• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
IVA TIÇO/ Për budallaçkat që nuk e dinë sa e bukur është bota përtej leckave!
Home
Blog

IVA TIÇO/ Për budallaçkat që nuk e dinë sa e bukur është bota përtej leckave!

March 7th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Iva Tiço*

“Shikoji pak mbretëroret e Italisë”, më thotë një nga koleget e Tirana Post, teksa më dërgon artikullin që flet për shfaqjen e blogeres Chiara Ferragni dhe bashkëshorit, këngëtarit Fedez në një ballkon në Romë, teksa priten mes duartrokitjesh e ovacionesh nga një turmë e madhe çupëlinash të entuziazmuara. Këta pra qenkan mbretërorët e Mijëvjeçarit të ri! Kanë dashurinë e turmave, thjesht sepse bëjnë foto me veshje të shtrenjta, i postojnë në rrjet, paguhen, ndiqen më shumë, paguhen më shumë, postojnë sërish e kështu me radhë…

Nën shembullin e Chiarës, çdo ditë me mijëra vajza të reja blejnë rroba, marrin borxh, sajojnë, mundohen, strapacohen, thithin barkun dhe drejtojnë shpatullat, këputen në mes duke u tendosur mbi taka, ecin si modele mes makinave, shtriqen plazheve e lulishteve, në çdo cep qyteti, tryezë kafeneje, në çdo gërrxh e mbi çdo gur, në kërkim të pozës perfekte. Lodhen pastaj me filtra, rrëmojnë në google për të gjetur thënie të mençura, japin e marrin me celular e bëhen ujë në djersë, derisa të bëjnë atë postimin që do u hapë dyert e parajsës, do i bëjë të famshme, të pasura. Do i kthejë në ikonë, si Chiara Ferragni.

Vajza e gra që në një jetë paralele mund të kishin aq mend e t’u kushtoheshin pasioneve e sporteve, leximit a punës me shtiza tek e fundit, merren nga mëngjesi në darkë me muhabete markash. Shfaqesh para tyre me një veshje të re? Përpara se të thonë “ta gëzosh” të pyesin “çfarë është?”. Domethënë çfarë marke. Se rrobat tani kanë emër dhe mbiemër, nuk janë ashtu kot më kot. Ato që marrin vesh nga këto punë nuk të falin.

Tashmë kanë dhe një hobby të ri: të zbulojnë emra dhe mbiemra që i njohin pak veta dhe të mburren se i kanë veshur të parat. Mendo t’u flasësh përshembull se filan autor i madh sapo është botuar në shqip… Të shohin me kaq keqardhje sa të të duket vetja e mbaruar fare. Shtatë pashë nën dhé të futesh që lexon ende libra dhe nuk je nga ato që mban veshje me gërma të mëdha, ku të tjerët të kenë ç’të lexojnë!

Pasi braktisëm kisha xhamia, por lamë pas dore edhe shkencën, artin, letërsinë, na duhej diçka për të mbushur këtë boshllëk. Dhe atëherë erdhën rrobat dhe aksesorët me emra dhe mbiemra, Perëndia që adhurohet në këtë Mijëvjecar.

Dikur zilepsej gruaja e meçur që ia dilte në jetë. Tani ajo që ul çantën pranë vetes, dukshëm, hapur, që mund ta adhurojnë të gjithë. Dhe flet për të me zë të lartë, si të qe frymor, rrëfen histori interesante, që kanë të bëjnë me sa e rrallë është çanta në krahasim me të tjerat dhe çfarë fati ka ajo që e ka pranë vetes.

Dhe nëse i thua dikujt që mbajtësja e çantës është thjesht budallaçkë, mos u habit që të të shohin me çudi dhe të të thonë se ajo tjetra e ka në terezi. “Është gocë e qartë!”, thuhet në këto raste, ndaj mirë është të mos i rrëfesh këto vëzhgime, të mos i mendosh me me zë të lartë, thjesht t’i mbash për vete. Këtë nuk ta ndalon kush, mund të mendosh gjithë ditën që je e rrethuar nga budallacka të vogla e të mëdha, të ndjesh për to ç’të duash, keqardhje, përçmim, dhembsuri… Sipas humorit të ditës.

Në fund të fundit, edhe pse të qarta, këto goca nuk është se duken dhe aq të lumtura. A mund të jetë kush i lumtur thjesht me leckat dhe rraqet që kanë emra dhe mbiemra?! Sendet nuk të kthejnë përgjigje. Nuk të ngushëllojnë. As të përqafojnë. As të qajnë hallet. Rrinë nëpër rafte dhe vjetërrohen, harrohen, zhvlerësohen. Dhe nuk të shërbejnë as si bilanc jetësor. Nuk të duhet as për epitaf: “Ndërroi jetë e shkreta. Do mbahet mend që kishte rroba firmato. I përjetshëm qoftë kujtimi!”

Në Tirane ndërkohë kane çelur lulet e kumbullës. Kanë qenë aty dhe kur rrobat nuk thirreshin me emra e mbiemra. Dhe do vijnë sërish. Për të perqeshur nga lart gjithe budallaçkat e vogla e të mëdha që nuk e dinë sa e bukur është bota përtej leckave.

*Titulli origjinal: Na të birtë e shekullit të ri (që leckat kemi Perëndi)

(Tiranapost.al)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ILIR YZEIRI/ Shërbim i vyer për Shqipërinë i qytetarit Edi Rama
Previous article MERO BAZE/ A nuk po “dialogon” dhe Rama me “demokratët” e vërtetë!

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k