• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
ILIR YZEIRI/ E urrej patetizmin, por, këtë radhë, jo
Home
Blog

ILIR YZEIRI/ E urrej patetizmin, por, këtë radhë, jo

November 27th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Nga Ilir Yzeiri

Deklaratat e djeshme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se Shqipëria dhe Kosova deri në vitin 2025, mund të bashkohen, u interpretuan në mënyra të ndryshme dhe, në të shumtën e rasteve, u nxorën jashtë kontesktit. Në të gjitha deklarimet e tij në Kosovë, duke folur për perspektivën e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë, Kosovë – Serbi, Ballkani Perëndimor – Bashkimi Europian, Edi Rama ishte shumë i qartë dhe, në të gjitha këto raste, ai e ndërtoi ligjërimin e tij me një « SIKUR » apo një « NËSE ». Në thelb, ai tha që, nëse BE-ja e frenon zgjerimin, atëhere, nuk përjashtohet mundësia e krijimit të bashkimeve më të vogla, nëse Europa nuk liberalizon vizat për Kosovën, atëhere Shqipëria dhe Kosova, në një kohë të shkurtër, mund të bashkohen, po ashtu, ai tha se, nëse Serbia nuk ndalon fushatën agresive të sjelljes ndaj Kosovës, atëhere, Kosova mund edhe të përshkallëzojë qëndrimin e saj ndaj Serbisë. Pra, në të gjitha këto raste, ai ishte shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë.

Është hera e parë që një udhëheqës shqiptar i artikulon qartë dhe drejt problematikat shqiptare në Ballkan e më gjerë. Askush nuk duhet të harrojë se ishte Edi Rama që pati guximin dhe, në mes të Beogradit, në takimin e parë dhe në vizitën e parë të një udhëheqësi shqiptar, pas asaj të Enver Hoxhës në Beograd, që ia tha në sy presidentit serb se Kosova është e pavarur dhe ju duhet ta njihni pavarësinë e saj. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu, se, po ashtu, Edi Rama dhe kabineti i tij, e vunë në tryezën e bisedimeve problemin çam dhe nuk e fshehën atë. Dhe e fundit, Edi Rama ka meritën e padiskutueshme që ndihmoi në unifikimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni dhe, kësisoj, u arrit të largohej nga pushteti Nikolla Gruevski.

Provokimi i fundit që ai u bëri të gjithë aktorëve që janë të lidhur drejpërsëdrejti me problemet e Ballkanit, në përgjithësi, dhe të zgjerimit të BE-së në veçanti, ishte i gjetur, i mirëstudiuar dhe e bën, në këtë rast, elementin shqiptar në Ballkan një faktor kyç pa të cilin problemet e Ballkanit nuk mund të kenë një zgjidhje afatgjatë.

Është për t’u vënë re se reagimet më të egra ndaj këtij provokimi të Edi Ramës, pra ndaj ligjërimit të tij me « sikur », nuk erdhën nga ata që u thirrën në kauzë, pra nga ata që u provokuan drejtpërdrejtë, nga BE-ja, fjala vjen, apo institucione të ndryshme të saj. Përkundrazi, ato erdhën nga shqiptarët dhe më e rënda, ose më e turpshmja, ishte qëndrimi zyrtar i PD-së, apo klithmat e Berishës, sipas të cilëve, më këtë provokim, Edi Rama po i shërben Serbisë. Unë e mirëkuptoj reagimin politik dhe opozitarizmin, por e kam të vështirë të përfytyroj se si ka mundësi që edhe në një rast të tillë, pra si ky që bëri kryeministri i Sqhipërisë dhe jo Edi Rama, të mos gjendet një qëndrim më i moderuar ? Si ka mundësi që një pjesë e opinionit dhe opozita më e madhe në Shqipëri, ashtu si në rastin Kocifas, reshtohen me qëndrimet ekstreme të nacionalistëve serbë dhe grekë.

Më në fund do të doja të nënvizoja edhe një element tjetër të këtij zhvillimi të fundit. Po ta vëresh me kujdes, përplasjet në Ballkan, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe pas masakrave të Serbisë mbi popullsitë e pambrojtura të ish-federatës Jugosllave, zhvillohen më së shumti në ligjërim. Çfarë do të thotë kjo ? Deri para se të niste lufta dhe genocidi serb në ish-Fedreatën Jugosllave, retorika ultranacionaliste e Millosheviçit ishte parathënie e veprimeve të mëpasme. Ligjërimi i tij i ngjiste ligjërimit të Hitlerit që hodhi Gjermaninë në luftë apo Musolinit që bëri të njëjtën gjë me Italinë. Perëndimi nuk mundi ta frenojë Millosheviçin dhe, për shumë arsye, ata nuk arritën ta ndalin kriminelin Millosheviç, i cili narrativën e tij e kishte ngritur me metaforat e luftës dhe të gjakut, me klithmat për të mbrojtur zemrën e Serbisë dhe me ultimatumet se ai që guxon të largohet nga federata do të gjejë vdekjen. Retorika me gjak e me vdekje, solli atë që bota e pa e tromaksur në vitin  1992 e më pas. Ndërhyrja e NATO-s dhe dërgimi në Hagë i Millosheviçit dhe i një pjese të mirë të kriminelëve të asaj lufte, mbylli një kapitull dhe ka hapur një perspektivë të re. Nëse e vini re me kujdes, liderët e rinj të Ballkanit kanë një narrativë më të moderuar dhe tani ata kanë arritur guximin madje që mund të diskutojnë edhe për shkëmbime territoresh me anë të marrëveshjeve. Pikërisht, përftimi kësaj narrative të re që shenjohet me sintagmat e paqes dhe jo të luftës është arritja më e madhe në Ballkan dhe merita më e madhe e Perëndimit dhe SHBA-ve në këtë rajon.

Ndërsa ne, shqiptarët, asnjëherë nuk kemi qenë më të vlerësuar si komb sesa tani. Për herë të parë shqiptarët janë bërë faktorë në të gjitha tryezat e rëndësishme ku diskutohet fati  i Ballkanit. Mirëpo, kjo nuk mjafton që të na bëjë të lumtur dhe të rregullojë ekonominë apo jetën tonë. Shqiptarët, nga natyra janë popull defektozë, impulsivë, grindavecë dhe pa një model të qartë për të zgjedhur jetën e tyre. Janë po ashtu dhe një popull që harrojnë shpejt.

Ndërsa elitat e tyre politike duan kohë të bëhen të përgjegjshme. Korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar nuk janë problem as i Edi Ramës dhe as i Thaçit apo Ramushit, janë pjesë e kulturës sonë të kalbur të jetës. Dhe derisa të krijojmë kulturën e duhur të jetës, është mirë që inisiativat pozitive të atyre që na përfaqësojnë në të dyja anët e kufirit, t’i përshëndesim.

Gjëja me e lehtë ndër shqiptarë është të shash e të mallkosh. Personalisht nuk dua ta bëj këtë radhë. E urrej patetizmin, por këtë radhë, jo.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTUR AJAZI/ Gara e turpit!
Previous article MENTOR KIKIA/ Mos jemi gjë të gjithë të çakërdisur nga trutë ne?

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k