• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Berishizmi në katedër
Home
Politikë

SKËNDER MINXHOZI/ Berishizmi në katedër

January 27th, 2021 F.autor Blog, Politikë 0 comments

Kur një ish-komandant i Gardës së Republikës rishfaqet në media pas dhjetë vjetësh që trupat e tij të armatosura kanë vrarë katër civilë të paarmatosur në bulevardin kryesor të Tiranës, mund të mendosh pa shumë vështirësi se diçka e madhe e ka nxjerrë atë nga qetësia dhe anonimati i një dekade.

Kur më tej, në të njëjtin dhjetëvjetor, ish-ministri i brendshëm i asaj dite fshihet dhe bën sikur nuk dëgjon, nuk shikon dhe nuk kupton, sërish mund të mendosh se diçka fatale që lidhet me këtë ditë, ja ka mbyllur gojën atij dhe të tjerëve.

Kur sheh gjithashtu sesi një pjesë historikisht servile e shtypit, gazetaria e rimelit të 21 janarit, vrapon edhe një herë që të riciklojë pallavrat e dhjetë vjetëve më parë (e çoi Rama në pritë, i vrau shefi i opozitës, qeveria s’kishte ç’të bënte se ishin të dhunshëm, kishte plane për të vrarë kryeministrin etjetj), atëhere kupton se krimi më i madh shtetëror i dekadës së fundit vazhdon të përcëllojë në errësirë ndërgjegjet e përgjegjësve politikë, por edhe t’ua lidhë gojën e t’u vështirësojë frymëmarrjen atyre qe dje në opozitë, premtonin gjëra krejt të ndryshme, nga tufa me lule në Bulevard çdo përvjetor.

21 janari ka të bëjë i gjithi me Sali Berishën. Me shtetin e tij, me stilin e tij drejtues, me arroganëcën ndaj nocionit të protestave të kundërshtarëve, me shkeljen masive, ende të pandëshkuar të ligjit, me refuzimin e hetimeve nga drejtësia, ndalimin e arrestimeve të autorëve të dyshuar apo zhdukjen e kamerave e regjistrimeve elektronike të asaj dite.

Një dekadë pasi kjo ngjarje tragjike është regjistruar në memorjen kolektive të shqiptarëve, PD e sotme, prej tetë vjetësh e drejtuar nga një kryetar që nuk quhet më Sali Berisha, provon se kur e prek në “nervin e zbuluar” që quhet 21 janar, reagon si në kohë të Berishës. Asnjë ndryshim, asnjë brerje sado e vogël ndërgjegjeje, asnjë retifikim i historisë. Përkundrazi, mercenarë të vjetër e të rinj rifshaqen nëpër televizione, për t’i rënë edhe një herë avazit laraghjoz të “grushtit të shtetit”. Të një puçi i cili u hetua edhe nga një komision parlamentar që nuk parit as guximin ligjor të përpilojë raportin final për hetimet.

Berishizmi ka qenë dilema e madhe e PD së pas 2013. Ka qenë hija makbethiane e Lulzim Bashës, që nuk e ka lënë asnjë çast të jetë vetvetja. Nga Gërdeci tek Rruga e Kombit, nga Marrëveshja Detare me Greqinë tek 21 janari, PD e bashkë me të e gjithë opozita e sotme, nuk pati kohë këto 8 vjet jashtë pushtetit, të bëjë as pastrimin e pjesshëm të gropave septike që la pas hapur Sali Berisha.

Tek sheh këtë sjellje tërësisht refraktare, të ngurosur e të pandjeshme, e kupton lehtë se përse vetë ish-kryeministri hyn në listat e kandidatëve duke përqeshur seriozitetin fals të Bujar Nishanit e të tjerëve në komisionin e verifikimit të kandidaturave.

PD e sotme vazhdon të jetë e Berishës. Nuk është shumë, por është e sigurt. Prandaj ata që vijojnë ta konsiderojnë këtë rrethanë si një faktor force në përballjet elektorale, zakonisht kanë dalë të mërzitur prej tyre. Një parti që refuzon të mësojë, është zakonisht një parti që do të pësojë. Berishizmi vazhdon të jetë në katedër. Basha vijon të jetë në auditor duke mbajtur shënime…

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ERION BRAÇE/ E majta e leshit!
Previous article ASTRIT PATOZI/ Po zihen kush e bën më të mirë kasaphanën

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k