• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 13th, 2026
  • HOME
BEN ANDONI/ A do adresohen diku 109 mijë votat e PD-2023?
Home
Blog

BEN ANDONI/ A do adresohen diku 109 mijë votat e PD-2023?

April 4th, 2025 F.autor Blog 0 comments

Partia Demokratike e vitit 2023, e cila ishte shkëputur nga Berisha, mundi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale për vetëm 14 bashki. Pa Bashën kryetar, pothuaj të dorëhequr, grupi i njerëzve të PD-së që mëtonin ndryshimin, bëri një luftë gati të pamundur ndaj mekanizmit të pushtetit dhe opozitës asokohe pa sigël, e cila drejtohej nga Berisha dhe që kish nisur një fushatë, ku nuk i kursente denigrimet për kolegët. Ajo që u premtua prej njerëzve të PD-së, e cila drejtohej nga Alibeaj, se do të garonin në të gjitha bashkitë dhe se kishin peshën e duhur të strukturave për ta përballur këtë garë të pabarabartë dështoi ashtu si pritej. Ç’ka do të mbahet mënd nga fushata do të ishte kinse apatia e “Bardhi&Co” dhe dalja e këtij grupimi gjoja si ‘rastësisht’ në fushatën e kandidatëve të PD-së asokohe pa sigël dhe vulë. Lulzim Basha nuk mori pjesë në fushatë dhe paçka se në qarqe të ndryshme dihej se do të rikthehej pas dorëheqjes, ai u shmang në pritje të rikthimit të mirëditur. Aman, Bardhi e Gjekmarkaj dhe pak të tjerë e bënë sabotimin në qarqet e mëdha kundër PD-së, asokohe zyrtare, fare hapur në favor të koalicionit Meta-Berisha “Bashkë fitojmë”. Ata zhbënë premtimin se do të ndihnin partinë e tyre të përcillte kandidatë në të gjithë vendin dhe në formë cinike u bashkuan dhe ndihën kundër partisë së tyre, pa iu dridhur qerpiku.

Kronika e zgjedhjeve tashmë është e vulosur: Në zgjedhjet vendore të vitit 2023 morën pjesë në votime vetëm 38.23% e votuesve të regjistruar në listë. 53 bashki nga 61 në total u fituan nga Kryebashkiakët e PS-së; Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori 7 Kryebashkiakë dhe, një Bashki konkretisht Finiqi ka kryebashkiakë nga Subjekti “MEGA” e Minoritetit Etnik Grek për të Ardhmen. Por interesante ishte se megjithë sabotimet, denigrimet dhe fushatën e vështirë, PD e rrudhur dhe në drejtimin e Alibeajt atëherë mori më shumë se 109.000 vota. Sot këto vota i mëton Basha me grupimin e tij të “Euroatlantikëve” dhe e beson shumë se do ketë akses e duhur, paçka se nuk ishte njeriu që mobilizoi në këto zgjedhje; i kërkon tashmë Alibeaj, i cili është në partinë ”Djathtas-1912” dhe në koalicion me Shehin, kurse në vitin 2023 drejtoi PD-në zyrtare dhe konsiderohej si njeriu i Bashës; i llogarit PD-ja aktuale, që nën drejtimin e Berishës mbart ambicien më të madhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Berisha…; i kërkojnë të Djathtët e tjerë dhe përpiqet t’i nuhasë edhe Rama me manovrimet e tij…Po të kujt do jenë vallë këtej e tutje, këto 109.000 vota?! Parë gjykimin e ftohtë dhe trim të këtij komuniteti në ato kohë të vështira, ku duhej veç logjikës së zgjedhjes dhe vendosmëria; parë masën e tyre mendojmë se do të jetë e vështirë për ta që të gjejnë një identitet, për të cilin të votojnë. Mbase mund të ishin një rezervuar për partitë e vogla të Djathta, por ato me grindjet dhe paqartësinë ideologjike do ta kenë të vështirë t’i tërheqin, ashtu si vetë grupimi nuk mund të përdoret më për kauza të mbetura udhës. Po ku do shkojnë vallë? Mbase me gjasë, Shqipëria sërish do ketë më pak se 50% të votuesve që janë në lista, të cilët do ta shprehin vullnetin e tyre dhe numri i tyre do të zerohet?! Pasi ndryshimi duket ende i largët, për fatin e keq dhe i kërkuar nga njerëz që e duan Shqipërinë të qëndrojë e tillë…nën diktatin e PS-PD dhe nëpërkëmbjeve të tyre.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article YLLI PATA/ Nga Roshi te Doshi, pasojat e “aleancave lokale” të Berishës
Previous article ARTUR AJAZI/ Debate shterpë, pa asnjë vlerë

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Blog Jan 19th, 2026
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

May 22nd, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k