• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
BATON HAXHIU/ Shija e hidhur që më la arrestimi i dhunshëm i Ilir Metës
Home
Blog

BATON HAXHIU/ Shija e hidhur që më la arrestimi i dhunshëm i Ilir Metës

October 23rd, 2024 F.autor Blog 0 comments

Letër reagim ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha

Nga Baton Haxhiu*

I nderuar Zoti ministër,
E lexova me kujdes reagimin tuaj ndaj kritikave të mia dhe të kolegëve të mi analistë në emisionin televiziv, lidhur me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta. Në vijim, dëshiroj të sqaroj disa nga tezat që ngrita në atë diskutim, dhe të theksoj pse i qëndroj besnik atyre fjalive.

Pse po e bëj reagimin?

Së pari, është thelbësore të bëjmë një dallim midis arrestimit dhe poshtërimit.

Një arrestim, edhe kur është legjitim dhe i justifikuar, si në rastin e Ilir Metës, nuk duhet të përfshijë elementë të poshtërimi publik. Edhe pse zoti Meta prej kohësh ka ofenduar dhe fyer drejtësinë. Ka qenë sekret publik se arrestimi ishte duke ardhur.

Megjithatë, pamjet e arrestimit të tij, të shoqëruara nga brutaliteti dhe tërheqja zvarrë, krijuan një perceptim të qartë të një ndëshkimi që shkonte përtej zbatimit të ligjit. Dukej më shumë si një hakmarrje!

Përballja me forcat e rendit kur arrestohet dikush është një realitet, por mënyra se si vepron policia në publik duhet të jetë e kujdesshme dhe dinjitoze, jo të bëj shfaqje të dhunshme për kamerat.

Në diskutimin televiziv, unë theksova që ndëshkimi për korrupsion është i domosdoshëm dhe një veprim i drejtë për të përmirësuar shoqërinë tonë, por ndëshkimi nuk duhet të kthehet në poshtërim publik.

Fajësi nuk do të thotë poshtërim, dhe kjo duhet të jetë një vijë ndarëse që drejtësia e njeh dhe e zbaton.

Policia ka për detyrë të arrestojë individët sipas ligjit, por me respekt për dinjitetin e tyre njerëzor, siç ka ndodhur në shumë vende të tjera.

Ju theksuat përdorimin e fjalës “shije” në mënyrën si u përball policia me situatën, një fjalë që e kam përdorur unë në diskutimin televiziv kur theksova se veprimet e policisë nuk kishin shije profesionale.

Ndoshta, nëse do të kishte pasur më shumë përmbajtje dhe profesionalizëm, nuk do të diskutohej aspak për shije, por për një ndjekje rigoroze të ligjit, pa nevojën për brutalitet dhe shfaqje publike.

Në vend që ta përmirësonit këtë element të rëndësishëm që lidhet me kulturën institucionale dhe respektin për publikun, duket se i qëndruat idesë se “shija” nuk ka vend në një operacion të tillë.

Por duhet të them, shija e keqe që mbeti nga ky arrestim nuk lidhet me përpjekjet tuaja për të zbatuar ligjin, por me mënyrën e nxituar dhe të pamenduar sesi u shfaq gjithçka para syve të publikut.

Një arrestim me shije institucionale nuk do të kishte lënë këtë pasqyrim të brutalitetit, por do të kishte përçuar mesazhin se shteti është në gjendje të ndëshkojë korrupsionin pa u bërë vetë pjesë e një show-i të padinjitetshëm.

Në vend që mediat dhe analistët të fokusoheshin në rëndësinë e akuzave për korrupsion ndaj Ilir Metës dhe të akuzuarve të tjerë, ju e zhvendosët vëmendjen te forma e arrestimit.

Në këtë mënyrë, faji i rëndë ra mbi policinë që nuk e lejoi qytetarin shqiptar të dëgjojë arsyen e vërtetë të akuzave dhe të njohë punën e rëndë dhe të gjatë të prokurorisë.

Me aktin e këtij arrestimi të pamatur, policia ia mori prokurorisë vlerën e një pune shumëvjeçare dhe zbehu rëndësinë e luftës së vërtetë kundër korrupsionit.

Kjo është një humbje për drejtësinë dhe për të gjithë qytetarët që kërkojnë llogaridhënie të vërtetë dhe dinjitoze nga institucionet e tyre.

Një shembull i mirë është arrestimi i Presidentit Jacques Chirac në Francë dhe Lula da Silva në Brazil, por edhe Ivan Sanader në Kroaci, ku pavarësisht rëndësisë së akuzave, procedurat u kryen me dinjitet dhe pa poshtërim.

Arrestimi i Millosheviç-it është arrestimi i vetëm i bërë në mënyre spektakolare. Por natyra e arrestimit ishte edhe mesazh, por edhe detyrim, sepse rreth shtëpisë së tij qëndronin forca që e mbronin dhe adhuronin.

Prej kohësh nuk kemi parë adhurues të Metës në publik.

Në shtetin tonë, Shqipëri, arrestimi i Ilir Metës duhej të përçonte një mesazh të qartë kundër korrupsionit, por ndodhi e kundërta, ai u errësua nga brutaliteti i shfaqjes.

Arsyetimi juaj, në mesazhin reagim, për përdorimin e forcës është i kuptueshëm nga këndvështrimi i protokollit të policisë, por nuk mund të justifikojë shfaqjen e brutalitetit.

Një arrestim që trajtohet me dhunë dhe tërheqje zvarrë përballë kamerave i heq rëndësinë thelbësore lajmit për korrupsion dhe e vendos theksin te veprimet e pamatura të policisë.

Për mua më e mira do të ishte që vetë Drejtori i Policisë së Shtetit të ishte i pranishëm me urdhërin e gjykatës në dorë.

Me këtë akt, Policia dhe ju si Ministër do të vendosnit një ndarje të qartë kulturore ndërmjet një Presidenti të akuzuar për korrupsion, i cili përbalt institucione dhe fyen Shtetin, dhe një policie që mbron dhe nderon imazhin e Shqipërisë.

Brutaliteti nuk është dhe nuk duhet të jetë mënyra se si një shtet i fuqishëm demonstron forcën e tij.

Ndërtimi i një narrative për ndëshkimin nuk duhet të bëhet përmes skenave të dhunshme, por përmes profesionalizmit dhe përmbajtjes kulturore institucionale.

Policia është aty për të zbatuar ligjin, jo për të krijuar spektakle publike që dëmtojnë imazhin e institucioneve.

Në vend që të tregonte përkushtimin e shtetit për të luftuar korrupsionin, ky arrestim përçoi një ndjenjë zhgënjimi dhe mosbesimi, duke krijuar një show mediatik që minoi seriozitetin e luftës kundër korrupsionit.

Prandaj, nuk mund të qëndroj anash dhe të them se s’jam dakord me justifikimet tuaja për mënyrën e ekzekutimit të arrestimit.

Shteti i së drejtës ndërtohet me respekt për procedurat, jo me brutalitet.

Një arrestim si ky duhet të kishte qenë një shembull i qartë i forcës ligjore dhe seriozitetit, por fatkeqësisht përfundoi duke qenë një shembull i forcës së gabuar dhe spektaklit të panevojshëm.

Në vend që mediat dhe analistët të fokusoheshin në rëndësinë e akuzave për korrupsion ndaj Ilir Metës dhe të akuzuarve të tjerë, ju e zhvendosët vëmendjen në formën e arrestimit. Pikë!

Në këtë mënyrë, faji i rëndë ra mbi Policinë që nuk e lejoi qytetarin shqiptar të dëgjojë arsyen e vërtetë të akuzave dhe të njohë punën e rëndë dhe të gjatë të prokurorisë dhe SPAK-ut.

Me aktin e këtij arrestimi të pamatur, Policia ia mori Prokurorisë vlerën e një pune shumëvjeçare dhe e zbehu rëndësinë e luftës së vërtetë kundër korrupsionit.

Kjo është një humbje për drejtësinë dhe për të gjithë qytetarët që kërkojnë llogaridhënie të vërtetë dhe dinjitoze nga institucionet e tyre. Pikë!

*Titutlli origjinal – Shija e Hidhur e Brutalitetit: Kur Drejtësia Humbet në Spektakël

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ILIR YZEIRI/ Fundi i dhunshëm i një tranzicioni të gjatë
Previous article NAMIR LAPARDHAJA/ Lufta më e vështirë, me atë pjesë të shoqërisë që e sheh te hajduti heroin dhe njeriun e zotë

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k