• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
ILIR HASHORVA/ Komunizmi shqiptar dhe feja
Home
Blog

ILIR HASHORVA/ Komunizmi shqiptar dhe feja

January 16th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

“Një ndër pikat e forta të sistemit komunist është se ka disa nga karakteristikat e fesë dhe të nxit emocionet e saj”– Albert Ainshtaj  

Duke filluar me Revolucionin Francez, duke vazhduar me atë komunist e më pas me atë nazist, feja dhe klerikët janë luftuar, por asnjë revolucion nuk e luftoi fenë dhe klerikët aq ashpër dhe aq pa mend sa komunizmi shqiptar.

Përse e luftoi aq egër komunizmi shqiptar fenë? “Për ta shpëtuar popullin nga prapambetja intelektuale” – thanë komunistët. “Për t’i zënë vendin asaj dhe për të qeverisur më lehtë” – thanë kundërshtarët e tyre. Këto, padyshim, kanë brenda pjesë të së vërtetës. Por, ka edhe arsye të tjera. Sipas Biblës, në Urdhëresën e Parë, Zoti i thotë Moisiut, dhe përmes tij, njerëzimit: “Nuk duhet të kesh Zot tjetër përveç meje.” Komunizmi donte të kishte zotin e tij, i cili duhej të ishte, po ashtu, i vetëm: Udhëheqësi i Partisë. Një arsye tjetër pak më e fshehtë është se feja në përgjithësi synon t’i vejë fre dalldisë së njeriut për të bërë ndryshime të shpejta të diktuara nga psikologjia dhe politika e çastit. Ajo kërkon që njeriu t’i bindet disa rregullave që janë provuar prej shekujsh si më të mirat, si më të qëndrueshmet dhe si më të moralshmet. Komunizmi kërkon të krijojë njeriun e vet, me psikologji të re. Feja e pengon këtë krijim. Kështu, për komunizmin, feja është pengesë serioze për krijimin e njeriut të tij të ri, prandaj ajo duhet fshirë.

Nga të gjitha doktrinat dhe organizimet që ka shpikur njeriu, doktrina fetare dhe organizimi institucional i saj kanë qenë nga më jetëgjatët. Shumë doktrina të tjera, organizime, shtete të fuqishme apo perandori, fillimisht në dukje si të përjetshme, u shuan. Feja mbeti. Totalitarizmi modern e kuptoi forcën e fesë dhe desh ta shfrytëzonte për vete. Komunizmi si një lloj totalitarizmi, i kopjoi fesë thelbin e doktrinës dhe të organizmit dhe, kështu, ai, dashje pa dashje, krijoi një fe të re, fenë e tij.

Elie Wiesel thotë se komunizmi është një lloj feje, një lloj feje mesianike që nuk ka Zot, por ka Mesi. Mesia, shpëtimtari, i panjolli, i caktuari i Zotit, është udhëheqësi, komandanti, duçja, fyreri apo lideri i cili, ashtu sikundër Zoti, vetëm lëvdohet për çdo punë që bën.

Feja është në të vërtetë totalitarizëm i pastër, ajo është totalitarizmi fillestar. Në format ekstreme, fanatizmi dhe fundamentalizmi fetar, sidomos ato të besimeve monoteiste, nuk janë gjë tjetër veçse shëmbëlltyra të totalitarizmit politik, apo anasjelltas, totalitarizmi politik nuk është gjë tjetër veçse shëmbëlltyrë e totalitarizmit fetar.

Përfaqësuesi më tipik i totalitarizmit politik, Shefi i Gjermanisë Naziste, Adolf Hitler, ka dhënë disa mendime, në librin e tij “Mein Kampf” për ndërtimin e një shteti të fortë e të qëndrueshëm nazist që do të jetonte për 1000 vjet e që duken të bazuara në mësimet e fesë: në mësimet e institucionit më jetëgjatë, të Kishës Katolike.

Së pari, thotë ai, që të triumfojë një rend i ri, duhet të shkatërrojë rendin e vjetër. Rendi i ri nuk mundet dhe nuk duhet të bashkëjetojë me rendin e vjetër apo me një rend të ndryshëm. Ai duhet të përdorë çdo mjet për ta luftuar dhe shkatërruar rendin e vjetër dhe të gjitha idetë e tij. Rendi i ri duhet të bëjë atë që ka bërë krishterimi i cili “nuk u kënaq me ngritjen e një tempulli të vet, por shkatërroi edhe tempujt paganë.” Intoleranca është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e një rendi të ri. Intoleranca duhet të shkojë deri në terror dhe krishterimi ishte i pari që futi terrorin psikologjik dhe, më pas, edhe atë fizik.

Së dyti, thotë Hitleri, nga doktrina e përgjithshme e rendit të ri, duhet të zgjidhen një numër idesh dhe formulash që do të kenë efekt të madh mbi individët të cilat do të jenë mbështetëset e asaj doktrine. Ato duhet të shërbejnë njëlloj si motivet fetare që të lidhen emocionalisht me çështjen, me doktrinën.

Së treti, me kohë, edhe pse mund të lindë nevoja e ndryshimit të disa parimeve të doktrinës apo të riformulimit të tyre, nuk duhet ndryshuar asgjë. Po u bënë ndryshime, sipas Hitlerit, efektet mund të jenë fatale. Diskutimet për ndryshime do të çojnë në konfuzion të përgjithshëm. Ndryshimet bëjnë që të ngjallen dyshime për doktrinën. Shembulli, vazhdon ai, duhet marrë përsëri nga Kisha Katolike e cila nuk ndryshoi kurrë asnjë parim edhe kur ai binte në konflikt me zbulimet e kohës. Ajo kishte kuptuar se forca e qëndresës së saj do të bjerrej nga futja e adoptimeve doktrinale në përshtatje me përfundimet e shkencës. Kisha Katolike qëndroi e fortë, sepse mbeti e lidhur ngushtë me dogmat e vendosura. Po ashtu, sistemi politik mbetet i fortë kur nuk ndryshon. Mos ndryshimi i jep atij karakterin e fesë, të besimit.

Një sistem totalitar pra, për të pasur jetëgjatësinë e një sistemi fetar, duhet të shkatërrojë çdo pikëpamje, filozofi apo individ që nuk i shkon atij për shtat. Një sistem totalitar duhet të krijojë njerëz të bindur deri në fanatizëm. Fanatiku politik nuk duhet të ketë ndryshim nga fundamentalisti fetar. Devotshmëria ndaj sistemit totalitar duhet të jetë e njëjtë me devotshmërinë ndaj besimit fetar. Një sistem totalitar duhet të jetë dogmatik. Ai nuk duhet të bëjë asnjë ndryshim në idetë e veta, nuk duhet të revizionojë atë çka mund të diktohet nga koha apo nga fakte të reja.

Komunistët përvetësuan thelbin e fesë, u vunë emra të rinj shumë prej elementëve të skemave organizative të fesë apo të pjesëve të doktrinës së saj dhe vetë fenë e zhdukën si të mos kishte qenë kurrë. Komunistët luftuan më shumë krishterimin katolik, prej së cilit edhe adoptuan më shumë. Janë interesante të vëmë në dukje këtu disa shembuj adoptimesh komuniste të fesë, të cilat do t’i jepnin komunizmit real shqiptar tiparet e krishterimit mesjetar.

Le ta fillojmë me diçka tipike fetare, me lutjen. Të krishterët luten: “Lëvduar qoftë Jezu Krishti” – komunistët: “Lavdi Marksizëm Leninizmit,” “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë,” “Rroftë sa malet Shoku Enver Hoxha.” Këto janë lutje, këto janë thirrje, këto janë parulla që kanë si bazë lutjen fetare.

Të krishterët betohen: “Për Zotin,” “Për Krisht” – komunistët: “Për Ideal të Partisë,” “Për nder të Partisë.”

Të krishterët kanë Zotat e tyre, trininë – komunistët: trininë e tyre, klasikët, Marksin, Engelsin, Leninin

Të krishterët kanë Mesinë, Krishtin – komunistët: Marksin

Të krishterët katolikë kanë Papën – komunistët: Enver Hoxhën i cili, për nga rëndësia vendoset midis Krishtit dhe Papës

Të krishterët kanë 12 dishepujt e Krishtit – komunistët kanë anëtarët e Byrosë Politike, që në disa raste janë 12, aq sa dishepujt e Krishtit

Të krishterët kanë Biblën – komunistët: Historinë e Partisë së Punës dhe veprat e Shokut Enver

Të krishterët mbajnë kryqin në qafë – komunistët: mbajnë teserën e anëtarësisë në Partinë në xhep a në trup

Të krishterët kanë simbol kryqin – komunistët: yllin

Të krishterët kanë pagëzimin – komunistët: pranimin në parti

Të krishterët kanë kishën – komunistët: qendrën e edukimit të partisë në punë, dhomën e partisë, apo qendrën e frontit në lagje

Të krishterët pyesin se në cilën kishë shkon – komunistët: ku e bën jetën e partisë?

Të krishterët kanë kongregacionin e tyre – komunistët: organizatën bazë të partisë

Të krishterët kanë djakonin, dhjakun – komunistët: komunistin në stazh partie

Të krishterët kanë priftin – komunistët: sekretarin e partisë, apo komisarin

Të krishterët kanë kardinalin – komunistët: sekretarin e partisë së rrethit

Të krishterët kanë dioqezat – komunistët: komitetet e partisë së rretheve

Të krishterët kanë Sinodin e Shenjtë – komunistët: Komitetin Qendror

Të krishterët kanë katekizmin – komunistët: format e edukimit në parti

Të krishterët kanë inkuizicionin – komunistët: hetuesinë politike

Të krishterët kanë heretikët – komunistët: armiqtë e partisë, të deklasuarit, reaksionarët

Të krishterët kanë mallkimin – komunistët: kritikën

Të krishterët kanë rrëfimin – komunistët: autokritikën

Të krishterët kanë shëlbimin – komunistët: dhënien e dorës nga partia

Të krishterët kanë shkishërizimin – komunistët: përjashtimin nga partia

Të krishterët kanë ferrin dhe parajsën – komunistët: kapitalizmin dhe komunizmin

Të krishterët kanë Dhjetë Urdhëresat – komunistët: Dhjetë Cilësitë e Komunistit

Të krishterët kanë njeriun besimtar fundamentalist – komunistët: njeriun me partishmëri, komunistin e flaktë

Të krishterët luten në kërkim të shpëtimit, duke filluar me rrëfimin, dhe pastaj vazhdojnë me premtim, me betimin, me lëvdimin e Zotit, me falënderimin e Zotit dhe, në fund, me kërkesën – komunistët: nisin me diskutimin i cili fillon me hyrjen dhe vazhdon me lavdërimin e partisë, me kërkesën, me autokritikën dhe me angazhimin.

Të krishterët kanë ditët e emrit të shenjtorëve – komunistët: ditëlindjet e udhëheqësve

Të krishterët mbajnë në shtëpi portrete apo statuja të Krishtit, të Shën Mërisë apo të shenjtorëve të tjerë – komunistët: fotografitë apo statuja të udhëheqësit

Të krishterët ngrenë dolli për lavdinë e shenjtorëve të tyre – komunistët: për jetëgjatësinë e udhëheqësit apo të partisë

Të krishterët përgjithësisht martohen brenda fesë së tyre – komunistët: martohen brenda partisë, domethënë komunisti me komunisten

Të krishterët kanë Santa Claus-in dhe Pemën e Krishtlindjeve – komunistët: Plakun e Vitit të Ri dhe Pemën e Vitit të Ri.

Të krishterët katolikë kanë rrymë devijuese protestantizmin – komunistët: revizionizmin.

*Shënim: Ky shkrim është marrë me shkurtime nga libri im “Gandi, analiza dhe komente për Gandin dhe gandizmin”.

(TemA)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ANATOLE KALETSKY/ Si mund ta ndryshojë Britania mendjen për Brexit
Previous article ASTRIT PATOZI/ Të shkosh në luftë me himnin e paqes(rehatit)

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k