• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
IVA TIÇO/ Ç’na duhet vettingu për Berishën? Mbaron punë Armina
Home
Blog

IVA TIÇO/ Ç’na duhet vettingu për Berishën? Mbaron punë Armina

April 18th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

“Turpi s’rri në çdo trup”, më shkruan një shoqja ime, kur i dërgoj me Ëhatsapp atë që Armina Mevlani sapo tha në një spektakël: “Sali Berisha meriton t’ia lash këmbët me flori”.

Më duhet t’i sqaroj shoqes sime që Armina nuk është se është e paturpshme, si shumë të tjerë vërdallë: ajo është thjesht e sinqertë. Mjafton t’i shihje fytyrën rrezatuese, gjithë shpërthim dashurie, të dish dhe ca gjëra për të dhe e kupton që në këtë rast nuk hyn fare turpi dhe mungesa e tij, sinqeriteti po.

E si mund të mos meritojë t’i lahen me këmbët me flori?! Kujtdo që do ia ndryshonte jetën dhe do ta kthente nga një adoleshente normale, me një jetë fare mesatare, në një grua që jeton në një rezidencë me vila private jashtë Tiranës, që ka një biznes në mes të Bllokut, që bën pushime ëndrrash, që në çdo dalje publike ka së paku 4 mijë euro veshje në trup, do t’ia lante me flori e shkuar floririt. Dhe turp e jazëk i qoftë po të mos e bënte.

Dhe, pooo, Armina është shumë e sinqertë dhe kur mendon se këmbët mund të lahen me flori: për të, floriri rrjedh si uji. Dhe s’ka pse të mos rrjedhë.

I është dashur ndërkohë të harrojë fillimet, atëherë kur ishte thjesht vajza e instruktores së palestrës dhe folësit në lajme e pozonte në revista me gardërobën e zakonshme të çdo bashkëmoshatareje, ku firma më e shtrenjtë ishte Mango dhe tashmë është tejet e sinqertë kur rrëfen të njëjtat fjali, që i ka shqiptuar pak vite të shkuara dhe i përsërit e i përsërit në çdo dalje publike: “Unë kam punuar drejtore reviste që 19 vjeç dhe kam fituar paratë e mia”.

E punë e madhe se bëhet fjalë për një revistë që s’e bleu kurrë njeri, veç atyre që dilnin në të, dhe që u hap në vitin 2012, kur gjithë media e shkruar kishte marrë rrokopujën me rroga të papaguara dhe punë e madhe se “koleget” e saj me rroga e punë prej vërteti prej njëzet vjetësh nuk ia kanë dalë dot të hapin biznese në Bllok apo t’i kthejnë blogjet dhe mediat online në mjete fitimprurëse (jeta e ëndrrave është shumë, shumë larg). Rëndësi ka që Armina është e sinqertë. Dhe është vërtet vajzë shumë e mirë: në rrethin tone, ku të gjithë hanë e shqyejnë njëri-tjetrin, ajo nuk flet keq për njeri, nuk punon pas krahëve, sheh punën e saj, biznesin e saj, Zenin e saj.

“Pse ma shani Zenin? Ai është i mirë”, i pat thënë një ditë një koleges sime dhe e zuri ngushtë. Siç mund të më zërë dhe mua nesër pasnesër po më doli përpara: që tani e di që do më vijë turp dhe nuk do kem ç’t’i them. Eshtë e bukur, e paqtë, të çarmatos me sinqeritet.

Dhe pooooo, Zeni është shumë i mire. Për të, ama. Nuk ka pse të mos jetë. Gjithë çfarë shkruhet në media, për afera korruptive, përfshirje në vrasje fëmijësh për të bërë para në Gërdec, gjithë të zezat që thuhen lart e poshtë, për Arminën, janë thjesht sulme politike. Ajo e beson njeriun që dashuron dhe mirë bën! Këtë e bën çdo grua e dashuruar. Për aq kohë sa nuk ka asnjë hetim për të qenë dhe proces për Shkëlzen Berishën, por as një transparencë për biznesin dhe paratë e Arminës, Zeni është i mirë dhe shkuar të mirit. Kurse Armina jetën luksoze e ka ndërtuar me punë të ndershme.

E armatosur me këtë sinqeritet, ajo del pastaj nëpër studio televizive dhe na i tregon të gjitha ato që beson vetë, pa harruar të nxjerrë nga shpirti, siç bëri mbrëmë, falënderimin për atë që ia ka mundësuar të gjitha, babin e Zenit, që meriton t’i lahen këmbët me flori. Turpi nuk hyn fare këtu, shoqja ime, besoj, se e kupton këtë. Por, rroftë sinqeriteti i Arminës! Nuk ka Vetting dhe Reformë në Drejtësi që ta nxjerrë Berishën më zbuluar sesa kaq. Dhe siç Perëndia, fati, a karma, a kushdo që drejton jetët tona, zgjedhin ndonjëherë ndonjë formë qesharake për të na ndëshkuar, Sali Berishës i ka dhënë Arminën.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article RAPORTI/ Alarm në rrjetet sociale, numër rekord imazhesh që tregojnë abuzimet me fëmijë
Previous article SKËNDER MINXHOZI/ Të paktën sot të festojnë të gjithë!

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k