E dëgjuar pas 27 vitesh, nga një gjeneratë e re e vendit, thirrja e dhjetoristëve “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, përfaqëson një sfidë, përmbushja e së cilës, është testi për tu bashkuar me Europën.
E thënë shkurt, transformimi i këtij vendi është rruga drejt Bashkimit Europian.
Por sa e ka kuptuar dhe kapur këtë mendësi politika shqiptare? Përgjigjen mund ta gjejmë në mënyrën se si e intepretuan dje simbolikën e 8 Dhjetorit, politikanët tanë.
Në njerën anë, në emër të partisë që lindi si forca shtytëse drejt përmbushjes së kësaj aspirate, Sali Berisha foli dje për rrëzimin e dhunshëm dhe hedhje në Lanë të Edi Ramës, në një kohë kur për dy herë rradhazi në zgjedhjet parlamentare, ky sistem i lirisë i ka provuar atij, se forca e votës mund të të dërmojë më keq se dhuna. Se vendi dhe politika kanë evoluar aq shumë, sa rrëzimi me dhunë fizike i politikanëve, do të ishte një shenjë e turpshme regresi.
Së dyti, vumë re se si përkoi në mënyrë simboilike ky 8 Dhjetor i ëndrrës europiane, me vlerësimin e lartë që dhanë institucionet e Brukselit për progresin tonë në rrugën e reformave drejt BE.
Presidenti i PE, ai i KE dhe shefja e politikës së jashtme, vlerësuan në këtë Dhjetor, se Shqipëria është shumë afër hapjes së negociatave, falë reformave të kryera.
Kjo tregon se ëndrra e dhjetoristëve, që nisi nga përmbysja e sistemit të vjetër, është ngritur në stadin e lartësimit të sistemit të ri, që ata kërkuan. Ne jemi sot përballë sfidës së reformave që mund ta bëjnë këtë vend si gjithë Europa, për të shkuar te Europa (Bashkimi Europian).
Por progresi i kësaj ëndrre të dhjetoristëve, u përbalt dje nga kreu aktual i PD, Lulzim Basha që thotë se 27 vite më pas, ne jemi në udhëkryq, të kapur nga krimi, droga. Domethënë, Basha zeron me një fjali, gjithë rrugëtimin e vështirë politik që kanë bërë dhjetoristët e partisë që ai zaptoi, ndoshta edhe arritjet e Berishës, aq më tepër të Edi Ramës, në një diskurs baltosës për Shqipërinë.
Dreqi ta hajë! Le ta supozojmë se Shqipëria është vërtet në udhëkryq, se Basha ka të drejtë… Një përpjekje pozitive ama, sado të vogël, do ta gjente cdo politikan, të paktën aq sa për të treguar se ka ende shpresë. Fjala vjen: energjia e të rinjve që mbajnë gjallë këtë vend.
A e dëgjoi njeri Bashën dhe Berishën të flisnin për rolin që mund të luajë rinia në shëndoshjen e sistemit dhe transformimin e një vendi?
Të dy e trajtuan rininë si “mish për top” të politikës, si grupimin ushtarak që po të bëhet bashkë, ia shemb turinjtë politikanëve. Një qasje politike agresive të cilën, me thënë të drejtën, të rinjtë e shoqërive përparimtare nuk e përtypin dot.
Përkundër kësaj, dje pasdite pamë një shembull shumë më pozitiv për rolin që rinia mund të luajë në shoqëri. Atë të të rinjve ekselentë që besojnë se në Shqipërinë e vitit 2017, vetëm forca e dijes dhe mëndjes mund ta zbythë injorancën politike.
Secili nga shembujt që ata të rinj sollën dje në takimin me Kryeministrin Rama, për historinë e tyre të suksesit brenda dhe jashtë vendit, janë dëshmia që ne jemi në një stad tjetër. Jo në atë të implementimit të një sistemi (sic kërkuan dhjetoristët), por në atë të përmirësimit, transformimit të sistemit të trashëguar prej tyre, sistemit të lirisë. E kjo sfidë kërkon më së pari energjinë dhe vokacionin e të rinjve.
Të rinjtë nuk mund të jenë simbolika e një energjie destruktive për të cilën flet Sali Berisha dhe PD.
Sot Partia Demokratike organizoi një protestë të vogël, të rinjsh në Shkodër, kundër qeverisjës së Ramës, e cila në pamje të parë të ngjan një inskenim në kuadër të simbolikës së Dhjetorit 1990: pra të rinj që ngrihen kundër sistemit!
Por drejtuesit e PD duhet të kuptojnë se nuk mund të jenë e njëjta gjë, një lëvizje kauza e të cilës ishte aq e pastër dhe sinqertë, e mbajtur gjallë nga idealet, me një grumbullim të rinjsh që përserisin një referen të mësuar nga kryetari.
Kjo është një formë e turpshme me të cilën PD e sotme fyen simbolikën e dhjetorit 1990, e zvogëlon vlerën e saj thjesht dhe vetëm, për të mbajtur në këmbë lojën e asgjesimit të kundërshtarit me cdo formë.
Kjo fushatë nuk dëmton as imazhin e Edi Ramës, që me gjasme, nuk e dashkan të rinjtë e Shkodrës apo ata që e fishkëllejnë në pallatin e sportit, më shumë se sa poshtëron simbolikën e Dhjetorit, rolin e të rinjve.
Duket se PD, me në krye Sali Berishën, po kërkon ta grabisë këtë simbolikë, për qëllime politike, duke e përdorur atë si plaçkë politike.
Të rinj që protestojnë kundër kryeministrit ka kudo në botë dhe është mëse normale të ndodhë edhe në Shqipëri. Por kur ata marrin në dorë pankartat me mesazhet agresive, baltosëse të kryetarit të partisë, në ditët simbolike të një ngjarjeje që ndryshoi 27 vite më parë kapitullin e historisë, kjo është për ardhur keq!
Leave a Reply