Për të disatën herë gjatë viteve të fundit, kryeministri Edi Rama njoftoi në faqen e tij në Facebook se qeveria që ai drejton ka marrë një ofertë për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, një premtim i përsëritur elektoral i tij.
“Kemi kërkesën zyrtare për investimin e madh strategjik të aeroportit të ri kombëtar të Vlorës,”shkroi Rama pa dhënë detaje. “Deri në qershor, hapja e kantierit”, shtoi ai.
Pak më vonë, Ministria e Infrastrukturës dhe Ekonomisë deklaroi se oferta është dhënë nga një konsorcium me tre kompani, Cengiz Construction, Kalyon Construction dhe Kolin Construction dhe se kjo ofertë do t’i nënshtrohet vlerësimit nga kjo ministri si dhe nga Ministria e Financave para se të merret një vendim.
Rama ka deklaruar disa herë më parë plane për aeroporte por pa sqaruar se si kanë ecur këto plane. Në dhjetor 2015, ai pati folur për kërkesa të besueshme për aeroportin e Kukësit, atë të Vlorës dhe atë të Sarandës.
” Unë ju siguroj se vitin e ardhshëm ne do të kemi liri në territorin e Shqipërisë, për ndërtim aeroportesh të rinj, përtej rrezes 80 kilometra perimetër nga Rinasi. Ky është objektivi ynë dhe ne këtë do ta realizojmë patjetër. Sot që flasim, për 3 projekte nga ato që fola, kemi tre kërkesa konkrete shumë të besueshme, për aeroportin e Kukësit, aeroportin e Sarandës dhe aeroportin e Vlorës,” tha Rama në 30 dhjetor 2015.
Shqipëria ka aktualisht vetëm një aeroport civil, i cili u privatizua nga qeveria socialiste në vitin 2004 me një kontratë 20 vjeçare. Kontrata e koncesionit përfshiu edhe një klauzolë shumë të debatuar të ekskluzivitetit. Kompania që menaxhon koncesionin, Tirana International Airport, realizoi gati 1.9 miliardë lekë fitime, me një normë fitimi prej 35% mbi të ardhurat. Qeveria aktuale ra dakord në prill 2016 që të zgjasë afatin e koncesionit me minimalisht dy vjet të tjera për këtë kompani në shkëmbim të së drejtës për të hapur aeroportin ekzistues të Kukësit si dhe me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të mundshëm të një aeroporti të ri në Vlorë.
Ndërsa po mbushen dy vjet nga dita kur Shqipëria fitoi të drejtën të vë në punë aeroportin e Kukësit duke zgjatur kontratën koncesionare të Rinasit, situata nuk ka ndryshuar. Kukësi vijon të mbetet aeroport i mbyllur dhe Rinasi vijon të mbetet monopol.
Zgjatja e afatit të kontratës së Rinasit pritet t’i kushtojë shqiptarëve dhjetëramilionë euro shtesë. Kontrata fillestare duhej të skadonte më 2024 ndërsa kontrata e re do të vijojë së paku deri në vitin 2026.
Leave a Reply