Një ndër problematikat me të cilat është përballur shoqëria shqiptare këto 27 vite, ka qenë dhe mbetet trafikimi apo ushtrimi i influencave të paligjshme mbi zyrtarët në lidhje me formulimin e politikave publike në favor të interesave të ngushtë vetjakë. Sigurisht, mund të thuhet se një problematikë e tillë mund të prekë, siç edhe raste të shumta tregojnë se ka ndodhur, çdo sistem politik demokratik të botës, por është veçanërisht më e theksuar në shoqëritë në tranzicion si Shqipëria. Kjo sepse, siç edhe McGrath (2008) ka argumentuar, në shoqëritë “në periudha tranzicioni sferat politike dhe ekonomike janë domosdoshmërisht të ndërthurura pasi zhvillimi ekonomik merr gjithnjë e më shumë një natyrë politike”. Thënë ndryshe, në këto shoqëri ku bën pjesë dhe Shqipëria, interesat ekonomikë dhe të pasuruarit në shoqëri janë kryesisht falë lidhjeve të zhvilluara me politikën. Dhe pikërisht në ato mjedise ku aktiviteti i lobimit nuk është i kanalizuar apo rregulluar ligjërisht në sistemin politik nëpërmjet kuadrove rregullatorë, lidhjet që zhvillohen nëpërmjet grupeve të interesit (apo edhe interesave të ngushtë) dhe qeverisjes mbeten informale, konsumohen larg syve të publikut duke iu dhënë kështu shkas edhe fenomeneve negative, që në Shqipëri njihen, të tilla si influencat e paligjshme, korrupsioni i politikanëve, marrëdhëniet klienteliste të formuara në dëm të interesit publik etj.
Ndër arsyet kryesore për miratimin e një kornize gjithëpërfshirëse për të rregulluar lobimin në Shqipëri mbi baza detyruese ligjore do të ishin: trajtimi/frenimi i problemit të lobimit të pakontrolluar apo lidhjeve informale (personale) që ekzistojnë në shkallë të ndryshme midis interesave të ndryshme dhe vendimmarrësve; rritja e transparencës dhe llogaridhënies në procesin politik; minimizimi i rreziqeve të korrupsionit në sistemin tonë politik; sigurimi i informacionit të bollshëm nga të gjitha palët e interesuara për ta bërë më të mirinformuar procesin vendimmarrës; dhe së fundmi, nivelimi i një fushe loje të barabartë për të gjithë interesat e ndryshëm që duan të ndikojnë në zhvillimin e politikave publike.
Së pari, rregullimi ligjor i aktivitetit të lobimit nëpërmjet regjistrimit dhe kërkesave raportuese (publike) për lobuesit mbi baza detyruese në një regjistër publikisht të aksesueshëm do të hidhte dritë mbi marrëdhëniet që ekzistojnë midis interesave të caktuara dhe politikanëve/zyrtarëve publikë. Kjo do të bëhej në formën e identifikimit dhe bërjes publike të lojtarëve apo interesave që kërkojnë të influencojnë vendimmarrjen publike. Bërja publike e lidhjeve që ekzistojnë ndërmjet interesave të caktuara dhe politikanëve nëpërmjet kërkesave raportuese të detyrueshme ligjore për lobuesit (dhe për politikanët), do ta bënte publikun e gjerë më të mirinformuar rreth interesave që qëndrojnë pas politikave të propozuara, dhe do të frenonte së tepërmi fenomenin e lobimit të pakontrolluar që ekziston në ditët e sotme, dhe që në pjesën më të madhe të tyre mbeten në nivele informale.
Kjo, së dyti, do të çonte edhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin tonë politik si edhe në minimizimin e rreziqeve të korrupsionit. Mundësia e një shqyrtimi të duhur të pavarur nga ana e publikut rreth lidhjeve që ekzistojnë midis interesave të caktuara dhe vendimmarrjeve perspektive politike, do t’i bënte politikanët më të kujdesshëm dhe më llogaridhënës në procesin politik të hartimit të politikave publike. Rregullimi i lobimit në këtë drejtim, pritet të funksionojë si një funksionon me vlerë në promovimin e hapjes dhe transparencës në sistemin politik, duke lehtësuar mundësinë e publikut për të monitoruar jo vetëm qeverinë në lidhje me aktivitetin e saj, por edhe duke ofruar një panoramë të përgjithshme në lidhje me influencimin e politikave të caktuara. Së treti, kjo nga ana e saj do të zvogëlonte edhe premisat për korrupsion dhe influenca të paligjshme mbi zyrtarët, pasi detyrimi ligjor për të raportuar kontaktet që lobuesit kanë me politikanët do të disiplinonte / modelonte sjelljet e tyre brenda kornizës ligjore në fuqi, duke mos rrezikuar në të kundërt sanksione për kundërvajtje ligjore të mundshme. Virtyti kryesor që ka rregullimi i lobimit në këtë drejtim, është pikërisht përpjekja për vënien nën kontroll të ndikimeve të privilegjuara të caktuara ndaj zyrtarëve, çka shpesh në shoqërinë tonë i ka dhënë jetë fenomeneve si korrupsioni, klientelizmi etj.
Së katërti, një funksion tjetër me vlerë që do të bënte të mundur rregullimi i lobimit në vend, do të ishte edhe sigurimi i një informacioni të bollshëm, që do të vinte nga të gjithë palët e interesuara dhe që do ta bënte më të mirinformuar procesin vendimmarrës. Lobimi nga grupe të ndryshme interesi i pajis vendimmarrësit me njohuri me vlerë, me informacion, me perspektiva politikash lidhur me opsionet e politikave të ndryshme. Duke pasur parasysh edhe kompleksitetin e procesit politik në ndërmarrjen e politikave publike efektive, çka përfshin në vetvete jo vetëm çështjen e mirëformulimit, por edhe atë të harmonizimit dhe gjetjes së një balance midis interesave konkurruese, si dhe çështjen e implementimit efikas kur interesa të tillë (të fuqishëm) janë në lojë, nevoja për informacion të plotë dhe të gjithanshëm lidhur me realizueshmërinë e këtyre politikave është jetike. Në çdo rast, përfitimi që do të vinte nga një informacion sa më i plotë nga të gjitha palët dhe perspektiva më të zgjeruara nga grupe të ndryshme interesi, do të ishte në favor të një vendimmarrjeje publike më të mirë.
Se pesti, një arsye e fundit për rregullimin ligjor të lobimit në Shqipëri, është sepse do të bënte të mundur nivelimin e një fushe loje të barabartë për të gjithë interesat e ndryshme që ekzistojnë në shoqëri, duke iu dhënë të gjithë palëve një akses të ndershëm dhe të barabartë për zhvillimin e politikave publike. Pabarazia, që ekziston përgjithësisht në shoqëritë e tregut të lirë dhe demokratike, midis grupeve të ndryshme të interesit, qoftë në burime, kapacitete apo mundësitë e ndryshme që ata kanë, do të ndreqej në një masë të madhe nga dhënia e aksesit të barabartë për të ndikuar në procesin e hartimit të politikave publike. Krijimi i një fushe loje të niveluar dhe të barabartë për të gjitha grupet e interesit, që do të bëhej i mundur nëpërmjet rregullimit ligjor të aktivitetit të lobimit dhe legjitimimit të ndikimit që çdo grup mund të ushtrojë në procesin politik të vendimmarrjes, do të ishte një ndihmë e madhe për vende si Shqipëria ku shoqëria civile, pothuajse gjatë gjithë periudhës nga 1991 e deri sot, vazhdon të mbetet relativisht e dobët dhe e paorganizuar. Në një mjedis të tillë, disa interesa të caktuar (fjala bie, ambientalistët) e kanë edhe më të pamundur të konkurrojnë ndershmërisht dhe në mënyrë të barabartë përballë interesave më të fuqishme, edhe si pasojë e disavantazhit strukturor të një shoqërie civile të dobët ku mungojnë traditat e mobilizimit, rekrutimit lidhur me kauza të caktuara (sado të drejta të jenë ato). Rregullimi ligjor i aktivitetit të lobimit do t’iu bënte të mundur të gjitha palëve/interesave mundësi të barabarta për të ndikuar në zhvillimin e politikave publike, për të patur secila zërin e tyre në këtë proces, dhe për të mbrojtur perspektivat e tyre mbi politikat edhe përballë interesave më të fuqishme që mund të ekzistojnë në shoqëri. Pra, rregullimi ligjor i lobimit krijon një nivel fushe loje më të barabartë për të gjitha grupet e interesit për t’u përfshirë dhe për të ndikuar në procesin e zhvillimit të politikave publike.
Leave a Reply