Mero Baze
Shqipëria u përballë me një ngjarje të pazakont, dy ditë më parë. Presidenti i vendit paralajmëroi një tërmet katastrofik, bazuar në disa lajme portalesh dhe filloi tu kërkoj llogari ministrave dhe kryeministrit, përse nuk merrnin masa ndaj tërmetit.
Publikim i letrës së presidentit, ishte një moment delikat, pasi të gjithë mendonin, se ishte një sajim, për tu tallur me gjëndjen e rënduar emocionale të tij kohët e fundit.
Por situata u bë shumë serioze, kur këshilltarët e tij u shfaqën në konferencë shtypi dhe filluan të polemizojnë me ata që talleshin dhe ministrat që nuk po merrnin masa për tërmetin.
Cdo komedian në botë, që do të niste kështu një kryevepër komike, do të druhej se mos dilte jashtë realitetit.
Komedia këtu nuk qëndronte tek lajthitja e Presidentit, por më keq akoma, tek serioziteti i stafit që mbronte teorinë, se tërmetet parashikohen. Do të mjaftonte një e qinda e kësaj injorance, që dikënd që e thotë këtë publikisht dhe akoma më keq, i veshur zi zyrtar i shtetit, ta nxjerrësh nga zyra, të parin si të çmendur dhe të dytët si budallenj.
Por tani po shikoj se kjo çështje duhet të merret seriozisht. Pasi e pa që u përball me një valë tallje dhe barcaletash, Presidenti vazhdoi të dal çdo ditë në konferenca për shtyp, duke folur për krizën politike dhe për rrugëzgjidhjet e tij, që janë “të keqen e tërmetit”.
Presidenti për shembull, flet për zgjedhje presidenciale më 13 Tetor. Në fakt më 13 Tetor nuk ka zgjedhje fare, por dhe sikur të kish, Shqipëria nuk e zgjedh presidentin nga populli, por në parlament. Më tej flet për zgjedhje parlamentare, zgjedhje lokale, lë amanete kush do jetë në presidencë pas tij, i premton lule Ramiz Alisë tek varri, etj.
E gjithë kjo vjen se ne nuk morëm seriozisht çështjen e tërmetit. Kur ai tha një gjë aq të rënd, aq banale, aq injorante, aq komike, aq skizofrenike, dhe mbi të gjitha të padëgjuar kurrë nga ndonjë president, në gjithë kohërat dhe në gjithë botën, ai u bind se tani mund të thotë çdo ditë nga një budallallëk dhe të jetë në rregull me veten.
Një shoqëri normale, duhet ta merrte seriozishtë kur parashikoi tërmetin. Nuk po flas për procedura ligjore, për masa të jashtzakonëshme, apo shkarkim nga detyra, por për hirë të seriozitetit të vendit, dhe në respekt të institucionit të presidentit, ai duhet të izolohet nga publiku për arsye etike. Keqpërdrimi i një njeriu me probleme mendore, sidomos kur është në postin e presidentit, përveç se është një poshtërim kombëtar, krijon dhe një problem serioz me autoritetin e institucionit në të ardhmen, pasi konsiderohet institucion që e ka drejtuar dhe dikush që parashikonte tërmete.
Por ne nuk e morëm seriozisht. U tallëm sikur presidenti të ishte Laze Ndreu, një nomad nga Tepelena në vitet e komunizmit, që kishte shpikur, se si shkohej pa anije kozmike në hënë, kur ajo afrohej natën mbi Vjosë.
Dhe do ta vuajmë këtë mungesë serioziteti. Jo se do na gjej gjë nga tërmeti apokaliptik, por se tani atij i ka dal droja të thotë gjëra të tilla dhe ne do ta na duhet ta dëgjojmë çdo ditë, duke këmbngulur se këto broçkullat duhet ti dëgjojmë se po na e thotë si President. Dhe duheti ti zbatojmë.
Leave a Reply