Për shumë arsye, rezultatet e zgjedhjeve në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit mund të shërbejnë si një letër lakmusi për zgjedhjet që mbaruan e ato që do të vijnë. Disa nga arësyet më të rëndësishmet janë të renditura në vijim:
• Problemet që kanë konstatuar vëzhguesit e OSBE/ODHIR-it në mënyrë periodike në zgjedhjet shqiptare kanë qenë të lokalizuara në provinca të ndryshme apo në bashki/fshatra të tjera të qarkut Tiranë, por asnjëherë në kryeqytet (përjashtim bën vetëm viti 1996).
• Rezultati elektoral në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit ka qenë gjithnjë barometër politik i zgjedhjeve të rradhës dhe atyre pasardhëse, ngaqë kryeqyteti përbën një konglomerat demografik të krahinave të Shqipërisë.
• Vetëm 10 vjet më parë, gara elektorale në kryeqytet përfundoi me fotofinish (ku edhe ambasadori amerikan përveshi mëngët në numërimin e votave…). Në atë garë, PD, LSI, PDIU etj përkrahën Bashën për kryebashkiak, ndërsa PS, PSD, etj. përkrahën Ramën.
• Historikisht, në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit, është regjistruar përqindja më e ulët e votave të pavlefshme (përjashtim bën vetëm viti 2019, kur opozita i bojkotoi zgjedhjet lokale). Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, vetëm 2.2% e votave në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit dolën të pavlefshme (në rang republike, dolën 5.1% të pavlefshme).
• Pavarsisht ndryshimeve e lëvizjeve demografike në 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit, nuk ka ndryshuar shumë numri i pjesëmarrësve në zgjedhjet gjatë dekadës së fundit – rreth 253 mijë vota të vlefshme ishin më 2011; rreth 285 mijë ishin më 2021. Duke mbajtur parasysh faktorët e mësipërm, vlen të analizojmë rezultatet e 25 prillit 2021 për 11 minibashkitë origjinale të kryeqytetit. Si kudo në Shqipëri, PD-ja pati një rritje të ndjeshme të peshës elektorale në kryeqytet – mori 38.2% të votave, nga 28.2% që kishte marrë para 4 vjetësh. Por kjo rritje 10-pikëshe erdhi kryesisht në kurriz të LSI-së, së cilës iu përgjysmua pesha e saj elektorale (si dhe pjesërisht në sajë të PDIU-së, që u shkri me listat e PD-së kësaj here).
Nga ana tjetër, PS-ja mori 49.2% të votave (nga 51.2% para 4 vjetësh), sepse në kurriz të saj u rrit aleatja e vogël PSD. Sidoqoftë, nqs bëjmë një krahasim me zgjedhjet e 2011-ës, kur partitë politike ishin të rreshtuara në mbështetje të Ramës apo Bashës njësoj si sot, vëmë re se PS+PSD morën më 25 prill 51.7% të votave dhe PD+LSI 44.3% (partitë e vogla në mes morën 4%). Vetëm në tre minibashki, PS+PSD nuk arritën ta kalojnë 50-përqindëshin e votave të vlefshme (në minibashkitë 8, 9 dhe 11), ndërkohë që rezultatin më të lartë e arritën në minibashkinë 1, me 55.5% të votave.
Nga ana tjetër, PD+LSI arritën ta kalojnë 50-përqindëshin vetëm në minibashkinë 8, me 51.5% të votave. E detajuar analiza e mësipërme është ilustruar në grafikun dhe tabelën e mëposhtme, të cilat duhen analizuar me vemndje nga kushdo që don të jetë kryetari apo kryetarja e PD-së më 13 qershor…Grafiku 1
Tabela 1. Peshat elektorale në 11 minibashkitë e kryeqytetit më 25 prill
| Minibashkia | PS | PSD | LSI | PD | Te tjera |
| 1 | 52.4% | 3.1% | 6.0% | 34.7% | 3.8% |
| 2 | 48.0% | 2.3% | 5.8% | 39.5% | 4.3% |
| 3 | 48.6% | 5.2% | 6.2% | 36.5% | 3.5% |
| 4 | 49.4% | 4.0% | 5.9% | 37.4% | 3.3% |
| 5 | 52.0% | 2.4% | 6.5% | 34.0% | 5.1% |
| 6 | 53.6% | 1.7% | 7.0% | 34.4% | 3.3% |
| 7 | 48.8% | 1.8% | 5.9% | 38.8% | 4.6% |
| 8 | 42.9% | 2.8% | 6.6% | 44.9% | 2.9% |
| 9 | 47.1% | 1.9% | 5.3% | 41.6% | 4.0% |
| 10 | 50.2% | 1.7% | 5.2% | 38.0% | 4.9% |
| 11 | 45.4% | 2.3% | 5.8% | 43.1% | 3.5% |
| Kryeqyteti | 49.2% | 2.6% | 6.1% | 38.2% | 4.0% |



Leave a Reply