Viti 2018 do të jetë një nga vitet më të rëndësishme për fatet e futbollit shqiptar i cili pritet që të ndryshojë drejtim, ose dhe mund të vijojë në të njëjtën rrugë. Në këtë vit do të zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit ku pritet që këtë rradhë të zhvillohen zgjedhje të denja dhe jo zgjedhje fars, siç janë zhvilluar që nga viti 2002 kur kreu aktual Armand Duka u zgjodh në krye të këtij institucioni.
Për herë të parë posti i Dukës ndihet i rrezikuar pasi një nga emrat që po lakohet për të qenë rival i tij është ai i një figure të rëndësishme në vendin tonë, siç është Bashkim Fino që gjithsesi duhet theksuar se ende nuk e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij (ashtu si edhe Duka) por gjasat janë të mëdha që të jenë të dy në garë për postin e presidentit në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Emri i Finos ka vënë në panik kreun aktual të FSHF-së pasi ashtu siç edhe vetë ai e ka deklaruar është një person me një karrierë të pasur dhe të sukseshme, duke qenë një nga politikanët e rëndësishëm të vendin tone si dhe një ish kryeministër që ka drejtuar me dinjitet shtetin shqiptar në periudha jo shumë të lehta.
Futbolli shqiptar ka më shumë se kurrë nevojë që të ketë një ere të re ndryshimi, duke qenë se për gjatë gjithë këtyre 16 viteve që Duka ka mbretëruar në krye të këtij institucioni investimet në futbollin tonë kanë qenë me pikatore. Shumica ka qenë vetë iniciativa të presidenteve të klubeve siç është rasti i Flamurtarit apo dhe Partizanit, por që nuk kanë pasur asnjë përkrahje nga ky institucion, kjo për faktin se janë dy klube që kanë dalë publikisht kundër mënyrës se si po drejtohet futbolli.
FSHF-ja është gjithnjë në qëndër të akuzave në çdo fund të kampionatit dhe kjo me të drejtë, pasi ne gjithnjë kemi parë që fituesi i titullit ka marrë një dorë të madhe nga ky institucion për ta marrë trofeun. 2017-ta (ka edhe vite të tjera) e vërteton qartë këtë fakt pasi ne kemi një klub kampion si Kukësi që mori një titull skandaloz ku çdo gjë u vendos nga ana e arbitrit Enea Jorgji, i cili kishte marrë porosi që të merrte vendime në favor të verilindorëve. 2017-ta tregoi se futbolli shqiptar sa vjen e përkeqësohet pasi ne pamë që një nga ndeshjet historike Vllaznia-Tirana që gjithnjë luftonin për titull, këtë vit u përballën se kush ekip do të mbijetonte. Vllaznia shpëtoi, ndërsa Tirana klubi me 24 tituj kampion luan në Kategorinë e parë. Në 2017-tën u detyruam të shihnim sërish ndeshje qesharake ku hapeshin portat në mënyrë të turpshme duke na përforcuar idenë se futbolli luhet në zyra dhe jo në fushë.
Dhe kjo ka sjellë që ne sot të kemi një rënie të frikshme të tifozave në shkallët e stadiumit të cilët e kanë humbur besim dhe motvimin për të ardhur në stadium. Në 16 javët e para të këtij sezoni në Kategorinë Superiore në asnjë sfidë edhe në ato kryesoret stadiumet kanë pasur një numër jo të lartë të tifozve. Kjo për shkak se besimi për të parë ndeshje të vërteta ka rënë dhe pandëshkueshmëria ndaj ekipeve që zhvillojnë ndeshje qesharake dhe dyshuese nuk ekziston. Dënimet vendosen për ekipet që janë kundra FSHF-së dhe për gjëra më të rënda mbyllin sytë për të pritur kompesimin në zgjedhje për tu marrë votën.
Presidenti Duka është një nga personat më të padëshiruar nga futbolldashësit shqiptar të cilët nëse do të kishin të drejtë vote do ta kishin larguar një orë e më parë.
Eshte ai i cili ofendohet në kor pothuajse në të gjithë stadiumiet shqiptare për menyren se si ai e ka drejtuar futbollin duke e kthyer në një garë jo të ndershme.
FSHF-në e kanë kthyer si prone private duke abuzuar me fondet e UEFA-s, mjafton të përmendim fondin e solidaritetit apo dhe aktivitetin e “Grassrot-s” duke mos kursyer as femijet e vegjël të cilët nuk i siguroi asnjë kusht por i lëshoi nëpër trotuare.
Tani kërkon mbështetje nga Zoti për t’i dhënë fuqi që të vijojë këtë rrugë që e ka nisur që nga viti 2002, duke premtuar sërish investime edhe pse gjatë gjithë këtyre viteve askush nuk e ka penguar dhe mundësitë për t’i realizuar nuk i kanë munguar për asnjë moment dhe kur nuk i ka bërë në gjithë këto vite, as ka për t’i bërë ndonjëherë!
Në këtë mënyrë 2018 është një vit shpresdhënës për futbollin shqipar që ka më shumë kurrë nevojë për një ndryshim dhe për tu ringritur. Ka nevojë për motivim dhe figura të reja për sjellë gjëra positive dhe në dobi të të gjithve. Ka nevojë për një drejtues që t’i tratojë të gjithë ekipet si të barabarta dhe të mos bëhet faktor për të përcaktuar fituesin e titullit. Ka nevojë për një drejtues që të mos abuzojë me fondet dhe tu jap mbështetje të rinjve që të merren me sport pasi besimi ka rënë.
Duka ka të drejtën e tij që t’i lutet Zotit por ai nuk ka çfarë i jep më futbollit dhe largimi i tij do të ishte një ngjarje e madhe për sportin shqiptar për tu ringritur pas 16 viteve mjerim.
Leave a Reply