• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
MUSTAFA NANO/ Dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e fabulës
Home
Blog

MUSTAFA NANO/ Dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e fabulës

February 13th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Ja një lajm interesant: Basketbollisti serb Nikolla Kaliniç, në një intervistë për gazetën serbe “Blic”, ka thënë mes të tjerave se “mjaft më me Kosovën, le të merremi vesh me shqiptarët dhe le të shohim përpara; lëri të tjerat, por nuk jemi as ata që ne kujtojmë se jemi, sot jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës dhe në kundërshtim me ç’thuhet e besohet prej nacionalistëve, nuk jemi një popull qiellor, asnjëherë nuk kemi qenë”.

Siç shihet, nuk është se thotë ndonjë gjë kushedi se çfarë. E megjithatë në Serbi nuk janë të shumtë ata që i mendojnë, e aq më pak, ata që i thonë gjëra të tilla. Dhe është ky fakt që më së shumti e komprometon shoqërinë e sotme serbe: Pafuqia për të menduar, apo frika për të thënë, gjëra kaq të qarta, të kuptueshme, logjike, normale. Në këtë kuptim, basketbollisti Kaliniç meriton të duartrokitet e të përshëndetet.

Meriton të përshëndetet që është mendjehapur, që ka guximin për t’iu kundërvënë histerive e paranojave nacionaliste në vendin e vet, e në përgjithësi për të thënë ca të vërteta të thjeshta e bazike që bien keq në veshin e shumicës, në mos në veshin e të tërëve, ndonëse për këtë i duhet të paguajë një kosto. Ka rrezik që të shpallet – ju kujtohet drama e Ibsenit? – “armik i popullit”.

Dhe Enver Robelli ka bërë mirë që ia ka sjellë lexuesit shqiptar këtë ngjarje. Mirëpo unë dyshoj që Robelli të ketë kapur moralin e kësaj fabule. Unë kam frikë se Robellit në këtë mes thjesht i ka pëlqyer fakti, që një serb denoncon sojin e vet. Ndodh shpesh mes nesh kjo gjë, apo jo?

Ne kënaqemi pa masë kur marrim vesh se ndonjë serb mban qëndrime kritike ndaj establishmentit politiko-kulturor e ndaj shoqërisë së vendit të vet. Po kështu, edhe kur ndonjë grek është kritik ndaj marrëzive greke. Dhe këtë kënaqësi nuk e provojmë ngaqë na emocionon e vërteta, apo guximi për të thënë të vërtetën, guximi për të lënduar tabú të paprekshme, e në përgjithësi për të denoncuar fiksime e paragjykime kolektive.

Jo, jo, ne kënaqemi që një serb apo grek bëhet medemek “antiserb” apo “antigrek”, ne kënaqemi, pasi kjo kritikë, në mendjen tonë, është një gjë që provon bindjen tonë se serbi është i lig, greku është i lig, ja, edhe vetë po e thonë, apo se vetëm shqiptari është i mirë. O sa mirë me qenë shqiptar!

Jam i prirur të besoj që Enver Robelli e ka mirëpritur këtë qëndrim të Kaliniçit bash për këtë arsye. Të ishte ndryshe, ai nuk do të kishte dalë publikisht – sa për të marrë një rast, ë? – për të shprehur ngazëllimin e vet prej gjestit të Xhakës e Shaqirit gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, përkundrazi, do ta kishte kritikuar këtë gjest krejt të pavend e provokativ, do ta kishte kritikuar me po atë disponim antinacionalist, që në këtë rast e ndihmon të pëlqejë Kaliniçin, do ta kishte denoncuar si një teatër që nuk ka fare lidhje me atdhedashurinë e patriotizmin, ose që të jem më konkret, nuk ka fare lidhje me çfarë Robelli ka pëlqyer kaq shumë te Kaliniçi.

Veprimi i Kaliniçit nga njëra anë dhe ai i Xhakës e Shaqirit nga ana tjetër bien ndesh me njëri tjetrin. Nuk mund të ekzaltohesh prej të dyve. Mund të ekzaltohesh o prej njërit, o prej tjetrit. Prandaj Robelli, mendoje pak këtë punë!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article AJET DELAJ/ Opozita si vizion i së ardhmes apo establishment i së shkuarës
Previous article ALMA NIKOLLI/ Vajzat dhe djemtë janë të barabartë vetëm para komshiut kur i pyet: “Ku po shkon?”

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k