë për të qenë lidere përbashkuese e të gjithë rrymave në PD. I pëlqente kur e lajkatonin si Grua e Hekurt, por në realitet rezultoi se ishte veçse një Grua e Qelqtë. Suksesin e shihte vetëm nga mbështetja e Berishës dhe sapo ajo i mungoi, përfundoi në pension.
8.Majlinda BREGU: Publiku e njihte me herët si folëse e lajmeve në TVSH, pastaj ajo pati një periudhë pauze publike ku qëndroi thjesht si pedagoge e Shkencave Sociale, deri sa i erdhi momenti të shpërthejë në prag të zgjedhjeve të vitit 2005, në kuadër të hapjes së PD-së ndaj elementit të ri që i përbashkoi KOP-i. Mund të konsiderohet si promovim i Berishës, por vetëm sa për imazh publik. Hyn tek elementët pozitivë dhe me karizëm, duke drejtuar me pasion, sukses dhe shumë sharm ministrinë e Integrimit. Ishte nga ato lloj prurjesh që xhelozonin edhe vetë Ramën, i cili e ka shfaqur më se njëherë simpatinë politike që kishte ndaj saj. E shmangur me lezet nga Lulzim Basha si element antiparti dhe rrezik eminent për të ardhmen e tij politike. Gëzonte emër të mirë në publik si dhe një përkrahje të admirueshme ndërkombëtare. Nuk dihet se sa përkrahje gëzonte në bazën e partisë për t’u bërë alternativë drejtimi, pasi nuk guxoi të përballej në zgjedhje me Bashën.
9.Bujar NISHANI: President aksidental që i zuri vendin Artan Hoxhës ose për të qenë korrekt: rrugës për President u nis Artani dhe në Presidencë u bitis Nishani. Kjo hyn në analet e historisë shqiptare si një nga kllounadat që shpikte mendja “gjeniale” e Berishës, edhe kur bëhej fjalë për gjëra kaq serioze e solemne. Dhe, kur të tillë personazhe pranojnë të përdoren në këtë mënyrë, padyshim edhe Presidenca e tyre do të jetë qesharake. Nuk ia vlen ta zgjas më tej, pasi nuk dua ta bëj qesharak këtë shkrim.
10.Sokol OLLDASHI: Lider politik i lindur dhe që priti kohën e vet që të piqej për të ofruar atë çka mund të jepte. Orator e me gjuhën brisk. U promovua si ministër i Brendshëm ku pati suksese në shpartallimin e një sërë bandash. Megjithatë nuk i shpëtoi as vetë akuzave për shoqëri me grupe kriminale. Ana më e errët e tij është marrja e mandatit në Shijak përballë Agron Dukës, ku ishte gati të bënte edhe gjakderdhje për atë mandat. Iku nga kjo botë me dyshimin e madh që, më shumë se vdekje në aksident, ishte një aksident për të humbur gjurmët e vdekjes. Nëse do të ishte gjallë, pas vitit 2017 do i kishte zbythur me shqelma nga PD-ja si Berishën ashtu edhe Bashën dhe për këtë kjo dyshe ishte e ndërgjegjshme. Prandaj e sabotuan qysh në zgjedhjet vendore të Tiranës, ashtu dhe në ato për kryetar të PD-së, tek e cila Olldashi u tregua për herë të fundit luajal me Berishën duke pritur të bënte goditjen e madhe në rastin më të parë, pa e ditur se do ikte ashtu siç iku.
11.Lulzim BASHA: Pritmëria më e madhe e Berishës, por edhe brenga më e madhe e tij. I besoi servilizmit të tij dhe paranojës që pasuesi duhet të jetë doemos një besnik i verbër, edhe kur kjo shoqërohet me paafti drejtimi. Berisha besonte se mungesën e përvojës së Bashës do t’ia kompensonte ai, duke e mbajtur partinë të mbledhur, pa e ditur që një lider, sado besnik të jetë, vjen një moment që kompleksohet nga të qenit nën tutelë dhe do që të tregojë veten se ç’di të bëjë. Berisha i besoi sërish duke i lënë nismë të lirë në zgjedhjet e 2017-ës dhe aty pa se si i shkërmoqej partia përpara syve. Vërtetë Rama e mundi Berishën politikisht, por Basha ka meritën që e mundi atë shpirtërisht. Sot Berisha është i pafuqishëm të kërkojë llogari, sepse proçka që ka bërë Basha është investim i tij direkt. I vetmi investim në këto 27 vjet që Berisha e bëri me vullnet të lirë e të plotë. Berisha deklaroi te “Zonë e Lirë” se: “sa herë kur nuk kam rrezikuar, kam humbur.” Në rastin e Bashës, ai rrezikoi dhe humbi. Në të vetmet raste kur nuk ka humbur është kur ka rrezikuar Shqipërinë.
Konkluzion:
Tri janë liderët historikë të Shqipërisë 1990 – 2018: Sali Berisha, Fatos Nano dhe Edi Rama. Secili prej tyre ka edhe meritën që ka promovuar dhe nxjerrë në pah personalitetet që do t’i pasojnë ata pas largimit të tyre nga skena politike. Bëhet fjalë për personalitete që janë mbështetur dhe promovuar personalisht prej tyre, prandaj këtu nuk po fus ata që kanë dalë me nismë personale më pas. Sepse, me këtë rast, dua të bëj dallimin midis tyre, të kësaj tresheje që ka dominuar Shqipërinë në këto 27 vjet, për të gjykuar publiku se çfarë cilësie na kanë ofruar. Megjithatë, për të mos i ngrënë hakun, po fus në këtë listë promovimi edhe Lulzim Bashën, jo si lider historik, por si lider transitor.
Te Parta Demokratike:
Sali Berisha ka promovuar: Sali Berishën, Sali Berishën, Sali Berishën, Lulzim Bashën.
Lulzim Basha ka promovuar: Grida Dumën, Ervin Salianjin, Agron Shehajn, Klevis Balliun.
Te Partia Socialiste:
Fatos Nano ka promovuar: Pandeli Majkon, Ilir Metën, Arben Malajn, Edi Ramën.
Edi Rama ka promovuar: Damian Gjiknurin, Niko Peleshin, Saimir Tahirin, Erion Veliajn.
(TemA)
Leave a Reply