• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
Paraqitja e Eugen Pushpepës dhe diferenca e shijeve të jurisë me publikun në Eurovizon 2018
Home
Blog

Paraqitja e Eugen Pushpepës dhe diferenca e shijeve të jurisë me publikun në Eurovizon 2018

May 13th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Altin Ketro/ 

Edicioni i 63-të i Festivalit Evropian të Këngës që u mbajt në Lisbonë të Portugalisë, shpalli fituese për vitin 2018 përfaqësuesen e Izraelit. Kënga e saj u vlerësua si më e mira me një total prej 529 pikësh, por realisht fitoren ia dha publiku evropian me 317 pikë, ndërkohë që juria profesioniste e vlerësoi me 212 pikë duke e renditur të tretën.

Gjithsesi, ajo që dua të evidentoj ka të bëjë me paraqitjen e Eugent Bushpepës që përfaqësoi Shqipërinë në këtë ngjarje të rëndësishme të muzikës evropiane. Ai vinte në këtë eveniment me këngën “Mall”, duke qenë njëkohësisht autor i tekstit dhe i muzikës. Paraqitja e Eugentit, si nga pikëpamja vokale, ashtu dhe ajo skenike, u vlerësua mjaft nga kritika, çka ngjalli pritshmëri të mëdha edhe në fazën para kualifikuese.

Kështu, në saj të talentit vokal, Eugenti arriti që pas disa edicionesh ta çojë sërish Shqipërinë në finalen e madhe të Eurovizionit. Por, për të arritur deri aty, atij iu desh të kalojë fazën e parë kualifikuese të gjysmëfinaleve. Nga 19 shtete pjesëmarrëse në këtë fazë, ai arriti të korrë një total prej 162 pikësh, duke u renditur i teti.

Risi e këtij Festivali, ishte se organizatorët kishin bërë një ndarje të re të pikëve, duke mos i mbledhur në total pikët e jurisë dhe ato të publikut, por duke i paraqitur ato veçmas, gjë që rriti më shumë transparencën. Gjithashtu, kjo nxori në pah se cili është vlerësimi real që bën juria profesioniste e cila e shikon këngën e këngëtarin në të gjithë diapazonin e tij, dhe cili është perceptimi i publikut i cili është subjektiv dhe kryesisht më shumë i jep rëndësi spektaklit sesa anës cilësore dhe përmbajtjes të këngës.

Ajo që duhet theksuar në këtë Festival, është se për herë të parë Shqipëria kish aty tri përfaqësues të saj. Përveç Eugentit, dy shtete pjesëmarrëse, Italia dhe Qipro, kishin si përfaqësues të tyre dy bashkatdhetarët tanë, Ermal Meta dhe Eleni Foureira. Kjo rriti edhe më shumë ndjesinë që, në mos njëri, tjetri do arrinte ta “rrëmbente” fitoren, gjë që nuk u realizua dot.

Po le të kthehemi tek përfaqësimi ynë në Eurovizion që, për lehtësi kuptimi, do ta paraqes me tabela, ku secili mund të shohë qartë se cilët na votuan e cilët votuam.

Për ta nisur nga faza gjysmëfinale, kemi këtë pozicion në renditje për Shqipërinë:

 

Dukshëm vihet re se juria në këtë rast është treguar përcaktuese për ta çuar këngën shqiptare në finalen e madhe, duke na pozicionuar të tretët pas Izraelit dhe Austrisë.

Po, cili ishte vendimi që dha juria profesioniste dhe publiku shqiptar për shtetet e tjera pjesëmarrëse në Natën Finale? Po votat e shteteve të tjera për Shqipërinë? Tabela e mëposhtme na e tregon qartë se si janë ndarë votat dhe shijet e secilës palë. Publiku le të gjykojë vetë për secilin rast.

 

Duhet theksuar se, përpos të tjerave, Gjermania, Franca, Izraeli, Suedia, Moldavia dhe Estonia nuk na vlerësuan me pikë, ndonëse nga ana jonë iu dha pikë atyre. Rezulton se 57 për qind e shteteve që i votuam na respektuan në reciprocitet, kurse 43 për qind e tyre jo. Zhgënjim të madh patën shqiptarët nga votimi i jurisë italiane e cila i dha zero pikë Shqipërisë. Bie në sy mbështetja e fuqishme e emigrantëve shqiptarë kryesisht në Itali, Greqi dhe Zvicër, si dhe e bashkatdhetarëve tanë në Maqedoni dhe Mal të Zi. Gjithashtu vlen të përmendet edhe vota e jurive profesioniste fqinje; malazeze, greke, maqedonase e serbe për Shqipërinë, që deri dje kemi menduar se vinte vetëm prej votave të shqiptarëve që jetojnë atje.

 

 

Renditja përfundimtare e shteteve finaliste sipas pikëve:

 

Si përfundim, duke u nisur nga renditja, rezulton se kënga që përfaqësoi Shqipërinë ka ngjitur tek pjesa profesionale e jurive, kurse publiku i gjerë evropian nuk i ka dhënë atë vlerësim që ne prisnim. Pa mohuar cilësitë e shkëlqyera që shfaqi grupi ynë, fakti është se ajo që bën diferencën është vota publike. Pavarësisht se ka interpretime për ndikime të faktorëve politikë në vendimmarrjet e jurive, votimi i këtij viti, që i paraqiti veç e veç, na tregoi se tjetër janë shijet e jurive e tjetër të publikut.

Tani e tutje, për organizatorët e këngës në RTSH del domosdoshmëri që duke nisur nga ky vit, përfaqësimi i Shqipërinë në Eurovizion të jetë një ndërthurje e shijeve të jurive me ato të publikut, pra e zërit me ritmin e spektaklin. Natyrisht, nëse duam të futemi në TOP 5. Eurovizion 2018, e jo vetëm, na e tregoi mjaft qartë këtë!

 

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Edhe skizofrenia e Ligjit të Luftës e ka një ilaç
Previous article Andrra, një ballafaqim me nënat

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k