Kronikë bardhezi në zinë e bardhë të ikjes tënde, shenjtërisht të fisme e pamatshëm të dhimbshme!
Sepse ti kurrësesi nuk mund të ikje ndryshe!
Gjithë jetën tënde e jetove fisshëm, duke na dhënë Rikardin që kush nuk do të donte t’i ngjante.
Na dhe Rikardin; njeriun e virtytshëm dhe aktorin e papërsëritshëm, bashkëshortin dhe prindin gjithë dashuri, na dhe regjisorin e guximshëm e gjurmëshënjues në filmin shqiptar.
Por, në të njejtën përmasë na dhe edhe Rikardin muzikant, instrumentist të talentuar, piktor dhe shkrimtar të përjetimeve realiste, i cili bujarisht na e fali të gjithë botën e vet me aq art dhe elegancë zotnie, me aq shpirt dhe shenjtëri frymëzimi, si dëshmi e një përmase të epërme e krejt të veçantë të madhështisë tënde.
Të madhështisë tënde të fisme e të pazhurmë… Na dhe gjithçka. Pa na kërkuar asgjë. Ndaj sot, në ditën e përcjelljes, të falem nderit me mirënjohje për gjithçka bëre e na dhe, si pakkush!
Dhe ike mirësisht i bardhë dhe madhërisht i paqtë në këtë ditë zi dhe pikëllimë Rikard Ljarja!
Ike në amëshim… Të ndrittë shpirti mik, shok, vëlla!



Leave a Reply