• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
BEN ANDONI/ E megjithatë do na udhëheqi nacionalizmi pozitiv
Home
Blog

BEN ANDONI/ E megjithatë do na udhëheqi nacionalizmi pozitiv

May 25th, 2021 F.autor Blog 0 comments

Teksa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin pafund në paradhomat e Brukselit procedurën e anëtarësimit, në thelb një burokraci e hidhur, Evropa ka rastin ta shohë në realitet parabolën e Kafkës te “Portat e Ligjit”. Nëse jo te rasti i Shqipërisë, e cila lëshoi shumë nga krenaritë 1për hir të integrimit, fqinjët lindorë të saj negociuan deri me identitetin.

Kjo duket sikur nuk i jep as edhe një lloj shansi ndryshe nacionalizmit në Shqipëri. Ata, pak nacionalistë patetikë, që ngrenë të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”, duken sikur kanë dalë nga tekste historie, kur vendi s’ishte formësuar si shtet; ashtu si politikanët kur mundohen të kërcënojnë me pamundësinë. Kjo e fundit, kur përdoret para Brukselit i bën politikanët sot të pabesueshëm, qoftë edhe para qytetarëve. Tek e fundit, një qeveri si kjo e Shqipërisë, që ta gëzojë mandatin e tretë duhet të ketë sigurinë e drejtimit, bash atë besueshmëri që vjen nga poshtë. Pikërisht, bashkësia e njerëzve me unitetin dhe identitetin e tyre historik i jep legjitimitet punës së një qeverie. Veçse s’mund të jetë aspak rasti i Shqipërisë, e cila fatkeqësisht përcjell një ndarje të thellë të së Majtëve dhe të Djathtëve. Për më tepër, ndarja është kaq e madhe saqë qyteti dhe ligjet që bëhen aty pothuaj janë të paperceptueshëm në zonat rurale. Elektorati, që sot paradoksalisht e mban dhe e ushqen këtë elitë politike, nuk ka të qartë në shumë raste se kur e delegon votën për përfaqësuesin e vet, ajo shkëputet dhe nuk e përfaqëson më. Tashmë i takon identitetit të kryetarëve të partive, që me sistemin zgjedhor në vend, qeverisin. Dhe sot…” interesat fraksionale formojnë parti qëllimi i të cilave nuk është më të qeverisin në interes së të gjithëve, por të plaçkitin për hir të grupit”, shkruan Roger Scruton në esenë “The Need for Nations”.

Ky është një nga momentet e kthjellimit, kur njerëzit kujtohen për strehimin te nacionalizmi. Përcillen kujtimet e vlerave, por edhe sesi nacionalizmi na bashkon në kohë paqeje apo kur përballë shfaqen armiq të paparashikuar, si në rastin e pandemisë së Covid-19. Shqipëria dhe vendet e vogla përballë pandemisë panë solidaritetin e munguar ose se çfarë do të thoshte të lëshojë pé në dëm të nacionalizmi për hir të vlerave të përbashkëta, që u zhdukën sikur të mos ekzistonin kurrë. Dhe, qeveria shqiptare njësoj si shumë syresh, ua kërkoi sakrificën bash qytetarëve pa u thënë se ajo duhet për vlerat e Evropës dhe ca më shumë për Brukselin, ftohtësia e të cilit sot u është futur në asht shqiptarëve. Identiteti na ruajti kur u lidh me nacionalizmin.

Kushdo që përball sfidën sot i thërret ndjenjës kombëtare, ku brenda lodrojnë masat e empatisë së përgjithshme njerëzore të sakrificës për hir të të tjerëve, bash atë zakon mental, që demokracitë shoqërore normalisht nuk e inkurajojnë. Dhe, “përgjigja e tyre ndaj krizës së Evropës zbulon se shteti komb nuk është më problemi por zgjidhja – ai përmban brenda vetes motivet e vetme për të cilat politikanët tani mund të apelojnë, kur efektet e projektit evropian më në fund po ndjehen në të gjithë kontinentin”, na vjen në ndihmë ideologu i së Djathtës Scruton.

E gjithë kjo sjellje e dyzuar, ku nacionalizmit i shfaqemi dhe i tërhiqemi ka brenda atë rrezik të madh për pjesët tona të pambrojtura të shoqërisë, para të cilëve kalojmë aq indiferëntë apo atë që John Ralston Saul e quajti “nacionalizëm pozitiv” – i cili në të vërtetë lidhet me shqetësimet e njerëzve të një vendi për identitetet kombëtare dhe tregon bash përpjekjet që bëjnë subjektet shoqërore të margjinalizuara për t’u përshtatur në rregulla , të cilat na kërkojnë t’i kemi sipas kanoneve të Brukselit, por që zemra na thotë se është më mirë t’u shkojmë atyre të nacionalizmit pozitiv, kur jetonim dhe integroheshim realisht së bashku.

Kjo është mbase e mira e nacionalizmit, që mesa duket do t’i qasemi sërish në këtë kohë…madje edhe pafrikën e Brukselit. (Okruženje)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Gjykata Kushtetuese çertifikon shkeljen e Kushtetutës nga Ilir Meta
Previous article ARTUR AJAZI/ Si mund të ketë zgjedhje të reja në PD, pa dorëheqjen e kryetarit ?

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k