Nga Mentor Kasa
“Si t’ua shpjegoj unë francezëve që gjithçka po shkon kaq mirë saqë do të hapim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, kur qindra e qindra e qindra shqiptarë kërkojnë azil në Francë?!”. Me këtë pyetje Presidenti francez, Emmanuel Macron u “fsheh” pas qytetarëve të tij për të justifikuar vendimin e prerë të Parisit për një “JO” të madhe për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Shqiptarët nuk e zbuluan sot Francën dhe as Franca nuk u prezantua sot me shqiptarët. Parisi është vendi që vulosi gjymtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Paqes në fund të Luftës së Parë Botërore, por edhe shtëpia e dytë e shumë shqiptarëve të famshëm, një pjesë e mirë e të cilëve pasi shkuan atje si azilantë ja kthyen shumëfish borxhin e mikpritjes falë mundësive që u dha.
Parisi dhe Franca është shtëpia e Ismail Kadaresë, Inva Mulës, Ermonela Jahos, Tedi Papavramit, e regjisores Liri Begeja, e Edvin Muratit, Rudi Vatës e Lorik Canës dhe e dhjetëra shqiptarëve të tjerë të njohur e të panjohur që me ambicien e përbashkët për një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre punuan e punojnë fort e ndershmërisht në një vend që u ofron mundësitë.
Prandaj, zoti Macron, nëse nuk ke se çfarë t’u thuash qytetarëve të tu se përse i hape negociatat me Shqipërinë, folu atyre përmes veprave Kadaresë. Ata që nuk ja njohin veprën, emrin e tij mund ta gjejnë sa herë që ndahen çmimet Nobel për Letërsinë, një çmim që ndoshta s’e meriton më Kadarenë, pas fitores nga Peter Handke.
Nëse ka ende të tjerë që nuk të kuptojnë, mund t’u flasësh përmes notave e vokalit tumbues të Inva Mulës e Ermonela Jahos, e t’i qetësosh më pas me tingujt dehës të violinës së Tedi Papavramit. Nëse ndonjë marsejez nuk kupton as letërsinë e Kadaresë dhe as notat muzikore të Inva Mulës, Ermonela Jahos dhe Tedi Papavramit, atëherë kujtoi Lorik Canën, ish-kapitenin e tyre.
Kaq e largët duket 2015, apo e mban mend zoti Macron kur Parisi dhe mbarë bota përgëzuan dhe vlerësuan mesazhin e përcjellë nga përfaqësues të feve kryesore në Shqipëri parakaluan dorë për dore në nderim të viktimave të sulmit terrorist mbi redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo”?!
Po një vit më vonë kur Shqipëria hyri për herë të parë në Europian, a i mban mend titujt e mediave franceze: “Shqiptarë, hajdeni sa herë të doni”, ku në brendësi të artikujve vlerësohej tifozeria shqiptare që ditën e ndeshjes ecte përkrah tifozerisë vendase, e ku asnjë incident nuk u regjistrua?! Kjo sjellje merrej si kundërshembull i pamjeve të turpshme të përleshjeve të dhunshme mes tifozëve rusë e anglezë në Marsejë dhe qytetet e tjera të Francës.
Po në ndeshjen direkte, a i mban mend 90 minutat e takimit ku shqiptarët debutues luajtën si të barabartë përballë Francës, të zotëve të shtëpisë dhe pretendentëve kryesorë për ta fituar trofeun? Në fund ju e fituat atë takim dhe mbase do të fitosh edhe me qëndrimin kundër pjesës dërrmuese të vendeve të BE-së për hapjen e negociatave, por fjala e fundit nuk është thënë ende. Ne do të luajmë sërish më 17 nëntor, për të matur sërish forcat në fushën e blertë.
Zoti Macron shqetësimi që ju ngrini nuk mbështetet as nga shifrat. Shifrat, sipas Eurostat, thonë që janë rreth 10 mijë kërkesa azili nga shtetas shqiptarë në 2018 në Francë. Sa peshë “problematike” mund të krijojë një shifër e tillë për një komb me 70 milionë banorë të shtrirë në një hapësirë prej 640 mijë kilometrash/katrorë dhe me Prodhim të Brendshëm Bruto mbi 3 trilionë dollarë?
Jo vetëm kaq, por këto shifra bëhen akoma më të papërfillshme e qesharake nëse merret mesatarja e kërkesave të shqiptarëve për azil të pranuara, që sipas Eurostat është rreth 2 për qind. Pra, zoti Macron, Ju po refuzoni 3 mln shqiptarë për 200 shqiptarë të tjerë që mund të fitojnë azilin në Francë.
Ndaj, më shumë se një shqetësim real në Francë, ne këtu me të drejtë mund të mendojmë se azilantët po përdoren nga Ju si pretekst për ambicien e tuaj personale për të ndryshuar rregullat e brendshme të Bashkimit Europian në përplasjen për dominim me Gjermaninë, ku ne si gjithmonë në këto raste, patëm “qimen e derrit” dhe qëlluam në mes.
Leave a Reply