• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 8th, 2026
  • HOME
ALTIN KETRO/ Vetëvrasja e Partisë Demokratike, si një e mirë publike
Home
Blog

ALTIN KETRO/ Vetëvrasja e Partisë Demokratike, si një e mirë publike

February 22nd, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Altin Ketro

Protesta e dytë opozitare, ajo e 21 shkurtit, e trumbetuar si finalja e madhe ku do rrëzoj qeveria “Rama” me gjithë Kuvendin, kaloi pa incidente. Përpos ndikimit të faktorit ndërkombëtar që e shfaqi hapur kundërshtinë për aktet e dhunshme të datës 16 shkurt, kjo protestë tregoi se nuk kemi të bëjmë me popull të revoltuar, por me elektorat të instruktuar. Që do të thotë se, kur do lidershipi opozitar i ndërsen ata kundër godinave qeveritare, e kur nuk do, i mban nën kapistall. Prandaj opozitarët tanë bëjnë mirë të mos gjejnë justifikime bajate për t’i bishtnuar përgjegjësive, por të tregohen të vërtetë e t’i dalin për zot edhe akteve të dhunshme përderisa janë po aq të zotë që t’i parandalojnë ato.

Gjithsesi, tashmë jemi përpara një fakti të kryer të dorëzimit të mandateve si përfaqësues të popullit të deputetëve opozitarë. Ka një presion ndërkombëtar ndaj tyre që ta rishikojnë këtë vendimmarrje sa janë ende në kohë për revokim. Duket se faktori ndërkombëtar, përveç se nuk pajtohet me këto forma ekstreme, i druhet edhe krijimit të precedentëve referues edhe për vendet e tjera.

Ashtu sikurse protestat nëpër vendet perëndimore a ish-lindore patën efekt domino edhe në vende të tjera, përfshi edhe frymëzimin e tyre tek ne nëpërmjet studentëve, ashtu edhe kjo formë e të bërit politikë rrezikon që të kthehet në fenomen në vende të tjera. Bile, edhe rreziku që ky të kthehet në një trend në të ardhmen brenda Shqipërisë paraqet risk të lartë. Natyrisht, kjo vlen sa kohë në pushtet do të jetë PS-ja, sepse nuk ka dyshimin më të vogël që një qeveri me PD-në në udhëheqje, as që bëhet fjalë të dorëzojë pushtet nëse do ketë mazhorancë të konsoliduar parlamentare. PD-ja ka treguar në historinë e saj se për pushtet e çon vendin në gjakderdhje e shkatërrim total si ai i vitit 1997, jo më të tolerojë dhurimin e pushtetit në tavolinë siç bëri kryeministri Rama në vitin 2017 kur ndau pushtetin me opozitën gjë për të cilën ish-kryeministri Berisha me sinqeritet u shpreh se: “Unë s’do ta kisha bërë kurrë”.

Është e vërtetë që PD-ja është e para parti opozitare që rrëzoi nga pushteti regjimin komunist dhe u bë shpresa e shqiptarëve për ëndrrën evropiane. Por, sot, 29 vite pas themelimit të saj, duket se ajo e plotësoi ciklin politik brenda tri dekadave. Ajo nuk u bë kurrë një parti siç e ka emrin, por gjatë gjithë jetës së saj politike pati si fytyrë identifikuese veç një emër: Sali Berishën.

Ai nuk i dha asaj vetëm fytyrën, por edhe karakterin e tij të vrazhdë e dallkauk; hakmarrës e primitiv; refraktar e bajraktarist. Sado u përpoqën të rinovoheshin me fytyra të reja e me kulturë perëndimore, ishte tmerrësisht e vështirë që edhe ata të mos binin preh e vijës së sjelljes, gjuhës dhe mentalitetit që kish brumosur Sali Berisha.

Duket si një amanet i pashkruar prej tij që sapo shkel në atë seli, çdokush transfomohet dhe merr tiparet e tij, gjuhën e tij, fjalorin e tij, llumin e tij, me një fjalë, gjithçka çfarë përfaqëson Sali Berisha.

Këtë lloj ndikimi kaq të madh mbi ta, bile edhe mbi ata që ai i ka dhunuar dhe ia kanë falur dhunimin dhe depersonalizimin duke iu rikthyer si djem plangprishës, e ka pasur vetëm Enver Hoxha. Fakti që të gjithë deputetët dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar u solidarizuan me vendimin e Lulzim Bashës, i cili është as më shumë e as më pak veç një zgjatim i Berishës, tregon se ajo parti ka humbur nocionin e reagimit të brendshëm për të marrë vendime të pjekura dhe është gati të kthehen në kamikazë politikë në dëm të interesave integrues të vendit, për hir të mentalitetit berishist që parashtrova më lart. Për këto shkaqe, e quaj të ezauruar rolin e kësaj partie në skenën e politikës shqiptare.

Në këto kushte, është e kotë dhe e padobishme që t’u lutesh demokratëve të ndërrojnë mendje. Sa më shumë t’u lutesh e t’i ofrosh, aq më tekanjozë bëhen, bile më keq se ato fëmijët e përkëdhelur. Ata me aktin e tyre i kanë bërë një shërbim të madh politikës shqiptare. Kanë larguar nga skena politike arkitektin e fatkeqësisë sonë kombëtare të kohës së demokracisë. Si një relike e vjetër, e mbetur që nga koha kur regjimi komunist në rënie e delegoi si ndërmjetës me studentët e që më pas iu bë barrë gjithë Shqipërisë, Sali Berisha i ishte ngjitur politikës shqiptare si një këpushë që ishte e pamundur ta shqisje. Ai vetë nuk largohej, por as rioshët që e pasuan nuk e kishin atë guxim për t’i bërë dalje, prandaj forma ekstreme që zgjodhën vetë nuk duhet inkurajuar që të kthehet mbrapsht.

Askush të mos ketë merak se politka shqiptare ka për ta ndjerë mungesën e kësaj partie. Vetë koha do të sjellë në skenë elementë të rinj e të papëlyer, që do të dinë të zhvillojnë një opozitë dinjitoze, me alternativa konkrete e të besueshme. Mungesa e opozitës së identifikuar me Partinë Demokratike do të jetë e përkohshme, ashtu siç është e përkohshme edhe mungesa e disa institucioneve të larta të drejtësisë që u pastruan nga gjykatësit e korruptuar. Nëse të dytët i pastroi reforma në drejtësi e cila njëkohësisht po ngre edhe institucionet e reja që do hetojnë dhe ndëshkojnë politikën, të parët u vetëdogjën në zjarrin e çmendurisë që kaploi lidershipin e PD-së pikërish nga efekti i të dytës. Qoftë edhe për këtë arsye, vlen të thuhet se, vetëvrasja politike e PD-së, vjen si një bekim në dobi të publikut shqiptar.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARMANDO META/ Opozita dhe izolimi ndërkombëtar institucional
Previous article FLOGERT MUÇA/ “Grushti i shtetit”, kompleksi i përjetshëm i Sali Berishës

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k