“Lista shqiptare” në Luginë të Preshevës është e vetmja shpresë, shansi i fundit, një nevojë imediate, e kohës dhe si një zë i vetëm dhe i përbashkët për në mbrojtje të të drejtvave të shqiptarëve të rajonit, artikulimin e drejtë të kërkesave të tyre politike, si ndaj Beogradit, por edhe ndaj Bashkësisë ndërkombëtare
Sikur shqiptarët e Luginës të “shkrinin” të gjitha grupimet e tyre politike dhe të pajtohen të formojnë një grupim të madh politik, apo një “Platformë politike kombëtare”, “Listën shqiptare për PMB”, (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), të njëjtin model siç e kanë serbët e Kosovës dhe kjo padyshim të mbështetet dhe kordinohet nga Tirana dhe Prishtina, atëherë kjo do të ishte ndoshta shpresa, apo zgjidhja e fundit dhe më e mirë në këtë kohë në mbrojtje të të drejtave dhe artikulimin e kërkesave të tyre qytetare e politike në atë rajon.
Se çfarë do të ishte reagimi ndërkombëtar nuk e dijmë, por çfarë do të jetë reagimi i Beogradit, modelin e kemi parë kohë më parë në Maqedoni, sidomos me të ashtuquajturën “Platformë shqiptare” e ndihmuar nga Tirana, të cilën sllavo-maqedonasit e kishin kundërshtuar shumë, por të ndihmuar edhe nga Beogradi duke e rrezikuar stabilitetin e Maqedonisë në një luftë qytetare. Reagimi sllavo-maqedonas ishte shumë i keq, sepse për here të parë shqiptarët e Maqedonisë kishin arritur të bashkohen në një koncept të përbashkët politik dhe padyshim që kjo përbënte rrezik për politikën antishqiptare në këtë shtet.
Ky model, apo kjo formulë duhet të mbështet edhe në Luginë të Preshevës, ku Tirana dhe Prishtina duhet të hartojnë planin e tyre politik dhe jo më të lejojnë grupimet e ndryshme të punojnë në krye në vete. Partitë politike shqiptare në PMB edhe ashtu janë të demoduara, të harxhuara, deri më tani nuk kanë ofruar zgjidhje të kënaqshme të problemve të qytetarëve, bile kohën e fundit janë bërë shumë përçarëse dhe retrograde, po i bëjnë dëmë njëra tjetrës. Ato nuk po munden të ofrojnë asnjë zgjidhje më të avancuar për problemin shqiptarë, më shumë po merren me interesa personale, grupore dhe meskine. Prandaj, ata duhet të shkrihen në një “Listë të përbashkët”, t’i lënë të gjitha interest e ngushta dhe në fokus të kenë interesin kombëtar dhe ky interes arrihet vetëm me një konsensus të përbashkët, pra me një projekt të përbashkët politik, të cilin duhet mbështetur të gjithë.
Tani kur kemi edhe Qeverinë e re në Prishtinë, por edhe Ministrinë e re në Shqipëri, e cila merret me shqiptarët e rajonit, atëherë nuk mbetet gjë vetëm të fillojnë punën dhe iniciativën e re. “Lista e përbashkët shqiptare në PMB” do të ishte shpresa e fundit që do të nxiste një mobilizim më të madh qytetarë, por edhe një reagim më të organizuar dhe më të fortë në raport me Beogradin, faktorin e huaj, por dhe të tjerët. Kjo, do të shtyente edhe drejt zgjidhjes së problemeve të shumta që kanë shqiptarët e këtij rajoni, por njëherësh do të avanconte statusin e tyre politik. Po ashtu, një zë i tyre i përbashkët do të kuptohet më mirë nga faktori i huaj dhe padyshim që kjo do të jetë më dobiprurës se sa deri më tani me këto grupime të shpërndara e me interesa të ngushta klanore e fisnore, të cilat ia kanë zënë frymën kësaj Krahine shqiptare.
Leave a Reply