• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Nga Babale tek Xhisiela, bastet absurde të opozitës shqiptare
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Nga Babale tek Xhisiela, bastet absurde të opozitës shqiptare

October 9th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Nëse dikush kishte pritur një shtator sulmi për opozitën, me siguri i duhet të mbetet i zhgënjyer nga rezultati që ka para syve. Përtej propozimeve nën zë të Bashës lidhur me korrupsionin dhe zgjedhjet, partia më e madhe e opozitës i ka përqëndruar, në katër muajt e fundit, thuajse të gjitha energjitë e veta politike, në dy baste me vlerë të dyshimtë. Që të dyja, histori me aktorë të panjohur dhe me integritet e besueshmëri të diskutueshme. E para, historia tashmë e famshme e përgjimit të Babales, qytetarit vlonjat që pretendoi se kishte përgjuar në telefon vëllain e ministrit Xhafaj, kurse e dyta, ajo e një vajze të dhunuar nga Fushë-Kruja, e cila pretendohet se është lënë në baltë për të mbrojtur, me duart e Taulant Ballës, një djalë deputeti socialist.

Nuk ka shumë rëndësi fakti se të dyja historitë në fjalë po njohin orët e fundit kthesa të papritura, të cilat mund të çmontojnë një herë e mirë pretendimet dhe akuzat e opozitës. Në funksion të peshës dhe vlerës në skakierën e preferencave dhe përkrahjes publike, “Babale” dhe “Xhisiela” janë certifikuar tashmë qysh në krye të herës, si dy ngjarje të cilat kanë brenda banalitet, falsitet dhe pak fuqi bindëse tek publiku i gjerë shqiptar. Ikja e Babales dhe dalja e fakteve të mëvonshme në lidhje me vërtetësinë e përgjimit të tij, apo deklaratat konfuze të vajzës së dhunuar dhe të qenit e kësaj historie, një ndër shumë aktet vulgare të dhunimit në çdo cep të këtij vendi, i bëjnë dy ngjarjet e mësipërme vështirësisht të dallueshme në planin politik. E pasojë, vështirësisht të përdorshme për kauza të mëdha, siç u duk se u tentua të veprohet nga ana e opozitës.

Që një djalë deputeti sugjestionon për së largu organet e ligjit në një provincë problematike shqiptare, kjo nuk ka ndodhur sot për herë të parë. Skandaloze dhe e papranueshme në vetvete, kjo qasje është megjithatë e papeshë dhe banale në planin kombëtar, nëse nuk vërtetohet me fakte e prova se një zyrtar i lartë i maxhorancës ka kërcënuar për të mbrojtur personin në fjalë. Bjerrja e mpakja e incidentit në orët e fundit, na thotë se kjo rrethanë do të jetë gjithnjë e më e vështirë të vërtetohet e provohet. E njëjta gjë vlen për rastin Babale, ku përgjimet e fundit mes dy kunetërve nga Vlora, po e kthejnë situatën nga dramatike në komike.

E megjithatë nuk ka qenë gjithnjë kështu. Kush kujton çfarë ka ndodhur rreth Babales e përgjimit të tij në maj-qershor të këtij viti, e ka të qartë sesa shumë investim dhe energji u hodh në tregun e politikës nga ana e PD, për të dëmtuar ministrin Xhafaj, e bashkë me të të gjithë maxhorancën. Për javë të tëra eksponentë të opozitës nuk lanë studio televizive e podium partiak apo parlamentar pa përdorur, me qëllim që t’i jepnin një përmasë sa më të thellë e fitimprurës historisë së Agron Xhafajt.

Shumëkush mund të thotë se parimisht opozita bëri gjënë e duhur, në interesin e saj politik. Aferim! Problemi i vetëm është tek besueshmëria e kauzës që ke përqafuar e që ke nxitur me të gjitha bateritë e tua si parti politike. Problemi i vërtetë i Babales dje dhe i Xhisielës sot, risku real i këtyre historive, është që ato të mos kenë fundin e premtuar nga sponsorët e tyre politikë. Pra, që përgjimi telefonik i Xhafajt të mos jetë i vërtetë dhe që dhuna ndaj Xhisiela Malokut të mos jetë maskuar me ndërhyrjen personale të Taulant Ballës.

Në një aspekt më të përgjithshëm, me ato që shohim sot, kur këto dy histori e kanë harxhuar tashmë “sharmin” e tyre politik e mediatik, kostoja potenciale që mbetet për PD dhe opozitën, është ajo e stimulimit të kauzave të dyshimta dhe të falsifikuara. Një bumerang ndaj vetvetes, më shumë sesa një patate e nxehtë në duart e Edi Ramës! PD ka kohë që ja ka lënë aksionet e saj politike, kësaj strategjie risku. Basha dhe të tijët po përpiqen prej muajsh që të prishin me çdo kasetë e copë letre që i sjell rasti në dorë, imazhin dhe reputacionin e Ramës, duke i besuar kryekëput spontaneitetit dhe riskut që shoqëron këtë lloj strategjie, e jo marrjes përsipër të detyrës së tyre parësore si opozitë: kritikën ndaj gjithçkaje që e gjykojnë defektoze në punën dhe aktivitetin e qeverisë.

Opozita e pusullave anonime dhe kasetave të trukuara nuk mund të zevëndësojë opozitarizmin e strukturuar e serioz të seancave parlamentare, të kritikës konkrete ndaj reformave, ligjeve e sjelljes së maxhorancës me paranë publike dhe politikat e tjera qeverisëse. Të besosh se do të vish në pushtet sepse dy kunetër anonimë në Vlorë kanë kurdisur një rreng telefonik i cili sot rezulton fals, do të thotë të vesh bast në një ndeshje të cilës i dihet fundi ende pa rënë bilbili. Dalja e opozitës nga shtrati i vërtetë i funksionit dhe rolit bazë në sistemin tonë politik, përcakton më së shumti edhe përmasat shqetësuese të krizës së saj të sotme. Babale iku në Kosovë, Xhisiela i ndryshoi deklaratat, kurse Bashës i duhet të gjejë fabula të reja shtesë, për të dalë nga këto histori banale. Ky është problemi real i opozitës së sotme shqiptare.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article BLEDI LUMANI/ Moral k*rvash!
Previous article MENTOR KIKIA/ Një vendim qeverie për tu përshëndetur dhe mbështetur

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k