Nga Skënder Minxhozi
Një skandal që lidhet me dy tendera. Që të dy me shifra me shumë zero. Që të dy të kryer keq dhe me disa miliona euro më tepër sesa normalja.
Lajmet e fundit për dy tenderat e kompanisë false DH Albania, njëri për Unazën e re dhe tjetri për një linjë tensioni mes Burrelit e Peshkopisë, kanë treguar se hapja reale e garës ka sjellë që shtetit shqiptar t’i kursehen, sipas Top Channel, plot 5,5 milion euro për të dyja rastet, krahasuar me rezultatet fillestare të tenderave formale. Bëhet fjalë në fakt për ofertat që janë marrë publikisht nga kompanitë në garë, pasi fituesi ende duhet të shpallet zyrtarisht nga ARRSH dhe OST.
Ka mjaftuar pra përsëritja e dy tenderave (e jo shqyrtimi i hollësishëm nga një hetim i pavarur i organeve të ligjit), që shifrat të ulen me 20%, nga niveli i mëparshëm i financimit që ju dha DH Albania, e që krijoi aq dyshime.
Pyetja më e thjeshtë dhe naive që lind në këtë rast, ka të bëjë jo vetëm me faktin se një këtë shumë të madhe parash do ta merrte një kompani fantazëm, por edhe me aspektin tjetër po aq të rëndësishëm, i cili nuk ka të bëjë fare me DH Albania, por me vetë sistemin e konceptimit dhe financimit të projekteve publike.
Pak ditë më parë u njoftua se nga praktikat e prokurimit do të hiqej ajo që quhet “oferta e pakërkuar”, e cila ka qenë një ndër “deriçkat” ligjore të akordimit të projekteve, njërës apo tjetrës kompani, e që dëmtonte rëndë parimet e garës dhe konkurimit për punë të caktuara publike.
“Ndonjëherë duhet bërë edhe ndonjë tender”, thoshte dikush në shtyp me ironi, përballë kësaj procedure që mesa duket do të ndalohet me ligj në të ardhmen.
Dhe kjo është një gjë shumë e mirë, pasi edhe qeveria tregon se ka ende ndjeshmëri përballë pakënaqësisë masive që kanë krijuar disa nga raportet e saj me një pjesë të komunitetit të biznesit.
Është ky momenti, tre dekada pas rënies së komunizmit, që Shqipëria të rishikojë modelin e saj të zhvillimit ekonomik e shoqëror. 30 vjet pas hyrjes në ekonominë e tregut ndodhemi përballë një realiteti përherë e më kompleks, që lidhet me marrëdhënien e shtetit me biznesin vendas e të huaj.
Koncesionet dhe partneriteti me kompanitë që marrin përsipër rrugë, ujësjellësa e linja tensioni të lartë, janë të gjitha mekanizma të njohura dhe gjerësisht të përdorura në vendet e zhvilluara. Nuk është e keqe PPP-ja, është e keqe mënyra sesi kjo marrëdhënie ndërtohet dhe finalizohet nga ata që kanë në dorë të hedhin firmat e të lëvrojnë fondet publike.
Shqipëria ka kohë që ka hyrë në këtë raport kompleks, jo pa debate, dyshime e mëdyshje.
Dhe meqë qeveria dhe kryeministri na kanë ftuar në mënyrë të përsëritur të mos merremi me “fake neës”, mund t’i referohemi vetëm realitetit. I cili, siç u tha pak rreshta më lart, na tregon se sapo u hoq kapaku mbi njërin prej këtyre transaksioneve, shtetit ju rikthyen si me magji në arkë disa miliona euro, që, pa skandalin publik të një kompanie false, do të kishin shkuar kushedi në çfarë xhepash anonime. Po sikur afera e DH Albania të kishte prekur edhe një duzinë tjetër prokurimesh publike e kompanish të mëdha ose të vogla, çfarë historie do të ishim duke parë e treguar?!
Leave a Reply