Nga Elda Shabani/
E zhytur në histori … kjo është ndjesia e parë që provoj, sa herë shoh imazhin e një Tartani skocez. Kohë pas kohe e shohim të rikthehet në pasarelat e modës, më së shumti gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit, duke qenë se i përshtatet dhe i qëndron shumë mirë ngjyrave të natyrës në stinën e ftohtë të dimrit, si dhe për ndjesinë e ngrohtësisë që ky dizajn të përcjellë. Një ndër tendencat më popullore dhe më të mirëpritura, printet tradicionale të kuadratit, i shohim kudo; në veshjet tona të përditshme, në ambientet e shtëpisë, revista etj. Sigurisht, bukuria e tartanit nuk qëndron vetëm në anën estetike të saj, në shumëllojshmërinë e dizajnit dhe ngjyrave të qeshura, por bukuria e saj është gjithashtu historike, me qëndrimin rebel të një populli në mbrotje te identitetit dhe vlerave kulturore.
Për këtë arsye kam dashur të kuptoj më shumë se përse tekstili i tartanit i ka rezistuar kaq shumë kohës dhe nuk pyet as për modë e as për moshë me një qasje krejt të veçantë në art, prej periudhës së romantizmit të fund shek. 18-të dhe fillimit të shek. 19, me pikturat e Mattise, Klimt e shumë të tjerë, të cilët i veshën muzat e tyre me kuadratin avangard e deri në stilin Punk me mbretëreshën e tyre rebele – Vivienne Westwood të viteve 90’.
Victorian Tartan Dress, 1857 Museum Metropolitan i Arteve
Historia e tartanit është e lidhur ngushtë me historinë e Skocisë dhe të fundit skocez me kuti, ku dominon ngjyra jeshile, edhe pse mendohet se kjo pëlhurë të jetë gjetur shumë më herët, tek një mumje 3,000-vjeçare në shkretëtirën Taklamakan. Zyrtarisht, tartani e ka suksesin e tij me vizitën e Mbretit Xhorxh IV në Skoci të vitit 1822 . Kjo vizitë u organizua nga shkrimtari i famshëm Sir Walter Scott, i cili e bindi mbretin të vishte një kostum tartani, i cili deri vonë ishte i ndaluar sipas Kodit të Veshjes, sepse përfaqësonte rebelët skocezë. Shekulli i 18-të ishte një kohë e trazuar për historinë skoceze, për rrjedhojë, periudha dëshmoi sulmin më të rëndësishëm në veshjen malësore, si dhe fillimin e popullaritetit më të madh të saj. Gjysma e dytë e shekullit të 18-të dëshmoi një shqetësim në rritje, për të mbrojtur dhe promovuar traditat dhe kulturën skoceze. Fundi i shekullit të 18-të erdhi me ringjalljen e kulturës tradicionale skoceze dhe ishte kjo periudhë ku mori hov shtrirja përtej kufijve të Skocisë. Në vitet 1840, vizitat e shpeshta të Mbretëreshës Viktoria, në pronën e saj në Balmoral, në Skoci, stimuluan modën e tartanit. Dashuria e saj për tartanin lindi nga ngrohtësia dhe bukuria që i falte ky vend me peisazhin përrallor. E për rrjedhojë, familja mbretërore gjatë shek. 19-të u bë inspirim dhe çfarëdo që ata vishnin, menjëherë pëlqehej dhe kapej nga masa.
Edward VII ndryshe “Prince i Wales
Viktoria dhe Albert të dashuruar me pëlhurën e lashtë, krijuan versionin e tyre të Tartanit Balmoral. Në 1880 një lloj tjetër tartani i klanit mbretëror do të lindte Glenurquhart Check dhe Mar, ky i fundit e mori emrin pikërisht nga vendi i cili frekuentohej nga Edward VII ndryshe “Prince i Wales” gjatë pushimeve. Evolucioni i veshjes tradicionale skoceze është kryesisht një produkt i romantizmit të shek.19-të. Nga 1815 u bë një lëvizje për të regjistruar të gjitha tartanët.
Regjistri ruhet nga Arkivi Kombëtar i Skocisë me seli në Edinburg, me qëllim që të ofrojë një burim përfundimtar të patjetërsueshëm dhe të arritshëm për të promovuar dhe ruajtur tartanin. Ky libër duket si një thesar, pasi është pjesë e historisë.
Edinburg castle
Vivienne Westwood
Si fjalë e modës, Tartan dhe Check erdhën në vitin 1940 e më pas, gjatë viteve ‘70 . Ndërkohë, në vitet ‘90 është e lidhur me stilin rebel Punk. Gjatë këyre viteve, tartani u bë sinonim me emrin Vivienne Westwood, duke krijuar imazhe të kostumeve tejet të ndezura, me supermodelet si: McAndreas, Linda Evangelista, Christy Turlington, Naomi Campbell dhe Kate Moss.
Alexander McQueen dhe Burberry kanë përdorur prej kohësh tartanin në koleksionet e tyre, ndërsa në sezonin e dimrit ’18/19, stilistët britanikë, si Emilia Wickstead, Simone Rocha u paraqitën me tartan gjatë sfilatave të tyre. Gjithashtu Versace hyri me një formë të tartanit fluoreshent të viteve 90′.
Si përfundim, tartani është në rrugënisje të Mileniumit të tretë dhe ne nuk mund të mos e hedhim shikimin prapa, sepse ky dizajn mbetet simbol i vlerave të një qyterimi, i heroit i cili mbron vendin e tij, imazhin e të cilit do ta përjetonim në filmin “Braveheart”, me aktorin M. Gibson, i cili mbetet koncept i përhershëm i bukurisë rebele, i lirisë së individit dhe aspak i modës.
The Braveheart, M.GIBSON
Leave a Reply