• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Nuk ke ku shkon pa folur me “armikun”!
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Nuk ke ku shkon pa folur me “armikun”!

April 24th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Skënder Minxhozi/

“Nuk ka kompromis dhe dialog me Edi Ramën. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i Partisë Demokratike dhe i opozitës së bashkuar”. Me këto fjalë i përgjigjej Lulzim Basha në 11 prill nga Vlora, ftesës formale që Edi Rama i kishte bërë për të nisur një dialog për zgjidhjen e krizës së mandateve. Janë dy fjali të cilat shumëkush i dëgjon disa herë në ditë përmes mediave dhe që janë kthyer në moton qëndrore të protestave opozitare, që nga muaji shkurt.

Janë gjithashtu dy fjali të cilat përmbledhin një koncept që s’ka Zot ta zbërthejë dhe që përbën de facto paradoksin dhe hallakatjen logjike, me të cilën vepron sot opozita e dalë rrugëve. Në frazën e parë Lulzim Basha njofton se nuk do të ketë dialog me Edi Ramën (lexo: sepse ma punoi një herë në kohën e Çadrës). Është qëndrimi i frikësuar e kapitullues i politikanit që e di se do ta humbasë përballjen qysh në krye të herës. Që e ka të qartë se po shkoi në tryezë me kundërshtarin politik (gjëja më normale e botës në një ambjent politik), do të dalë si rruar qethur prej andej.

Largimi apriori i Bashës nga detyra e dialogimit me palën tjetër, detyrë që e ka për shkak të pozicionit që mban dhe asaj që përfaqëson zyrtarisht, na zbulon për të disatën herë një politikan të frustruar nga e shkuara e tij politike, por edhe të pazotin për t’i bërë ballë kthesave e gropave thithëse që momentet e vështira si ky aktuali, i nxjerrin para një lideri politik. Krizën e tij personale përballë Ramës, Lulzim Basha preferon ta shtrijë, duke e bërë krizë të të gjithë panelit që drejton. Nuk flasim se ai na e hedh! Kapitullim pa hapur ende gojën, me fjalë të tjera…

Në frazën e dytë Basha e bën edhe më të thellë rrëmujën ku e ka futur me duart e tij, të gjithë procesin politik në vend. Kërkon largimin e panegociueshëm të Edi Ramës, por bën sikur harron se edhe largimet negociohen. Edhe ato “pa kushte” madje. Të gjitha konfliktet e mëdha e të përgjakshme botërore, kanë pasur në fundin e tyre negociata palësh që janë vrarë e prerë mes tyre, por që në fund janë ulur të flasin. Dhe për gjithçka, për të gjitha fobitë, dyshimet dhe mëdyshjet e Lulzim Bashës kur bëhet fjalë për t’u ulur përballë Ramës, fajin e ka 17 maji 2017. Ajo ditë e mallkuar, kur negocioi me Ramën kalimin e këtij të fundit në minorancë në qeverinë që drejtonte, duke kujtuar se e futi në qoshe dhe i mori zgjedhjet. Ajo ditë e “flamosur”, kur Basha kujtoi se fitoi gjithçka, për të kuptuar një muaj e gjysëm më pas se kishte humbur gjithë çfarë kishte në xhepa, ka krijuar një mosbesim patologjik brenda të gjithë opozitës, e më së pari brenda personit të kryetarit të saj.

Lulzim Basha dhe krerët politikë që i shkojnë pas në këto orë po kërkojnë të ribëjnë të gjithë panelin që kanë përballë, vetëm mbi bazën e ultimatumeve dhe largimit të vazhdueshëm nga të gjitha procedurat që bota demokratike ka krijuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet brenda sistemit politik. Sa më keq aq më mirë, duket sikur thonë në kor opozitarët, duke kërkuar ikjen e Ramës, por jo zgjedhje të parakohshme, rregulla të reja elektorale, por pa dhënë asnjë koordinatë se çfarë duhet të jenë ato, dënimin e korrupsionit e të trafikantëve të drogës së infiltruar në politikë, por duke penguar e bllokuar me të gjitha mjetet reformën në drejtësi. Paradokse dhe kundërthënie në çdo hap, të cilat në fakt përmbledhin gjendjen konfuzionale në të cilën ndodhet sot “aksioni sublim” i djegies së mandateve.

Në tre muaj pas këtij autogoli të hatashëm, opozita shqiptare vijon të endet pa busull në kallamishtet e krizës që krijoi. Tani që për mandatet e djegura flitet thuajse ekskluzivisht vetëm në emisionet e debatit në darkë apo në fleshet informative, Basha dhe të tjerët e kanë marrë vesh se pranvera nuk solli asnjërin prej objektivave që hodhën në letër në shkurt, kur kujtonin se qeveria i kishte ditët e numëruara.

As frymë popullore, as destabilizim politik, as imponim ndaj qeverisë për t’u dorëzuar, as simpati e përkrahje nga ndërkombëtarët. Përkundrazi, nga dritaret e opozitës hyn vetëm ajër i akullt, i ardhur nga të gjitha zyrat që merren me Shqipërinë, këtej dhe andej oqeanit. Ky është bilanci i opozitës tani që zgjedhjet lokale kanë trokitur në derë dhe kur zakonisht ngjarjet ecin më shpejt se zakonisht. Për momentin Lulzim Basha vijon t’i përmbahet dy fjalive të artikuluara në Vlorë në 11 prill. Të shohim edhe sa kohë do të rezistojë…

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article MERO BAZE/ Një avokat i dëshpëruar i grabitjes në Rinas
Previous article BEN ANDONI/ Sfida e “Bindjes Demokratike” është thjesht me veten e vet

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k